“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet shoku Ditmir Bushati: Si ja plasa të vërtetat, Ministrit të Brendshëm të Francës...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet shoku Ditmir Bushati: Si ja plasa të vërtetat, Ministrit të Brendshëm të Francës...
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Flet shoku Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm; Si ja plasa të vërtetat, Ministrit të Brendshëm të Francës...

"Antena Jashtë Familjes" dhe saktësisht gazetari i saj Tahir Avazi, takoi dje Ministrin e Jashtëm, shokun Ditmir Bushati, i cili para disa ditësh ishte në Francë

"Antena Jashtë Familjes": Shoku Bushati, përshëndetje!

-Ditmir Bushati! Bozhu edhe juve! Si Ministër i Jashtëm më vjen mirë që një antenë del edhe jashtë, e nuk mbetet vetëm brenda. Sa më shumë të dalim jashtë, aq më të hapur jemi brenda. Më kuptoni...?

-Me vështirësi, por ju kuptova. Ju sapo vini nga një vizitë në Francë, me  Ministrin e Brendshëm të atij vendi. Mesa dimë u diskutua për...

-Ui, ui, po isha në Francë dhe megjithëse u takuan dy të kundërta, pra unë si Ministër i Jashtëm dhe ai si i Brendshëm, u tërhoqëm shumë kundrejt njeri tjetrit, ashtu si polet e kundërta të nje magneti. Meritën për këtë, modestisht po e them, e kam unë.

-Pak më i detajuar, ju lutemi!

-E bëra unë atë të "Brendshmin" francez që të tërhiqej ndaj meje. Në fillim kur më pa, më rrinte ftohtë. Ishte mërzitur për faktin që shqiptarët shkojnë në Francë dhe rrinë atje. Ama ja shpjegova dhe kërkoi falje...

-Çfarë i shpjeguat?!

-Faktorët determinues-shpjegueso-shterues të problemit që ngriti. E gozhdova në vend.

-Si ishte ky gozhdim?

-I thashë që lidhjet e vendit tonë me Francën kanë qënë të hershme. Shoku Enver psh goditi m'u në kokë "rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë", por rrallë foli keq për Francën. Më shumë goditi revizionizmin e Partisë Komuniste të saj, sesa vetë Francën, i thashë. Dhe kjo ka shërbyer që shqiptarët ta shikojnë Francën si një vend mik. Dhe miku duhet vizituar ndonjëherë, i thashë.

-Duhet vizituar vërtet, por ata që shkojnë atje kërkojnë të qëndrojnë dhe jo të bëjnë vizitë dhe të kthehen përsëri...

-Edhe këtë ja shpjegova të "Brendshmit" të Francës. Nuk ju del koha të kthehen, ju thashë pasi vendet që vizitojnë janë të shumta.

-Si janë të shumta? Doni të thoni që...

-Vetëm vende lidhur me Kryeministrin, janë me qindra. Shqiptarët kur shkojnë në Paris, duan të vizitojnë me patjetër shtëpitë ku ka jetuar Edi Rama, i cili "po bën shtet". Mirëpo janë disa shtëpi të tilla. Për të parë ato, duhen e pakta 1 muaj kohë.

-Ja 1 muaj iku. Po dy muajt e tjerë ç'bëjnë?

- Një muaj tjetër shikojnë vendet ku ka ngrënë Kryeministri. Muajin e tretë shikojnë urat ku ka punuar dhe vizatuar ai. Ja ikën tre muajt që ju lejohet.

-Po pse s'kthehen pasi vizitojnë këto, gjatë tre muajve, por rrinë akoma?!

-Ju lutem, mos u bëni si "mediat e kazanit" edhe juve! Aq të lehtë e dini kthimin ju!? Po si mund të kthehet kaq shpejt një person, që viziton vetëm njëherë vendin ku ka jetuar Kryeministri i tyre që "po bën shtet"! Ata dashurohen me vendet ku ka jetuar Edi Rama në Paris. Ju rikthehen përsëri dhe përsëri vendeve ku ka jetuar Ai, e nuk kanë të ngopur.

-Që nuk kanë të ngopur në Shqipëri, dihet. Se po të ngopeshin këtu, nuk iknin në Francë, z. Bushati.

-Po flet si "mediat e kazanit". Ja u shpjegova se përse shqiptarët largohen për në Francë. Shto këtu edhe faktin që Karl Topia psh, e kishte mamin anzhuine, franceze. Rruga e Karlit është e famshme në Shqipëri. Edhe shoku Enver, ai që edhe ai bëri shtet, por jo si snoku Edi, ka jetuar në atë vend. Shqiptarëve iu duhet kohë të vizitojnë vendet ku ka jetuar Enveri në Monpelje psh. Kushedi sa shqiptarë kërkojnë në atë qytet, bibliotekën ku ai studionte.

-Studionte më Bibliotekë shoku Enver?

-Nuk studionte, por shqiptarët kërkojnë se kështu ju kishin thënë.

-Po xhandarët francezë përse do vijnë në Shqipëri? Do ruajnë kufijtë, dëgjova...

-"Mediat e kazanit" dëgjoni ju?! Oh my God! Se me doli instiktivisht anglisht. Edhe kur isha në Francë ja këpusja ndonjë shprehje anglisht. Nxihej në fytyre ai "i Brendshmi" kur më dëgjonte të flisja anglisht. Xhandarët do vijnë, pasi në Shqipëri është krijuar një mendim karagjoz për ta, ndaj. Ç'të bësh! Televizionet shfaqin vetëm Kryshonë, atë xhandarin qesharak. Kur ja thashë atij Ministrit të Brendshëm këtë fakt, m'u lut. -"Please Daygood,(Ditmir) më tha në anglisht madje, prano që të sjellim ca xhandarë atje te ju, se na ka turpëruar Kryshoja sojin e tyre." Dhe kaq është çështja e xhandarëve francezë. Në fund më kërkoi ndjesë publike, madje.

-Faleminderit z.Bushati për sqarimet e frytshme, shoku Ministër i Jashtëm...!

-Merci, thank you, gracie edhe juve të Antenës së Jashtme, dhe vazhdo avazin.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: