Art në gjurmët e prindit...

Art në gjurmët e prindit...
 

Nga Juela Meçani

Në gjurmët e prindit të famshëm në art, nuk duam shpesh të ecim. Të kesh mbi kokë një emër të madh të babait ose nënës, e bën fëmijën rebel, por talenti është aty. Duhet shumë punë dhe individualitet që, në mos të zëvendësosh e të arrish, t’i afrohesh famës së prindit aktor ose këngëtar të njohur, pa u paragjykuar. Gjithsesi, skena ose ekrani ynë kanë raste plot, e janë të suksesshme, që japin shpresë, se trashëgimia e talentit është e mundur dhe duhet përkrahur. Ja disa prej tyre, në një vëzhgim nga Albanian Free Press.

 

Ferdinand Deda dhe Elton Deda

Të gjithë e pranojmë, Ferdinad Deda, - kompozitori dhe dirigjenti i madh, - me veprën e tij ka lënë një gjurmë të pashlyer në artin shqiptar. Por ka lënë pas dhe një djalë artist, i cili është një ndër kantautorët më të njohur të muzikës shqiptare. Dikur, shkopi i Ferdinand Dedës ishte shkopi magjik i skenave shqiptare; sot, me këngët e të birit, Elton Deda, janë ndarë, lidhur ose dashuruar tre breza të rinjsh.

Alfred Kaçinari dhe Gjergj Kaçinari

Gjergji nuk u bë kompozitor dhe orkestrues në stilin e të atit. Alfred Kaçinari është një nga kompozitorët dhe orkestruesit më të njohur që kemi në aktivitet. Gjergji, një djalë edhe rebel edhe i ëmbël, me një stil vetëm të tijin. E ardhmja e tij i takon muzikës live dhe rrokut, ndërkohë është ndër djemtë më të lakmuar nga vajzat, mes artistëve shqiptarë.

Anita Take dhe Kujtim Prodani

Kur u nda nga jeta këngëtarja e mirënjohur, Anita Take, të gjithëve na u duk sikur një epokë e muzikës shqiptare u mbyll. Si Anita nuk kishte të dytë, në stil, ëmbëlsi, fisnikëri. Por nëna Anitë, ka lënë një trashëgimi të vyer në jetë, djalin e saj, kantautorin Kujtim Prodani. Ashtu si e ëma, djali parapëlqen të këndojë live dhe vetëm muzikë të mirë, - paçka se jo komerciale. Klasi nuk është ujë!

 

Avni Mula dhe Inva Mula

Një nga tenorët më të njohur të operës shqiptare, korife i muzikës operistike! Këngët e tij edhe sot, janë një lloj himni për shqiptarët. Në fillimet e saj, vajza e tij bukuroshe me sy të kaltër, si nëna e saj ruse, - edhe ajo këngëtare lirike, - kishte një zë “të vogël” e pak kush besonte se një ditë do të bëhej këngëtarja më e njohur në operën shqiptare dhe nga zërat më të vlerësuar në botë!

 

Gaqo Çako dhe Pirro Çako

“Artisti i Popullit”, Gaqo Cako, - tenori i famshëm shqiptar, - me siguri është ndier tepër krenar për këngët hit të të birit, kantautorit Pirro Çako. Pavarësisht se ka zgjedhur plotësisht një zhanër tjetër dhe nuk ka vokalin e fuqishëm të të atit, Pirro ka trashëguar sharmin dhe elegancën e tij, në veshje dhe në këngë.

 

Zef Deda dhe Julian Deda

Me siguri do të jetë rritur në mes të gjithë të mirave dhe në mes të humorit, Julian Deda. Dy prindër shkodranë, por mbi të gjitha, një baba ndër aktorët e humorit më të njohur në Shqipëri. Julian Deda është shprehur se nuk donte të bëhej aktor, por e kishte në gen. Ndërsa edhe sot, ati i tij, - Zef Deda, - është nga kritikët e tij më të mëdhenj.

Luftar Paja dhe Gaz Paja

Ashtu si në familjen Deda, këtë radhë në jug të vendit, djali i vogël Gaz Paja ngjau nga i ati, - aktori i mirënjohur i kinemasë dhe teatrit shqiptar, një profesor i shquar i aktrimit gjithashtu, Luftar Paja. Ja që ndodhi, të dy atë e bir, i bashkon sot skena dhe humori.

Osman Mula dhe Evis Mula

Ai është artist poliedrik, kompozitor, instrumentist, autor tekstesh, regjisor spektaklesh dhe emisionesh televizivë. Osman Mula e mbante me vete të bijën, kudo në aktivitetet artistike. Ajo thithi shumë nga arti i të atit. Por shpërtheu me një zë operistik të jashtëzakonshëm e sot, Evis Mula performon në “La scala”.

Ferdinand Radi dhe Rozana Radi

Lidhjen e fortë me të atin, aktorin e ndjerë Ferdinand Radi, Rozana e ka shumë për zemër. Ata ngjajnë edhe fizikisht shumë. Por i ati, aktor karakterial i shumë roleve, i ka ndenjur afër së bijës, në të gjithë zhvillimin e saj drejt muzikës, aktrimit, interpretimit, që në moshën 16-vjeçare kur shkeli skenat për herë të parë.

Bujar Lako dhe Bojken Lako

Bujar Lako, aktor emblematik i dhjetëra filmave të suksesshëm, i cili u largua shpejt nga kjo botë, la pas një figurë me peshë të madhe, e vështirë të zëvendësueshme! Por Bojken Lako këtë e dinte, që kur studionte për piano në shkollën tetëvjeçare. Sapo arti theu barrierat dhe erdhën vitet ’90, Bojken Lako doli në pah. Me grupet muzikore të stileve shumë të spikatura, me zë unik, të cilin e shfrytëzoi edhe në radio. Sot, Bojken Lako është nga artistët më të njohur e të pëlqyer në televizion dhe në skenë. Një sukses i madh edhe për të atin e tij!

Margarita Xhepa dhe Ndriçim Xhepa

E madhja Margaritë, aktorja e mirënjohur e filmit dhe teatrit, suksesin e saj më të madh në jetë, me siguri, do të quante djemtë e saj! Por ai që më së shumti njihet, sepse është aktor i njohur dhe i suksesshëm, është Ndriçim Xhepa. Ngjajnë fizikisht, në plastikë, në zë. Është një nga rastet, jo kaq të shpeshta, ku në të njëjtin profesion e pasion, nënë e bir, kanë të njëjtin nivel të përsosmërisë së performancës.

Yllka Muja dhe Amos Zaharia

Amosi ka sytë e bukur të së ëmës. E motra zgjodhi të ishte princeshë, Amosi zgjodhi të ishte si nëna e tij, aktor. Ashtu si e mirënjohura, Yllka Mujo, madje, zgjodhi edhe të ishte jo vetëm i pashëm, por edhe shumë i talentuar. Amos Zaharia e ka karrierën përpara, por rolet e tij premtojnë shumë.

Sabri Fejzullahu dhe Ermal Fejzullahu

Kur doli për herë të parë të këndonte, Ermal Fejzullahu, pamë një djalë të dobët, por me zë brilant. Kishim shumë e shumë vite që ndiqnim karrierën në ngjitje të të atit, një nga këngëtarët më të njohur të Kosovës. Sabri Fejzullahu ka kaluar zërin e tij në duar të sigurta, tek një djalë i cili nuk po njeh asnjë dështim e del me hite verë e dimër. Por edhe i ati nuk mbetet pas, madje në toplista janë shpesh në garë, por pozitiv.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: