“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Erion Veliaj: Ti mami je "Shefe Finance"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Erion Veliaj: Ti mami je "Shefe Finance"
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Zbulohet letra e Kryetarit të Bashkisë, dërguar mamit të tij

Erion Veliaj: Ti mami je "Shefe Finance"

Tek hyri më shtëpi, z.Veliaj, ish-kryetari i Organizatës "Mjaft" dhe tashmë i Bashkisë së Tiranës, pa këtë pusullë.

"Dëgjo këtu të keqen mami

...

Shefja jam vetëm unë"

(Letra dukej që ishte shkruar me të shpejtë, ndaj nuk mund të lexoheshin rreshtat e mesit.)

Pas kësaj letre të ndjerë, shkruar nga mami i tij, z. Erion Veliaj tentoi të telefononte. Pastaj u ul në tavolinë dhe i shkroi mamit këtë përgjigje:

E dashur mami! Të mora në telefon, por e kishe të mbyllur. U merakosa në fillim, por më qetësoi ndërgjegjja, e cila më tha se nuk do kesh drita që të karikosh baterinë e telefonit.

Ç'të bëjmë! Na ndau për së gjalli ai i paafti. As drita nuk sjell dot 24 orë. Do vijë dita që t’ia fus edhe atij, siç ja ngopa Nanos dhe socialistëve të tjerë.

Ta kam premtuar që do bëhem më i madhi në vend mami dhe ti e di që unë i nbaj premtimet.

Mami, të lutem mos u mërzit që i thashë te urimi për ditëlindjen, bashkëjetueses time "Shefe".

Ti e di, mami. Ajo është shefe, por vetëm shefe logjistike. Merret me pulovrat, pantallonat e mia...

Me rregullimin e krevatit. Le që me krevatin s'ka shumë punë, se nuk është se e prish shpesh.

Ty mami të kam "Shefe finance". Pa ty, e dinë gjithë njerëzit që më kanë votuar; jo dasmë me 1 mijë të ftuar që s'do kisha bërë dot, por as këto kullat që do fillojnë të ndërtohen në qendër të kryeqytetit, nuk do ishin ideuar.

Bashkëjetuesja ime ka vendin e saj në jetë, por kurrë nuk do mundet të bëhet si ti.

Ajo mund të jetë shefe e mirë në shtëpi, ama si ti mami "Shefe Finance" nuk bëhet dot.

Ti mami e ke të lindur financllëkun. Qetësohu mami e dashur! Ti je shefja e financës më e mira në vend, që njerëzit kanë njohur. Madje, jo vetëm në Shqipëri. Atë që ke bërë ti, s'e ka bërë asnjë mami në botë. Qetësohu Mami! Ti që me një pension kurseve 300 milionë lekë, si Jezusi që me dy peshq ushqeu 5 mijë vetë.

Mami, dje isha te një i moshuar që kishte bërë 16 vite burg në kohën e Enverit. E mban mend besoj kush ishte Enveri?! Ishte ai që kur unë isha i vogël në 1991, dolëm bashkë unë edhe ti dhe bërtisnim; "Duam bustin e Enverit!", se këta ish të burgosurit na i kishin rrëzuar shtatoren e tij. Mirë bën që e rrëzuan në fakt, se te ai vend bëra sheshin me pllaka unë dhe futa ca mijëra euro ne xhep.

Më iku mendja kur llafosa me atë plakun. Ishte edhe Pandi me mua. Pandi Majko pra, ai që qesh nga sikleti, se ja futi Rama.

Ai ish i burgosuri politik kishte dhënë të gjitha lekët e dëmshpërblimit, te një firmë ndërtimi që të rregullonte pallatin. E kishte bërë pallatin, si jashtë shtetit. Me suva të re, me dritare fringo. U habita kur e pashë.

Shyqyr që ka njerëz të tillë, o mami! E çuditshme me keta njerëz! Japin lekët e vuajtjeve të tyre, te të tjerët.

U drodha kur mendova se lekët që kishe kursyer ti nga pensioni, t'i jepje për bamirësi.

Isha te sheshpushimi i një kati, kur e mendova. M'u morën mendtë, e desh rashë.

U qyqja moj grua! Edhe ajo na duhej, që të japësh lekët e kursyera. Ti mami vazhdo kurse, se më duhet të mbaroj së ndërtuari atë vilën 250 mijë euro. Për të ndihmuar komunitetin, kemi këta ish të persekutuarit neve.

Atyre ja u ka hequr Enveri trurin fare.

Pse budallaqe është Nexhmija që mori dëmshpërblim vitet e burgut dhe nuk dha kokërr leku për sevap. Këta ish të persekutuarit duan të bëjnë të mira që t'ju shpërblehen në dynjanë tjetër. U sa gallatë...

16 vite burg kishte bërë ai plaku. Kur e takova dhe më tha se sa vite burg kishte bërë, desh më ra pika në kokë. Mendova dhe thashë me vete; "Po pse mor Enver, mor legen, që mos të bëftë Nexhmija prokopi! Po pse mor i dënoje kaq pak njerëzit!"

Sikur ai plaku të kishte bërë 45 vite burg, do ishte më mirë, jo vetët për komunitetin, por edhe për mua.

Imagjino mami, ai me 16 vite burg bëri të bukur një pallat. Sikur të kishte bërë 45 vite burg, do kishte ndërtuar dy pallate e ca ballkone nga pallati i tretë.

Mami, po e mbyll letrën, se më duhet të dal për një inspektim rruge.

Tamam, tamam rrugice...

Të puth o "Shefja ime e Financës!"

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: