“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Fuga rrëfehet tek “Antena”: Rama kërkoi të blinte Pallatin e Sulltanit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Fuga rrëfehet tek “Antena”: Rama kërkoi të blinte Pallatin e Sulltanit
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot, në ditën e mërkurë të datës 12 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka biseduar me zotin Endri Fuga

 

Fuga rrëfehet tek “Antena”: Rama kërkoi të blinte Pallatin e Sulltanit

Edhe sot, "Antena Jashtë Familjes" vazhdon me një nga tre këshilltarët më të besuar të kryeministrit Rama. Çfarë ndodhi në Turqi, që nuk u shfaqën në "mediat e kazanit", na i bën publike shoku, Endri Fuga.

Tahir Avazi: Përshëndetje, shoku Fuga! Rikthehemi sot, përsëri me rrëfimin tuaj për vizitën e kryeministrit tonë në Turqi. Le të bëjmë një përmbledhje të saj, nëse është...

Endri Fuga: Më fal një minutë, se po marr në telefon Fate Velaj dhe nuk po më del. E nisëm në Prishtinë, siç thashë dje...

- Jeni i shqetësuar për të? Mos u shqetësoni, shoku Fuga! Nuk i ndodh gjë shokut Velaj.

- Nuk jam i shqetësuar për Faten, jo. Si ai gjejmë plot ne. Fatja pati fat, që njohu shokun Rama. E nisëm në Prishtinë, siç thashë, dhe s'kemi asnjë lajm prej tij për misionin që i dhamë. Do zbulojë lidhjen e Tahipit me Prishtinën. Të Erdoganit d.m.th...

- Ndoshta s'ka bateri në telefon. Ka shumë mundësi të jetë në tunelin e Morinës në këto çaste, dhe atje nuk ka valë telefoni.

- Nuk është në tunel, jo. Edhe atë të bënte, se e shikon pastaj si fluturon nga puna.

- Fluturon nga puna? Ma shpjegoni, ju lutem...!

- Nuk ka shkuar në Prishtinë nga "Rruga e Kombit". Nuk ecën Fatja në "rrugët pa rrugë" që ka bërë Saliu, se pastaj e shikon fundin. Fishek e nxjerrim të papunë! I ka rënë nga rruga e vjetër.

- Po nga rruga e vjetër do torturohet, i ziu Fate.

- Se mos ka punë tjetër për të bërë Fatja. Le të lodhet ca, fundja!

- E lëmë në fatin e vet, Faten. Kthehemi te vizita e kryeministrit Rama në Turqi. A u nënshkrua ndonjë marrëveshje atje?

- Bëmë, si jo. Vetë shoku Rama nënshkroi me disa biznesmenë azerë. Nuk nënshkroi në letër, por edhe marrëveshjet gojore kanë vlerë.

- Do vijnë azerët të investojnë në Shqipëri, d.m.th.? Sa mirë!

- Kush të tha ty se do vijnë? A e artikulova unë një llaf të tillë? Po katandisesh edhe ti si "mediat e kazanit" që shtojnë llafe sipas dëshirës. Unë thjesht thashë që shoku Rama bëri disa marrëveshje.

- Ju thatë "marrëveshje" dhe mua më shkoi në mendje...

- Dëgjo ti, z.Tahir Avazi! Jo çdo ujdi është shtetërore. Ja ku pa ta them, biznesmenët azerë do blejnë pikturat e shokut Rama. Këtë vit do të blejnë pesë të tilla. Më e pakta do shitet 300 mijë euro.

- 300 mijë euro, një pikturë? Bravo!

- Bravo, posi!

- A mund ta dimë se çfarë ka pikturuar kryeministri?

- Ka pikturuar një makinë me katër rrota dhe një timon.

- 300 mijë euro për një pikturë të tillë?! E çuditshme!

- Është pikturë me ide simbolike. Ky lloj arti shitet shtrenjtë. Sa e panë azerët këtë vepër artistike, u iku mendja e kokës dhe ta mendosh, e kishte mbaruar së pikturuari. Dhe i thashë; "Lëre pa e mbaruar!"

- Përse ta linte pa...?

- Veprat e pambaruara kushtojnë më shumë, ndaj. Sikur makinën ta bënte jo me katër, por me tre rrota do të shitej më shtrenjtë akoma. S'më dëgjoi.

- Po thoni që kryeministri nuk ju dëgjon llafin? E çuditshme, vërtet!

- Herë e parë që s'më dëgjon në fakt. Ama, u bë pishman. Humbi 200 mijë euro vetëm se nuk më dëgjoi. Atë pikturë do ta kishim shitur, të paktën 500 mijë euro.

- Mora vesh që midis kryeministrit tonë dhe atij të Turqisë ka patur një bisedë pranë detit. Mund të na bëni publike objektin e kësaj bisede, ju lutem?

- Pati jo vetëm bisedë, por edhe keqkuptim. Ama, çdo gjë u sqarua, më pas.

- Pati keqkuptim?! Përse?

- Shoku Rama u mahnit kur pa një pallat. Aty rrinte më parë si sulltan, vetë sulltani. "Ta blej unë këtë pallat? - i tha Rama kryeministrit të Turqisë. Sa para do, më thuaj"!

Vapë e madhe. I kishte rënë dielli në kokë kryeministrit, me thënë të drejtën dhe s'po kontrollonte llafet.

- Po kryeministri turk, si u përgjigj?

- Nuk i shesim pronat  e shtetit neve, tha. - "Po ndryshoni destinacionin”, - i tha Rama. Lëre objektin të rrënohet ca, e pastaj shiteni me pretekstin që ne si shtet nuk e mbajmë dot. Ne kështu e bëjmë në vendin tonë. Kështu kemi dhënë gjysmën e institucioneve, ne".

Po ku i mbushej mendja turkut.

- Janë kokëngjeshur ata, vërtet.

- Kryeministri turk, për të kaluar muhabetin, po i tregonte Ramës detin dhe anën tjetër të qytetit. Në mes të detit, kryeministri ynë me syrin pishë, pa një ishull të vogël. “Ç'është ai objekt atje?” - pyeti Rama.  “Është një ishull, parajsë fare! - tha ai turk.

- Ishte në det ishulli?

- Po pse, ku të ishte? Në tokë? Si Fatja po flet edhe ti. Po në det ishte, pra.

Sa dëgjoi llafet "ishull parajsë", Rama më tha: - “Endro! A shkojmë mbyllim ca para në bankë, në atë ishull?”

- A shkuat?

-Jo, nuk shkuam. E sqarova unë, që ai ishull nuk ishte si ata ku kemi mbyllur paratë. Nuk ishte ishull nga ato që quhen "ishull parajsë fiskale". Ishte i lodhur kryeministri Rama nga vizita, ndaj ngatërroi atë ishull, me ishujt ku çojmë paratë. Nejse, se më duhet të largohem tani.

-Do gjeni Faten?

-Kush pyet për Faten, mor plak. Kam punë të tjera më të rëndësishme. Ika tani dhe vazhdo avazin...

 

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: