Betohet Meta, hyn zyrtarisht në Presidencë

Betohet Meta, hyn zyrtarisht në Presidencë
Detajet e ceremonisë që filloi në sallën e Kuvendit dhe përfundoi me të shtëna topi në selinë e kryetarit të Shtetit. Basha eviton të takojë Metën, Rama vjen me atlete

Ilir Meta është betuar zyrtarisht si President i Republikës dhe ka marrë në dorë drejtimin e institucionit më të lartë të shtetit.

Në sallën e Kuvendit, ku u zhvillua ceremonia e betimit, ishin të pranishëm ministra dhe deputetë të Kuvendit që tashmë i ka mbyllur punimet.

Në lozha kishin mbërritur edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe komuniteteve fetare. Një lozhë e posaçme ishte rezervuar për familjen e Presidentit të ri, në të cilën ishin ulur dy vajzat e Metës, Era dhe Bora. Bashkëshortja e Presidentit Meta, njëkohësisht kryetare e LSI-së, ishte ulur në karrigen e saj të deputetit, së bashku me deputetët e partisë që drejtoi Ilir Meta deri në prill të këtij viti.

Kryeministri Rama mbërriti me vonesë, i veshur me kostum dhe atlete të bardha.

Seanca u drejtua nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, ndërsa

Presidenti Meta mbajti një fjalim menjëherë pas betimit, ku theksoi “vullnetin e hekurt për të respektuar në germë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë” dhe për të përmbushur gjithë përgjegjësitë kushtetuese.

“Vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje se me zemër sepse opozita nuk ishte këtu, por sot ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër. Në ushtrimin e kësaj përgjegjësia do udhëhiqem nga dashuria e pakufishme për Shqipërinë dhe shqiptarët duke lënë pas çdo debat për t’iu përgjigjur detyrës si president i Republikës.”, tha Meta.

Pas fjalimit, Meta u ndal gjatë për të shtrënguar duart me ish-Kryeministrin Berisha, ndërsa ra në sy fakti se evitoi Kryeministrin Rama.

Ceremonia vijoi në Presidencë, ku Presidenti në ikje, Bujar Nishani, priti në zyrë në një takim kortezhe Presidentin e ri. Përpara fjalimit në sheshin përpara Presidencës, Metës iu dorëzua Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Ndërsa e kishte evituar në sallën e Kuvendit, Presidenti i ri shtrëngoi duart edhe me Kryeministrin Rama në Presidencë. Këtë herë, ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që u largua pa takuar Metën.

Pas fjalimit, në mënyrë simbolike, Presidenti i ri përcolli paraardhësin e tij, Bujar Nishani, i cili u largua së bashku me familjen.

Garda e Republikës kreu parakalimin ceremonial, i shoqëruar me 21 të shtëna me top. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: