Christian Panucci, premtimet e para kuqezi: Në luftë me ushtarët më të mirë

Christian Panucci, premtimet e para kuqezi: Në luftë me ushtarët më të mirë
Christian Panucci, ish-mbrojtësi i shquar i Italisë dhe i disa ekipeve të mëdha të kontinentit tonë, si Milan e Real Madrid, merr zyrtarisht drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë deri në mbyllje të kualifikueseve të Euro 2020, me objektiv kryesor kualifikimin në finalet e këtij Europiani.

Në rast kualifikimi parashikohet rinovimi automatikisht i kontratës, ashtu si me Gianni de Biasi pas Euro 2016.

Ka nisur kësisoj një cikël i ri, një epokë e re për Kombëtaren Shqiptare, me një trajner tjetër italian, që si lojtar ka qenë padyshim dy dekada më parë një ndër emrat më të mëdhenj të futbollit evropian dhe atij botëror.

Trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Panucci, sapo u prezantua nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk e fshehu entuziazmin e tij, duke bërë disa premtime, sigurisht, jo boshe. Së pari ai tha se ka ardhur për kualifikimin e Shqipërisë në finalet “Euro 2020”. Gjithashtu shqipen pranoi se e ka të vështirë ta mësojë, por premtoi se do t'i mësojë disa fjalë shqip. Himnin kombëtar tha se do ta mësojë patjetër, madje shumë shpejt. Panucci do të debutojë në një ndeshje zyrtare më 2 shtator në Shkodër ndaj Lihtenshejnit, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”. Më pas, për këtë vit e presin edhe tre sfida të tjera, me Maqedoninë, Spanjën dhe me Italinë. Ndeshja e fundit me Italinë e tij luhet në muajin tetor, kur edhe mbyllet fushata e kualifikueseve të botërorit rus. - “Jam italian por si trajner i Shqipërisë dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet, edhe ndaj Italisë, sepse kur drejtoj në fushë nuk njoh as babain tim,” theksoi Christian Panucci. Shqipëria pozicionohet aktualisht e treta në Grupin G, 7 pikë pas Spanjës e Italisë, dhe ka sy synim të ruajë këto pozita deri në përballjen e fundit me "azurrët".

Christian Panucci, 44-vjeç, fitoi garën ndaj dy kandidaturave të mbetura në fund, Clarence Seedorf dhe Luigi de Canio.

Presidenti Armand Duka gjatë prezantimit tha se ia beson stolin e ekipit Kombëtar një emri me peshë në futbollin italian dhe atë evropian. Kreu i federatës beson se ka bërë zgjedhjen më të mirë dhe se Christian Panucci është njeriu i duhur për të siguruar kualifikimin e  Shqipërisë në Euro 2020.

Ishte një proces i zgjatur në kohë, për faktin se nuk ka qenë një vendim i lehtë. Falënderojmë të gjithë kandidatët për stolin e kombëtares. Besoj se kemi marrë vendimin më të mirë. Një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit italian dhe botëror. Jam shumë i bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur me të gjitha karakteristikat që ka trajneri. Jam i bindur se bashke me stafin dhe ne të tjerët do të mundohemi te jemi pjesë e Euro 2020.” Holandezi Clarence Seedorf ishte rivali kryesor i mbetur në garë me Panucci, para se ky i fundit të zyrtarizohej  në stolin kuqezi.

Ish-mbrojtësi i Milanit, Interit, Real Madrid, Chelsea, Monako, Romës e Parmës si dhe i kombëtares italiane pranon se kombëtarja shqiptare është një hap i madh në karrierën e tij.

Jam shumë i nderuar që do të jem trajneri i ekipit Kombëtar Shqiptar të futbollit. Falënderoj presidentin Duka për mundësinë që më dha, por mbi të gjitha kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për mua. Desha të falënderoj federatën dhe të gjithë komunitetin për besimin që më dhanë. Kemi një skuadër shumë të mirë. Kur të ketë mbaruar eksperienca ime shpresoj t’i kemi dhënë diçka ekipin kombëtar. Kemi katër ndeshje të rëndësishme (kualifikueset e Kupës së Botës Rusi 2018), por kualifikimi në botëror është thuajse i pamundur. Mezi pres të filloj punën në këtë vend që po rritet shumë shpejt në aspektin futbollistik.”

Panucci si trajner ka qenë ndihmës i Fabio Capello në stolin e Rusisë, 2012-14’. Ai u largua bashkë me Capello pas eliminimit të Rusisë nga finalet e botërorit Brazil 2014, por kjo eksperiencë e ndihmoi Panucci të bindë FSHF-në që  t’i besojë stolin kuqezi, për tre vitet e ardhshme. Panucci u ndal edhe te eksperienca si zv/trajner i Rusisë. Ai e cilësoi atë si tepër të vlefshme në karrierën e tij si trajner. Para se të merrte drejtimin e Shqipërisë, Christian Panucci ka drejtuar ekipet italiane, Livorno e Ternana. .

Ishte shumë e thjeshtë për mua ta pranoja rolin e trajnerit të Shqipërisë. Kërkoja diçka serioze për të nisur karrierën time. Objektivi i vetëm është Euro 2020″ - shton më tej Panucci.

Për kualifikimin historik të Shqipërisë në Euro 2016, Panucci pranon se meritë ka pasur paraardhësi i tij, Gianni de Biasi, i cili u largua pas fitores 3-0 në ndeshjen e fundit zyrtare me Izraelin.

De Biasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Është e drejtë ta vlerësosh këtë gjë dhe t’i jesh mirënjohës. Ai ka shkruar historinë për Shqipërinë por tani nis një kapitull i ri dhe unë kërkoj të arrij diçka të rëndësishme. Do të përpiqem të shkruaj një tjetër histori me këtë skuadër. Grupi që ka ndërtuar De Biasi dhe arritjet e këtij grupi e kanë ngritur Shqipërinë në një nivel shumë të lartë. Nëse ka lojtarë të talentuar dhe të zotë, do të luajnë në Kombëtare. Sikundër kam diskutuar me presidentin, nëse do të ketë lojtarë të tjerë të mirë për ekipin Kombëtar, dera do të jetë e hapur”.

Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka janë dy emrat më të spikatur të kombëtares që u lanë jashtë nga Gianni de Biasi, për shkak të kontradiktave që patën me të. Por a do të rikthehen ata tani që drejtimin e kombëtares e mori një trajneri tjetër, Christian Panucci dhe a do të ketë ndryshime të tjera të kampin kuqezi.

Panucci thotë puna e tij nuk bazohet mbi paragjykimet. - “Nëse në kampionatin shqiptar do të ketë lojtarë që e meritojnë të luajnë për Kombëtare, do të luajnë. Më e rëndësishme është që Shqipëria të fitojë ndeshjet. Kur të shkojmë në luftë, të jeni të bindur se do të shkojnë ushtarët më të mirë. Kam parë më shumë ndeshje dhe mendoj se e njoh mjaftueshëm skuadrën. Duhet të vazhdoj ende të njoh njerëzit. Do të jetë shumë e rëndësishme për mua që lojtarët të më tregojnë se e meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit”.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: