“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Xhelal Mziu: Ne, demokratët, do dukeshim si dele, nëse...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Xhelal Mziu: Ne, demokratët, do dukeshim si dele, nëse...
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Xhelal Mziu: Ne, demokratët, do dukeshim si dele, nëse...

Në adresë të rubrikës sonë, ka mbërritur një letër e kryebashkiakut të Kamzës, zotit Mziu.

E falënderojmë personin në fjalë dhe i urojmë suksese në punë dhe betejat politike të radhës!

E nderuar, rubrika "Antena Jashtë Familjes"! Së pari, ju uroj për hapjen e rubrikës suaj.

Shpresoj të mos merreni vetëm me neve, "blutë". Jo se neve nuk kemi zullume, por për kokën e Sali Berishës, që ato janë më të pakta, krahasuar me ato të palës tjetër!

Mora shkak për t'ju kontaktuar, pasi mora vesh që një institucion qeveritar, më ka akuzuar se nuk kam prishur disa ndërtime në zonën e Kamzës. Po bëj publike arsyet.

E para: Unë akoma nuk kam mësuar hilenë e Edi Ramës, që të prish disa ndërtime të vogla, - se kështu i gëzohet syri njerëzve dhe mendojnë: Xhelali po punon... dhe në vend të tyre, të fus ndërtesa shumëkatëshe, - siç bënte Rama në Tiranë, - kur prishi kioskat dhe mbushi qytetin me pallate. Jo se unë nuk dua të ndërtoj pallate këtu në Kamzë. Edhe mua më hanë duart për lekë, si të gjithëve, por jam pa fatin e Ramës. Çmimi i pallateve këtu është i ulët, kështu që edhe po u dhashë leje ndërtuesve, - siç ju jepte Rama, - nuk është se fitoj shumë.

E dyta: Ndërtimet në Kamzë, nuk i prisha, pasi nuk ma bënte zemra. Kamzallinjtë i kanë ndërtuar ato me djersë. Ajo ka vaditur rrugët e Londrës dhe Berlinit. Kam frikë se, jo vetëm futem në mëkat nëse i prish, por futem edhe në hasmëri, me popujt britanikë dhe gjermanë të cilët kanë punësuar banorët e mi.

E treta dhe mendoj më kryesorja: Imagjinoni pak sikur të prishja ndërtesa në "Bulevardin Blu". Atëherë ai do humbiste identitetin e krijuar dhe nuk do të quhej më "Blu". Me heqjen e disa ndërtesave në fillim të bulevardit p.sh., nga "Blu", do të mbetej "Lu". Është marre me e qujt këtë bulevard me këtë emër! Dihet botërisht që Lu, nuk është Blu. E kam fjalën për Ambasadorin Amerikan, Lu. Ai është mavi dhe jo blu. Këtë e ka treguar shpesh. Para se të fitonte Donald Trump, se sa fitoi ai, i ra mavija Lu-së

Meqë ra llafi te Trump, i madhi i të mëdhenjve. Po shpjegoj për lexuesit tuaj, se përse nuk prisha ndërtesat te rruga "Trump". Nëse do prishja ndërtesat që janë në mes të kësaj rruge, do të kishim një situatë të tillë. Rruga nuk do të quhej më Trump. Me prishjen e atyre ndërtesave në mes të rrugës, ajo mund të kthehej fare mirë, në rrugën e quajtur - më fal për shprehjen - "Trap". Si mund ta lejojmë ne, shqiptarët, ta bëjmë këtë gjë për mikun tonë të shquar që, aq më tepër, është i djathtë si Sali Berisha.

E meqë ra llafi te i madhi i të mëdhenjve, z. Berisha. Sikur të prishja p.sh., ndërtesat në fund të rrugës, me emrin e tij të lavdishëm. Rruga nga "Berisha", do të quhej "Be". Do dukej sikur ne, demokratët, jemi dele që na fut në rresht vetëm doktor Berisha. Ky është një koncept shumë i gabuar për neve, i përhapur nga ne demokratikasit vetë.

Po kështu edhe me emrat lindorë p.sh., Rruga "Stambolli", - më fal për shprehjen, - por do të bëhej p.sh., "...boli", ndërkohë që në atë rrugë, asnjë nuk është i shëndoshë si bol. Nuk kisha përse krijoja imazh të kundërt për banorët e mi.

Po e mbyll letrën duke shpjeguar mos prishjen e ndërtesave te rruga "Demokracia". Nëse do të prishnim 70% të ndërtimeve aty në fillim të rrugës që ka emër me 10 shkronja, rrugës i binin automatikisht 7 germat e para. Rruga kështu nga "Demokracia", do të katandisej në "CIA".

Është turp për Sali Berishën dhe ne, demokratikasit, që "demokracia" të identifikohet me fjalën "CIA". Duket sikur demokracinë në vendin tonë, e solli spiunazhi amerikan, e nuk ishte vepër e z. Berisha dhe neve në krahë të tij.

Dhe së fundi: Faleminderit rubrikës suaj të pavarur, për botimin e këtij reagimi dhe ju lutem, merruni edhe me qeverinë, se mediat e tjera na e plasën shpirtin neve "bluve"!

Me respekt: Xhelali

Post Scriptum, This is Kamza!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: