Betimi / Ilir Meta, zyrtarisht President i Republikës dhe garant i Kushtetutës

Betimi / Ilir Meta, zyrtarisht President i Republikës dhe garant i Kushtetutës
Ilir Meta ka marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit.

Pas leximit të formulës nga nënkryetarja Valentina Leskaj, Meta u betua si kreu i shtetit.

Më pas ai mbajti një fjalë të shkurtër para deputetëve të Kuvendit.

“Me ndjenjën e mirënjohjes për ju dhe për të gjithë shqiptarët të cilët presin më shumë nga ne dua t’ju siguroj se për Presidentin e ri Shqipëria dhe Demokracia do jenë gjithnjë të parat.

Plot 25 vjet më parë u zgjodha deputet në këtë Kuvend dhe sot më duhet të ndahem me jetën time parlamentare për të përmbushur një përgjegjësi të re dhe lartë, por i bindur në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Kuvendin në të ardhmen. Në 25 vjet kam qenë pjesë aktive e opozitës dhe mazhorancës. Kam përfaqësuar 2 forca politike në detyrat nga më të rëndësishmet. Kam qenë në vijën e parë të ballafaqimit politik por edhe të përpjekjeve për konsensus, por edhe realizimin e marrëveshjeve të rëndësishme për stabiltetin dhe të ardhmen europiane të vendit.  Ashtu si 27 vjet më parë isha pjesë e lëvizjes studentore, thirrja e së cilës ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’ mbetet akoma një projekt i pambaruar”, tha Meta në fjalën e tij.

Presidenti i deklaroi se kushtetutshmëria dhe respektimi i shtetit të së drejtës do të jenë referenca kryesore në ushtrimin e detyrës për pesë vitet e ardhshme.

“Do t’i shërbej konsensusit, bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes dhe sidomos të avancimit të reformave që e bëjnë vendin tonë më demokratik, më të begatë dhe më shumë europian”, tha ai.

Meta u ndal tek reforma në drejtësi ku përmendi se në rolin e ri si President i vendit, do të kontribuonte në avancimin dhe zbatimin e plotë të saj.

Në orën 19:00, kreu i sapobetuar i shtetit do të drejtohet për në Presidencë, ku kanë përfunduar përgatitjet për të pritur pjesëmarrësit e ftuar në ceremoni.

Agjenda zyrtare parashikon në orën 19:25 pritjen nga Bujar Nishani në hyrje të Presidencës, e më pas të dy do të zhvillojnë një takim të shkurtër në zyrën e Presidentit të Republikës.

Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. /l.k/

(Foto: Google)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: