Bankat, më pak degë nëpër rrethe se dikur

Bankat, më pak degë nëpër rrethe se dikur
Bankat e nivelit të dytë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, tashmë kanë më pak degë sesa kanë qenë dikur të shpërndara nëpër territorin e saj. Kjo dukuri bie në sy nga të dhënat krahasimore të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se në fund të vitit të kaluar, në rang vendi numëroheshin 463 të tilla. Shifër kjo, e cila në vitin pararendës 2015 në fakt ka qenë më e lartë, deri 500 degë bankash që u shërbenin shqiptarëve në çdo skaj të vendit. Apo krahasuar edhe me nivelin maksimal të tyre, që ka qenë pikërisht ai i arritur në periudhën e viteve 2011-2012, kur numëroheshin plot 534 degë bankash funksionale. Për të treguar kështu, se pas këtij “boom”-i, bankat kanë nisur të tregohen më të kujdesshme me hapjen e degëve të reja, madje duke reduktuar disa prej atyre ekzistueseve. “Struktura e sistemit bankar dhe financiar në fund të vitit 2016 përbëhet nga 16 banka, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë nëpërmjet 493 degëve/agjencive të shtrira brenda territorit të vendit”, citon saktësisht Banka e Shqipërisë lidhur me situatën ekzistuese të shpërndarjes së bankave në vend. Duke shtuar këtu faktin se “ndërkohë, vetëm një bankë vijon të ketë një degë jashtë territorit të Shqipërisë”. Më tej, ekspertët sqarojnë se degët më të shumta të bankave vazhdojnë që të jenë në kryeqytetin e vendit, deri në nivelin prej 42%, aty ku edhe përqendrimi i popullsisë shqiptare është më i madh, rreth 30%. Sipas tyre, shpërndarja e degëve dhe agjencive bankare sipas rajoneve është në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë, duke dhënë në këtë rast shifrën prej vetëm 3% të degëve të totalit të bankave që operojnë aktualisht në Prefekturën e Kukësit, aty ku edhe popullsia llogaritet që të jetë vetëm 3% e totalit në rang vendi.

Në bankat që veprojnë në Shqipëri, vazhdon të dominojë kapitali i huaj

Bankat që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, vazhdojnë në jenë të dominuara nga kapitali i huaj që financohet nga jashtë vendit. Kjo, edhe pse gjatë vitit të kaluar, është shënuar një rënie e tij. Dukuria konfirmohet nga ekspertët e bankës qendrore në vend, sipas të cilëve, “kapitali i huaj, në fund të vitit 2016 përfaqëson rreth 88.50% të kapitalit të paguar të sistemit bankar”. Për të shtuar se rënia e këtij të fundit ka qenë në nivelin prej rreth -0.55% kundrejt fundit të vitit 2015. Ndërsa nëse do t’i referoheshim hartës së vendeve se nga vjen ky kapital, ajo tregon se rreth 30% e tij është kapital turk. Pasuar nga kapitali austriak, i cili është thuajse në të njëjtin nivel me atë italian, respektivisht në shifrat prej 15.84% dhe 15.82%. E pas tyre, mund të thuhet se renditet kapitali i bankave që financohet nga shteti fqinj Greqia, 13.31%. Kurse sa i përket kapitalit shqiptar, ai zotëron një nivel prej rreth 11.50% të totalit. Në fund, listën e renditjes së vendeve prej nga vjen kapitali i bankave e përmbyll Franca, me 5.23%, si edhe grupimi i vendeve që nuk janë të Bashkimit Evropian, përkatësisht në nivelin prej 1.39%.

Shtohen kërkesat për “Exchange”, vjet 31 zyra të këmbimit valutor më shumë në rang vendi

 Po pakësohen degët e bankave, por po shtohen zyrat e këmbimit valutor. Kjo është një dukuri tjetër që vihet re lidhur me strukturën e sistemit bankar dhe financiar në rang vendi. E konstatuar në të dhënat më të fundit të bankës qendrore, ajo referon se të ashtuquajturat “Exchange” po njohin gjithmonë e më shumë një shpërndarje të madhe në territorin e Shqipërisë. Konkretisht, viti 2016 u shoqërua me një ritëm pozitiv në shtimin e kërkesave të subjekteve për ushtrimin e veprimtarisë financiare të këmbimit valutor, citojnë ekspertët. “Në fund të këtij viti, numri i zyrave të këmbimit valutor arriti në 428 ose 31 zyra këmbimi valutor më shumë se vitin e kaluar”, pohojnë ata. Duke shtuar këtu edhe faktin se vetëm gjatë vitit të kaluar u dhanë 39 licenca të reja, sikundër edhe u revokuan me kërkesë të vetë subjekteve 8 licenca për veprimtaritë e këmbimit valutor. “Gjithashtu, miratime u dhanë edhe për zgjerimin e veprimtarisë së zyrave të këmbimit valutor të licencuara nëpërmjet hapjes së zyrave të reja dhe punësimit të kambistëve të rinj”, citon gjithashtu BSH-ja. Për të detajuar më tej, se zyrat “Exchange”  Zyrat e këmbimit valutor janë të lokalizuara dhe ushtrojnë veprimtarinë në qytetet kryesore të vendit, si dhe evidentohet përqendrimi më i madh i tyre në qytetin e Tiranës. Zgjerimi i shtrirjes gjeografike të subjekteve të licencuara për zyra të këmbimit valutor, përfshiu 14 qytete të vendit, ku vetëm qyteti i Tiranës vazhdon të dominojë me 41% të totalit të rritjes, si dhe qyteti i Fierit me 10% të rritjes së numrit të zyrave të këmbimit valutor.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: