“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Fate Velaj: Elisa Spiropali dha dorëheqjen, sepse e dinte që...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Fate Velaj: Elisa Spiropali dha dorëheqjen, sepse e dinte që...
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Fate Velaj: Elisa Spiropali dha dorëheqjen, sepse e dinte që...

"Antena Jashtë Familjes" sot, vjen pak ndryshe. E kemi llafin që, bashkëbisedimi i sotëm është zhvilluar në linjë telefonike. Shoku Fate Velaj, Këshilltari i katërt më i besuar i Ramës, siç e thamë dje, nuk ndodhej në Tiranë, pasi ishte nisur drejt Prishtinës. Këtë na e tha shoku Endri Fuga dhe ashtu doli. Po sjellim pa asnjë ndryshim, bashkëbisedimin telefonik të bërë më shokun Velaj.

Tahir Avazi: Alo, përshëndetje shoku Velaj! Jemi rubrika...

Fate Velaj: Alo, aloooo!

- Alo! Përshëndetje, shoku Velaj!

- Përshëndetje! Më falni se nuk ju dëgjoj mirë. Chi siete? (Kush jeni?)

- Jam gazetari i rubrikës "Antena Jashtë Familjes". Nga Tirana, ju llafos. Ku ndodheni tani?

- Non lo so... Nuk e di unë ku ndodhem. Rubrika "Antena Jashtë Familjes", thatë? Kur paska dalë "Antena" jashtë familjes së Berishës?! Dy ditë u largova unë dhe paskan ndodhur ndryshime!

- Meqë Berisha ka kohë që ka ikur nga kolltuku, menduam të krijonim një Antenë që do transmetojë edhe gjërat e qeverisë. Ku jeni tani, shoku Velaj?

- Ku di unë ku jam. Më urdhëruan të nisesha për në Prishtinë, të gjeja lidhjet e gjyshes së Tahipit me Prishtinën. Të Tahip Erdoganit...

- I gjetët?

- Unë s'po gjej dot rrugën të shkojë në Prishtinë, ju thoni të gjej gjyshen e Tahipit. I rashë nga rruga e vjetër.

- Na tha edhe shoku Fuga dje, që nuk do kalonit nga "Rruga e Kombit". A keni idenë ku jeni tani?

- Po shikoj një liqen të tharë dhe një digë.

- Ndoshta jeni në Liqenin e Fierzës. Është tharë? Epo, vapë e madhe!

- Vapë leshi! Këtë e kemi tharë vetë neve të Rilindjes. Dëgjon "mediat e kazanit" ti, që thonë se është tharë nga i nxehti.

- Si e keni tharë ju?!

- Ja, përdorëm ujin përpara zgjedhjeve që të prodhonim energji, ndaj. Ishte plot liqeni, me gjithë ato reshje dëbore që ranë në dimër. Por na duhej energji përpara zgjedhjeve, që të gënjenim miletin se qeveria siguron energji pa ndërprerje. Sa mbaruan zgjedhjet, i mbaroi edhe uji liqenit. Mi sentite? Më dëgjoni?

- Ju dëgjoj, po.

- Kam ca ditë nuk kam marrë vesh ç'po bëhet? Me jep ndonjë info, ti prego!

-Ç't'ju them më parë, shoku Velaj?

- Diçka me kulturën p.sh.

- Xhenifer Lopes p.sh., ka bërë një videoklip dhe ka mbuluar gjokset me gjethe palme.

- Hëëëë, kuçka! Ndaj s'kanë gjethe palmat që blemë neve dhe i vendosëm në rrugë! I paska marrë ajo Lopa!

- Cila Lopë?

- Ajo Lopes, pra. Dhe "mediat e kazanit" akuzonin pa të drejtë Kryeministrin tonë të lavdishëm, se përse bleu palma pa gjethe. Ja, koha e vërtetoi përse. Po tjetër, ç'ka ndodhur? U kthye Kryeministri nga Turqia, apo është akoma atje?

- Nuk e di nëse u kthye, në fakt. Di që shkoi në Trieste për një takim.

- Ishallah, për mbarë! Ishallah shet ndonjë pikturë!

- Nuk shkoi për të shitur piktura. Shkoi për punë.

- Pas shitjeve të tyre edhe punë bën ai.

- Shkoi se u bë një takim për krijimin e një tregu të madh të vendeve të Ballkanit, ndaj. Do dalin dhe do hyjnë mallrat pa doganë.

- Lum si Elisa!

- Cila Elisë?

- Elisa Spiropali, pra. Punoi më kohën që mallrat futeshin në doganë kundrejt tarifave. Bëri lekë atëherë. E ndjeu që do hiqeshin doganat dhe dha dorëheqjen. Vajzë e zgjuar!

- Ajo e dha dorëheqjen se do lindte fëmijë, mesa u bë publike...

- Kë dëgjon ti, "mediat e kazanit" dëgjon? Dëgjo vëllanë, se i di gjërat më mirë. Ajo e dinte që përpara se Rama do kërkonte të hiqeshin taksat doganore për shumë produkte.

- Nga e dinte?

- Ja tha Rama kur i shkoi në zyrë Elisa. Jep dorëheqjen dhe ndonjë euro te unë, i tha. Mos rri kot në punë, se do heq doganat me Vuçiçin. Ndaj Elisa tha që Rama është si Skënderbeu. Se edhe ai donte të bashkonte vendet e atëhershme të Ballkanit.

- Po tani, si i bëhet? Mos na vërshojnë mallrat e vendeve të Ballkanit dhe lënë pa u shitur ato tonat?

- Se mos kemi mallra që prodhojmë vetë neve. Nëse goditet ekonomia jonë, do ja hedhim fajin ministrave të LSI-së.

- Prapë atyre, edhe këtë mandat?

- Në mos atyre, do ja hedhim fajin atyre të PD-së. Do e gjejmë një fajtor, mos të na e kesh merakun! Unë kam hallin tim!

- Ç'hall keni?

- Kam mbetur në rrugë dhe s'di kur do mbërrij në Prishtinë, të kryej detyrën që më kanë dhënë.

- Vazhdoni rrugën, shoku Velaj dhe shumë faleminderit për bashkëbisedimin!

- Vazhdo edhe ti avazin...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: