ARRATISJE NGA ALEATËT – NGA FRROK ÇUPI

ARRATISJE NGA ALEATËT – NGA FRROK ÇUPI
NGA FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të vetmit që kanë mbetur ‘pa mendje’ pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit parlamentare, janë aleatët perëndimorë. Votuesit shqiptarë, qoftë edhe militantë të PD-së, në fund të fundit, e njohin më mirë ‘dredhinë’ dhe kësaj here u zhvendosën nga ‘vala e zhgënjimit’ në një realitet të padëshiruar.

Problemi mbeti me aleatët perëndimorë.

Raportet e aleatëve me Partinë Demokratike, kaluan tre faza, të paktën. Them se kaluan tre faza brenda periudhës së shkurtër që nga zgjedhja e presidentit Trump në krye të Shteteve të Bashkuara e deri në ditën e 25 qershorit kur u zhvilluan votimet për Parlamentin e ri.

Faza e parë:

Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara, i shokoi politikanët në Shqipëri, madje edhe vetë ‘djathtistët’ e përfaqësuar nga Partia Demokratike. Liderët e Partisë Demokratike (e djathtë) i kishin duart e zëna me zonjën Hillary dhe John Podestan e as mund të mendonin mbi mundësinë e fitores së kundërshtarit 'të bërë vetë' Donald Trump. Mëngjesi i 9 Nëntorit 2016, kur u shpall fitorja e Donald Trump, ra si bombë në oborrin e Partisë Demokratike në Tiranë. Edhe pse bota e kishte pranuar fitoren e Trump, në PD nuk besohej akoma. Më kanë thënë se kryetari i PD-së, Basha, i shikonte njerëzit në sy dhe thoshte: “Paj jo ore, jo, nuk fiton, sapo biseduam me Podestën”... Që nga fitorja e Trump e deri në ditët kur opozita vendosi të ngujohet në çadrën e protestës për ‘zgjedhje’ të ndershme, u konstatua si një periudhë ‘e ngrirë’ mes të djathtëve në Tiranë dhe atyre konservatorë në Amerikë. Asgjë nuk dihej se ç'lidhje kishin e çfarë mendonin për njëri- tjetrin. Procesi i 'Brexit' që kishte ndodhur në Britani, as i kishte bindur këta këtu për një ‘sinjal të madh’ se bota po ndryshonte. Këta i bindeshin establishmentit të vjetër dhe ‘politikave korrekte’ që në Europë po binin.

Gjatë periudhës së ‘vegjetacionit', të fitores së 'Brexit' dhe Trump, u shfaqën përpjekjet e një partie të spektrit të majtë (LSI) që tentoi të krijojë ura me administratën e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bshkuara. Por nga Uashingtoni nuk u shfaqen sinjale ‘jete’ as në drejtim të LSI-së dhe as të PD-së.

Faza e dytë:

Kur kujtoj 18 shkurtin e protestës, që nisi pa asnjë slogan të inspiruar nga fryma konservatore e Brexit dhe Trump, më duket se ndodhem përsëri në oborrin e PD-së ku ra 'bomba' e fitores së Trump. Por në momentin që po ngrihej Çadra, ndryshoi gjithçka në pamjen e vëzhguesve që po kërkonin ‘ku rri PD, në cilën hapësirë politike?”. Fakti që PD-ja vendosi të rezistojë për qëllimin e zgjedhjeve të lira, dukej pak a shumë  si një spektër konservatorësh. Pak nga pak, kur Çadra nisi të mbajë banorë për kohë të gjatë, atëherë po kërkohej edhe më shumë aleancë me jashtë. Në 'Çadrën e Lirisë' erdhën dhe folën përfaqësues djathtistë të fuqishëm, që nga republikanët e Donald Trump, deri tek i dërguari i Victor Orban në Hungari. Vetë kryetari i PD-së, Basha, ligjëroi fraza të shkurtra nga doktrina e Trump, si ‘asgjë nuk do të jetë siç është’ dhe se ‘përkrah nesh është Amerika e Trump’ etj. Megjithëse emri i presidentit amerikan u përmend shumë rrallë dhe ‘Brexit’ asnjëherë. Asnjëherë nuk u përmendën as lëvizjet populiste të Europës Perëndimore...

Sidoqoftë, kjo është faza kur demokratët, të djathtët dhe konservatorët, menduan se Lëvizja është e lidhur me lëvizjet e reja konservatore në Perëndim. Në këtë shtyllë ishte mbështetur edhe ideja më brilante e demokratëve se ‘edhe sikur të humbim në zgjedhje, kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që PD-ja zuri vendin e aleatit të konservatorëve në Perëndim”.

Faza e tretë:

Rënia e ‘kështjellës prej rëre’. Gjithçka dukej si ‘në aleancë me konservatorët e Perëndimit’ u rrëzua natën e 18 Majit, kur kryetari i PD-së, Basha, hyri në marrëveshje të fshehta me majtistët në qeveri. Kjo nuk ka ndodhur në historinë e konservatorëve dhe nuk mund të quhet kurrë më konservatorizëm.

Kryetari i PD-së, Basha, nisi ‘keqpërdorimin’ e aleatëve konservatorë të Perëndimit. Udhëtimi i tij drejt Uashingtonit për ‘një foto pa fjalë’ me presidentin Trump, duket se u bë me qëllim që të shfaqej si ‘trumpist’, por nga ana tjetër, të funksiononte në aleanca me majtistët liberalë të frymëzuar nga George Sorors. Foto e Trump në mitingje në kurriz të militantëve, u përdor si ‘lëkura e qengjit’ për të mashtruar djathtistët... Vetë ekipi i këshilltarëve amerikanë i Bashës ishte kompozuar me anëtarë të kompanive të John Podestës dhe Soros, asnjë prej tyre nuk kishte votuar për Trump në Amerikë,  deklaruan ata... Soros është një multimiliarder amerikan, me paratë e të cilit është ndezur Amerika me protesta të dhunshme kundër Trump. Gjithashtu, është frymëzuesi dhe financuesi i një të majte post-komuniste në Europën Juglindore. Në politikën shqiptare janë zbuluar lidhje të fuqishme. Gjithashtu, ka të dhëna se vetë kryetari i PD-së, Basha, është një ‘student’ i tij. Marrëveshja e fshehtë me kryetarin e të majtës, Rama, me siguri ka Soros-in si kumbar. Ky ishte momenti i fundit i shpresës se Basha mund të jetë një djathtist... Por PD-ja u ndodh në një mëdyshje hermafroditi: As kështu, as ashtu! Përpjekjet e Bashës për të qëndruar në krye të PD-së janë qartë përpjekje të së majtës për të mbajtur të djathtën në kafaz si ‘liberale majtiste’.

Çështja është se si mbetën konservatorët e Perëndimit pa aleancë në Shqipëri... Ata u tradhtuan dhe u braktisën nga partia ku shpresonin në Shqipëri.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

 Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: