“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Përurimi i Metës President, çfarë i thanë “Antenës”, Edi, Luli, Mona, Erioni, Sali dhe Dritani

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Përurimi i Metës President, çfarë i thanë “Antenës”, Edi, Luli, Mona, Erioni, Sali dhe Dritani
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Përurimi i Metës President, çfarë i thanë “Antenës”, Edi, Luli, Mona, Erioni, Sali dhe Dritani

Rubrika jonë, siç po krijohet tashmë zakon, ishte e pranishme në ceremoninë e fillimit të detyrës së Presidentit, z. Ilir Meta. Ne takuam rreth e rrotull, disa njerëz të politikës, të cilët për mikrofonin tonë thanë:

Edi Rama foli i pari dhe ndër të tjera tha:

...Largimi i shokut Saimir Tahiri nga qeveria, si ish organizator kryesor i protestave të 21 Janarit, pati një ndikim të madh te pranimi i postit të Presidentit nga ana e Ilirit. "Ish Ilir blloku" e hëngri, pranoi, nuk u tregua largpamës.

Vendosja e Ilirit në atë kolltuk, nuk u bë e pamenduar nga ana e neve rilindasve.

Nesër kur mos të na shkojnë punët mirë, fajin do ja hedhim atij. "Ne i shtrimë Metës, dorën e pajtimit, të tolerancës, por ai nëpërmjet grua Monikës, po bën ç'është e mundur t'i fusë gurë nën rrota, demokracisë dhe makinës sonë”, - do themi.

Pastaj mos harroni! Po nuk na vajti mirë ekonomia, gjë që sigurisht nuk do na vejë, do ja ngopim fajin Likes. Ai nuk ndërtoi asnjë kilometër rrugë kur ne i dhamë Ministrinë e Transporteve, do themi;... ja pasojat, po i ndjejmë tani.

Lidhur me 21 Janarin dhe bllokun, z.Rama u përgjigj: Takohemi te ish Blloku për kafe!

Sali Berisha, tha për rubrikën tonë, çuditërisht në gjendje gjumi:

I uroj mikut tim Ilir, u bëftë 100 vjeç! Pastë të mirat e...

-Tahir Avazi; Më falni zoti Berisha, por Iliri nuk ka ditëlindjen. Ai po vendoset President i Republikës.

-Berisha: Zgjedhja si President, është një lloj ditëlindjeje. Lere atë punë ti, se e di unë më mirë. Unë p.sh. vetë kam lindur tre herë. Një herë kur linda, që nuk e di se kur, pasi nuk më regjistruan datën sakllam në gjendje civile dhe dy herë të tjera linda, në vitin 1992 dhe 1997 kur më zgjodhën President. Herën e parë më zgjodhën nëpërmjet fishekzjarrëve, herën e dytë linda nëpërmjet fishekëve, pasi ishin shpërthyer depot e armëve, sa më hoqën "fishek" nga posti.

(Z.Berisha ngriti kokën e tij në qiell dhe shtoi); Moti është i kthjellët. Nuk paska re dhe as reshje shiu. Shyqyr!

(Pyetjes sonë se përse ishte i shqetësuar për motin, z.Berisha iu përgjigj);

-Kam frikë se nëse do ketë shi, do ketë çadra pistoletë si ne 21 Janar. Më është krijuar gjendje paniku sa herë prishet moti. (z.Berisha u largua pa na përshëndetur. Një gjë mjaft e rrallë për të, që tregon se atë diçka e ka goditur, apo pritet ta godasë rëndë...)

Lul Basha, lideri i shquar i Shoqatës Demokratike, deklaroi për rubrikën tonë:

Iliri do kishte lezet më shumë nëse do ishte President i Republikës së Re, dhe jo thjesht President i Republikës.

Zonja Monika Kryemadhi në linjë telefonike na tha:

Mos ma sjelltë kokën në shtëpi, se ja tregoj unë! Burri që është burrë, më mire shkon në birucë, sesa rri një palo President pa patur gjë në dorë. U bë lolo e Edit, këtij hajduti mbarë botëror. Vajti atje ku s'ka as dyshekë ku të fshehësh lekët dhe jo më të ketë lekë. U pika burrit!

Ja hodhi një kriminel si Edi Rama. E morët vesh ju të Antenës së Jashtme, apo jo? U asfaltua rruga para Parlamentit, dy ditë para betimit të Ilirit si Presidentit...

(Pyetjes sonë se ç’lidhje ka asfaltimi me ceremoninë, z.Kryemadhi iu përgjigj):

-Monika Kryemadhi: Kjo vërteton edhe njëherë atë që kam thënë, se Rama e mbushi Parlamentin me kriminele. Ata prishën jo vetëm demokracinë tonë të brishtë, por edhe rrugën qe të çon te kjo ndërtesë. E si të mos e prishnin, kur ecnin me çizme me gozhdë në shollë...

Dritan Prifti, që më parë ka qenë një nga figurat e LSI, deklaroi me shkrim, për rubrikën tonë:

-S'munda të vij në ceremoni për shkak të disa angazhimeve të mia kinematografike.

Do vij së shpejti. Më kanë mbetur edhe disa video nga ato që bëja unë, e do vij t'i shikoj bashkë me shokun time Like, te Presidenca. Janë video të papara. Them "të papara" në kuptimin cilësor, pasi unë ato i kam parë me qindra herë. Ju e dini që e kam pasion filmimin dhe parjen e tyre...

(I pyetur rreth lopëve që shpërndau kur kandidoi për deputet, z.Prifti shtoi me shkrim)

Disa janë shtuar me viça dhe disa të tjera janë bërë fileto. E tillë është jeta. Disa vazhdojnë hane, e disa e hanë...

Erion Veliaj, ish Kryetari i Mjaft-it, na tha teksa po pinte një gotë të vogël me ujë:

-I uroj mikut tim, të mirit Ilir, një mandat frutdhënës, në të mirë të Këshillit Bashkiak, me të cilën bashkëqeverisim qytetin tonë, pa ujë. Meqë ra llafi te uji; Së shpejti sigurisht si pas zgjedhjeve ku na besuan, pritet rritja e çmimit të tij

Ilir, të përqafoj. Ta kam thënë, je një bob i vërtetë, sidomos pasi ja ngope Saime qorrit dhe e zhduke nga ministër. Të puth Ilir! Muah!...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: