“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Erion Veliaj deklaron: Tiranën do ta bashkojmë me Kamzën...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Erion Veliaj deklaron: Tiranën do ta bashkojmë me Kamzën...
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Shoku Erion Veliaj deklaron për “Antenën”: Tiranën do ta bashkojmë me Kamzën...

Së pari, bëjmë publike faktin që ne si redaksi, e dinim që do të plaste problemi i çmimit të ujit, që kur shoku Veliaj dilte dhe bënte thirrje për kursimin e tij.

Tani presim që, meqë kanë rënë shumë zjarre dhe janë bërë thirrje të mos digjen pyjet, të diskutohet për t'u rritur çmimi i çakmakëve dhe, pse jo, i karburanteve.

Shoku Veliaj na priti në zyrën e tij, ashtu siç e kishim lënë paraprakisht ne telefon me stafin e tij të përpiktë

-Antena Jashtë Familje: Përshëndetje z. Veliaj! Erdhëm neve...

-Erion Veliaj: Ja më prisni pak, se po flas me një mikun tim nga Holanda, në telefon. (Pas pak) Kishin ndaluar Edin në aeroport. Është i madh, për zotin. Nuk kishte dalë nga korridori i zonës VIP, por kishte dalë nga aty ku ecin njerëzit e zakonshëm. E kishte ndaluar polici me disa piktura në dorë. "Paske vjedhur veprat e Van Gogut?- i kishte thënë. Pikturon Edi tamam si Vani, ndaj. Është gjeni. I madh, por edhe i thjeshtë, ama.

-Po përse kishte vajtur Kryeministri në Holandë...?

-Shkuarja në Holandë, do të jetë pjesë e marrëveshjes me Bashën mbase. Meqë Basha shkon shpesh, duhet të shkojë edhe ky i yni. Nuk jam në dijeni të pikave të marrëveshjes. Ç'më duhet mua! Nuk pyes shumë. Me hamendje e kam. Unë shikoj punën time. Kur të vijë momenti për të marrë partinë, do të hidhem në sulm. E rëndësishme është që Saime Qorri e ka ngrënë.

Rri bredh kot nëpër Tiranë. Do t’i bëj edhe një kënd lojrash në Kombinat, e të luajë atje. Nejse, se u zgjata. Përse keni ardhur ju?

-Për atë punën e ujit, shoku Veliaj.

-Cilit ujë, se në fillim m'u bë gjaku ujë nga lajmi për ndalimin e Edit dhe nuk mbaj mend gjë.

-Të ujit pra, që do të rrisni çmimin me 200 lekë për metër kub. Donim të dinim sagllam fare, se përse e keni menduar ta rrisni?

-E doni sagllam ju, apo të bëjmë ca lulka, si me "mediat e kazanit"?

-O po troç fare, shoku Veliaj.

-Atëherë shëno aty! E para: Çmimin kam vendosur ta rris me 200 lekë për shkak se na dështoi ajo nisma "kafe me gjyshin". E ke parasysh atë nismën që e pinin kafen 200 lekë të vjetra ata të moshës së tretë...?

-Po, po e kam. Po thoni që dështoi si nismë! Përse?

-Të shkretët të moshuar, shkonin të pinin kafe dhe ju shkonte me shtrenjtë se kur e pinin në fillim. Ju shkonte, sepse ju ngjiteshin nga pas edhe nipërit e mbesat. "Më jep pak ujë"-thoshin ata. Detyrohej gjyshi i shkretë të blinte ujë në bidon, se me ujin e lokalit helmohej fëmija.

-Ashtu?

-Shumë nga pensionistët që kam takuar më janë lutur: "Aman, na sill ujë në shtëpi, se po lëmë leshtë në lokale. O po rrite çmimin, s'ka gjë, se për partinë kemi sakrifikuar gjithë jetën, hë derman"- më thoshin. E kështu vendosa të rris çmimin. Kështu kemi mundësi të investojmë në rrjetin e shpërndarjes.

-Ju para zgjedhjeve thatë që nuk do ta rritnit çmimin, por do të rritnit kapacitetin e ujëmbledhësit të Bovillës me 30%, shoku Veliaj?

-Ashtu thashë vërtet, por ma ndërroi planin mami.

-Ç'hyn mamaja këtu?

-E pyeta unë mamin: O mami! N.q.s. ke një kullesë makaronash me shumë vrima, ç'do të bëje që t'i mbyllje vrimat?

-Po mamaja si u përgjigj?

-Ku di unë mor bir. Unë po të kisha kullesë, dasmën do ta bëja në shtëpi, jo në Kala. Po kullesa sa më shumë vrima, aq më e mirë është", më tha mami.

-Mirë ka thënë.

-Mirë, sigurisht. Po vrisja mendjen, ç'ka dashur të më thoshte. Pastaj i rashë hilesë. Më mirë po investoj në kullesë, se në tenxhere makaronash.

-Kush është tenxherja e makaronave, në këtë rast?

-Tenxherja është Bovilla pra. A thashë unë para zgjedhjeve që do të rris kapacitetin e saj me 30%...?

-Po e vërtetë, kështu thatë shoku Veliaj.

-E pra, nëse do të investoja në Bovillë, nuk do të fitoja shumë lekë. Në kullesë, domethëne në rrjet, fitoj më tepër. E kush e shikon kullesën sa vrima ka, më qafsh! Kush rri e bën bilancin se në ç'vrimë u bënë investimet. Kupton?

-Kuptova disi. Më thatë që janë shumë arsye...

-A po! Shiko! E ke parasysh Xhelalin ti? Atë Mziun?

-Po e kam. Është kryetar i Bashkisë së Kamzës.

-Është i fortë ai për zotin. Ka fituar gjithë ato herë. Ç'nuk bëmë neve, që ai të humbiste në zgjedhjet lokale. Prapë fitoi. E ka peng Edi që s'fitoi Rilindja në Kamëz. E ka pikë në zemër që s'fitoi Safeti. Gjici mundi Skënderbeun dhe Partizanin, e nuk mundi dot Xhelalin.

"Mos u mërzit, i thashë para disa ditësh. Zgjedhjet lokale po afrojnë. Di unë si të fitojmë edhe aty". Dhe bëra planin.

-Ku konsiston ky plan?

-Do ta bëjmë Kamzën, pjesë të Tiranës. Kot nuk kemi timonin neve. Së pari, do barazojmë çmimin e ujit këtu, do e bëjmë sa atje. Do t’ju themi kamzallinjve pastaj; A doni të bëheni pjesë e kryeqytetit, pra kryeqytetas? Në një diell jetojmë, në atë që tërheq me litar Rama. Ujë pimë njëlloj. Çmimin po njëlloj e paguajmë. Pse të mos doni...

-Po sikur të mos pranojnë?

-E kush nuk do të bëhet kryeqytetas mor plak. "Çun Tirone", siç thotë i madhi Edi. Pastaj, në mos të duan me hir, do të duan me pahir. Kot s'na e dha timonin populli ynë i mbetur në Shqipëri. Kështu, do t’i marrim PD-së edhe Kamzën.

Na del në ëndërr Xhelali mer plak. Duhet fshirë nga harta e bashkive Kamza, se po na bën me zemër Endri Fugën. Dhe kur bëhet keq Endri, bëhet edhe Edi. Tani largohuni, se do vesh pulovrën dhe do të dal nëpër Tiranë.

-Faleminderit shoku Veliaj për vërtetësinë e llafeve!

-Falenderoj edhe unë rubrikën tuaj dhe vazhdoni avazin...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: