Bitcoin, BSH: Ligji nuk parashikon veprime me paranë virtuale

Bitcoin, BSH: Ligji nuk parashikon veprime me paranë virtuale
“Duke marrë shkas nga interesimi mediatik dhe nga ai i publikut të gjerë më në veçanti, në lidhje me blerjen, zotërimin apo tregtimin e mundshëm të parave virtuale, të tilla si BITCOIN, Banka e Shqipërisë e gjen me vend të sjellë në vëmendjen e opinionit publik se kuadri ligjor në fuqi dhe ai rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri”.

Kështu komenton Banka e Shqipërisë në një deklaratë të saj lidhur me përdorimin e parasë virtuale, duke sqaruar se ajo vetë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë.

“Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë”, cilëson gjithashtu BSH-ja. /n.e/

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: