“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lulzim Basha: Ja përse u godit ish-deputeti...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lulzim Basha: Ja përse u godit ish-deputeti...
"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot, në ditën e hënë të datës 10 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka intervistuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Lulzim Basha: Ja përse u godit ish-deputeti

***

Direkt pas ngjarjes në Burrel, ku u godit ish-deputeti Bedri Hoxha, "Antena Jashtë Familjes" u nis në vendngjarje dhe bisedoi me kreun e ngrirë të Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha. Atë e gjetëm si përherë, të ngrirë.

 

Tahir Avazi: Përshëndetje zoti Basha! Ç'ishte kjo që ndodhi?

Lul Basha: Çfarë ndodhi?

- Kjo pra, që u qëllua ish-deputeti, ndërkohë që ju ishit aty.

- Ku aty isha?! Kanë qëlluar? Kë kanë qëlluar? Përse e kanë qëlluar?

- Në fakt këto pyetje donim t'ua bënim neve.

- Unë e kam deklaruar, kam kohë. Jam i ngrirë. Ia kam thënë lexuesit tuaj. Si mund të ndjej, kur jam i ngrirë. Asnjë pjesë të trupit nuk ndjej. Për kokën e Saliut, po të gënjej.

- Kanë qëlluar ish-deputetin Bedri Hoxha...

- Kanë qëlluar Bedri Spahiun? Atë ish-Prokurorin e Përgjithshëm në kohën e diktaturës? Mirë ia kanë bërë. Kjo tregon që partia jonë është e distancuar nga e kaluara e poshtër komuniste. Ti nuk je dakord që Bedriun ta qëllojnë?

Ai qe një kriminel, pavarësisht se më vonë kërkoi falje. Krimet e tij...

- Po jo mor z.Basha, jo. Nuk qëlluan Bedri Spahiun. Qëlluan Bedri Hoxhën. Ish-deputetin e partisë suaj. Hoxhën, po ju them.

- Kanë qëlluar Hoxhën? Enver Hoxhën?

- Ju është mpirë truri fare e s'kuptoni, më duket.

- Epo i mpirë jam. Ngrirja i ka këto. Pastaj edhe nëse kanë qëlluar ndonjë Hoxhë, mirë kanë bërë. Ku shkon ai me atë mbiemër? A jemi parti që jemi distancuar nga Hoxha neve? Hë fol, jemi, a s'jemi?

- Ndonjëherë jeni z. Basha. Shkrihuni pak dhe kujtohuni, si ndodhi që qëlluan z. Bedri Hoxha?

- Tani po më kujtohet diçka nga ngjarja.

- Epo shyqyr z.Basha. A mund t'ia thoni edhe lexuesit tonë, ju lutem.

- Para takimit në Burrel, po bisedonim për Hollandën. Për jetën atje.

- Jetën tuaj?

- Jo vetëm timen. Jetën në përgjithësi. Atje emigrantët ndihen si në shtëpinë e tyre, thashë. Në atë moment u hodh ky Bedriu.

- E keni fjalën për z. Bedri Hoxha, dmth. Si u hodh? Çfarë tha?

- Po ik o Lul më tha, në Hollandë! Ç'bën këtu, boll lekë ke bërë...

- Në fakt, mirë ka thënë. Edhe unë i atij mendimi jam.

- E pse të iki unë?! Ja ika, po s'vij dot prapë.

- Nejse, vazhdoni ju lutem...

- E pse të shkojë Luli në Hollandë, u hodh edhe tha njëri që ishte pranë Bedriut. Të shkojë më mirë në Angli. Atje është më mirë. Ka gjithë ata burrelsa atje që kanë bërë prokopi, tha ky.

- Ua u tha juve këto llafe?

-Jo, jo, ia tha Bedriut. Aty plasi sherri. Jo Anglia është më mirë, thoshte njëri. Jo është Hollanda, thoshte ky Bedriu. E kështu plasi sherri.

- Kjo qenka arsyeja domethënë.

- Po pse, kujton ti se ne demokratët zihemi kot. Apo dëgjon atë Patozin ti që thotë që Luli ushtron presion. Unë jam i ngrirë. A ushtrohet presion kur dikush është i ngrirë. Unë mezi lëvizja kur isha sagllam, jo më tani që jam i ngrirë.

- Faleminderit z.Basha për shpjegimin!

- Faleminderit edhe rubrikës suaj dhe ty personalisht o zoti Tahir Avazi. Dhe vazhdo...!

- Sigurisht që do e vazhdoj avazin.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: