Basha në Vlorë, krahason zgjedhjet e 25 qershorit me ato të vitit 1991

Basha në Vlorë, krahason zgjedhjet e 25 qershorit me ato të vitit 1991
Kryetari i ngrirë i PD, Lulzim Basha ka vijuar turin e tij të takimeve në Sarandë, Selenicë, Himarë dhe Vlorë ku zhvilloi takime me anëtarësinë e PD. Basha tha para demokratëve se zgjedhjet e 25 qershorit nuk ishin të lira e demokratike dhe se sipas tij PD tregoi se është e vetmja forcë që nuk bën pakt me krimin, që nuk u përlye në shitblerjen e votës, pra e vetmja forcë që ka moralin sot ta vazhdojë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme.

Basha i krahasoi zgjedhjet me ato të vitit 1991.

“Këto kanë qenë katër vite përballje të ditë përditshme, duke nisur me luftën tonë për dekriminaliizmin e institucioneve, luftën kundër drogës që erdhi si projekt sa i kriminelëve në pushtet, aq i Edi Ramës, si një projekt politik dhe natyrisht, betejën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme. Anembanë Shqipërisë me përmasa të papara dhe dëgjuara ndonjëherë, me shtrirje kapilare dhe shumat më të larta të shpenzuara, Partia Socialiste dhe parti të tjera të pushtetit u angazhuan masivisht në shitblerjen e votës. Ne ishim e vetmja forcë politike që bëmë një fushatë qytetare, europiane, me një ofertë për qytetarët. Njësoj si në vitin 1991, kjo nuk mjaftoi. Sepse njësoj si atëherë, faktorët që vendosën nuk ishin votat dhe vullneti i shqiptarëve, por tjetërsimi i këtij vullneti duke përdorur frikën, dëshpërimin, dhe varfërinë e thelluar nga kjo qeveri për të blerë vota, për të kërcënuar dhe shantazhuar votuesit dhe për të tjetërsuar rezultatin”, u shpreh Basha.

/f.ç/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: