BASHA-SELAMI, DUELI I HESHTUR PËRPARA STUHISË- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

BASHA-SELAMI, DUELI I HESHTUR PËRPARA STUHISË- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Lulzim Basha e ka lënë veten në hije. Nuk del më në emisione televizive, që, para 25 qershorit, ia caktonin një e më një, - ditën, orën, vendin dhe mënyrën direkt ose me regjistrim. Madje, i caktonin edhe studion e preferuar, edhe gazetarin e preferuar edhe pyetjet e preferuara. Preferenca e tij tani, janë vetëm takime me anëtarësinë të cilat në televizione dalin vetëm në edicionin e lajmeve si kronika 1.5-minutëshe. Duket sikur ai po e vazhdon aty ku e la, por shoqëruar me dilema të mëdha. I pëlqen epoka e çadrës, por stepet kur kujton se me sa turp e mbylli aksionin e tij më të mirë politik, me atë marrëveshje 5-orëshe, kokë më kokë, me Ramën më 18 maj. Debatet me kundërshtarin në salla të çuditshme, me spektatorë të çuditshëm, kanë pak ose aspak entuziazëm. Thjesht, ai po bën një fushatë si të ishte me silenciator.

Nga ana tjetër, për herë të parë që nga mbërritja nga SHBA në pranverën e 2012, Eduard Selami po bën protagonistin. Shqisat dhe reflekset e viteve 1990-1995, i janë zgjuar dhe dalëngadalë, statura e tij po ringrihet. Të gjithë e duan në ekrane dhe për të gjithë gazetarët përbën lajm, këtë verë pa lajme. Zyrtarisht amerikan dhe shqiptar njëkohësisht, edhe në këtë fushatë ai shfaqet i tillë. Megjithatë, ky duket një Eduard shumë larg atij që ne njohëm 22 vjet më parë kur ngriti zërin me një platformë që e kundërshtuan fort, duke e shkarkuar turpshëm për të gjithë, por kur iku e zbatuan pikë për pikë. Nuk ka ndonjë vizion të qartë për drejtimin e PD-së, nuk ka mbështetje, por me sigurinë e humbjes në xhep, ai ka vetëm një fitore të sigurt: Pas 4 viteve nga rikthimi, ajo çka po bën ai, është lajm i parë në media.

Nga e gjithë kjo panoramë, garës mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit i shkon përshtat titulli, por jo përmbajta e filmit të realizimit socialist, “Duel i heshtur”.  Edhe pse në film ishin katër personazhe kryesorë që luftuan për t’u arratisur dhe penguar arratisjen me një anije, regjisori zgjodhi si titull sikur lufta të zhvillohej mes dy personazheve. Simbolikisht, gati kështu po ndodh edhe në garën e PD-së. Ndonëse kemi Lulzim Bashën, Eduard Selamin, Sali Berishën dhe Astrit Patozin i cili përfaqëson një grup senatorësh, në fakt, gara zyrtare është mes Bashës dhe Selamit.

E vetmja arsye është se kjo garë nuk pritet të prodhojë gjë. Fituesi është i ditur dhe që nga e shtuna e 22 korrikut, Lulzim Basha do të marrë edhe një mandat të dytë për të drejtuar Partinë Demokratike, ndërsa Eduard Selami thjesht do të fusë veten në historikun e Partisë Demokratike, se konkurroi për të qenë kryetar për herë të dytë në karrierën e tij.

Edhe më entuziasti nuk mendon kurrë, se Selami ka shanse se do jetë ai fituesi. Kjo garë i ngjan betejës së Ramiz Alisë me Namik Doklen, në garën për President në vitin 1991. Kjo garë i ngjan edhe betejës mes Sali Berishës dhe Uran Butkës për kryetar të PD-së. I ngjan dhe garës për kryetar të LSI-së mes Ilir Metës dhe Luan Ramës, i ngjan edhe garës për kryetar të PS-së mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit.

Më shumë se sa kjo garë, të gjithë, - si në PD, por edhe jashtë saj, - janë të shqetësuar për të ardhmen e kësaj partie. Me shumë të drejtë, Arbi Agalliu, një nga koordinatorët e kësaj partie, tha një javë më parë se Basha ka edhe 500 ditë kohë si kryetar, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Nëse ato nuk do jenë në një rezultat që perceptojnë fitore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, ai patjetër që duhet te largohet.

Por me Selamin në humbje, ç’do bëhet? Gojët e liga ia kanë gjetur vendin, duke aluduar se ai do të pozicionet si Sekretar i Përgjithshëm, në vend të Arben Ristanit. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, humbja e tij nuk do të ishte thjesht një humbje, por një katastrofë personale e vlerave më të mira që ai gëzon. Por, nëse Selami e hedh poshtë këtë skenar, padyshim që ai do të rrisë kuotat e veta në politikë dhe nuk është çudi që, në të ardhmen, të jetë një nga personazhet më protagonistë në PD. Gjithçka varet në dorën e tij.

Një tjetër çështje në këtë garë dhe të ardhmen e PD-së, ka të bëjë me heshtjen prej sfinksi të Sali Berishës. Sa e sa herë janë përpjekur demokratët senatorë ta nxisin atë për të ndërhyrë, në këtë që ata e quajnë katrahurë dhe marrje peng të PD-së nga Basha. Më larg akoma shkoi Jozefina Topalli e cila, në emisionin “Debati në Channel One”, tha se Basha ia kaloi edhe Enver Hoxhës, sepse të paktën formalisht ai mblidhte Byronë Politike kur merrte një vendim. E megjithatë, edhe pas kësaj deklarate, Berisha heshti duke bërë që Topalli të nisë dyshimet dhe ndaj idhullit të saj.

Si përfundim, e gjithë kjo fushatë gjithë qetësi, duket si deti përpara stuhisë. Më 22 korrik, vërtet do të kemi një kryetar që do fitojë një mandat të dytë në krye të PD-së. Por pas kësaj date, mund të kemi një stuhi vere që do t’ia rrezikojë seriozisht këtë mandat. Tani, mes Bashës dhe Selamit kemi thjesht një duel të heshtur, natyrisht përpara stuhisë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: