Çiftet "limonadë"

Çiftet "limonadë"
 

nga Meri Dishnica

Ata duken mirë së bashku, të lumtur në perfeksionin e tyre. Ne i shohim gjithë interes, kureshtja për ta na josh në shumë mënyra, sa që shpesh këshillat e tyre rreth bashkëjetesës së lumtur, i besojmë verbërisht. Një çift i tillë mund të bëhet modeli i bashkëjetesës së përsosur, modeli i një marrëdhënie mirëkuptimi dhe mbështetjeje reciproke. Ne mund të marrim këshilla nga ata, mund t’i dëgjojmë me interes, e madje t'i admirojmë, sepse nga larg, gjithçka shkëlqen... Por në fakt, askush nuk e di se çfarë ndodh në të vërtetë me jetën e tyre. Janë po aq të brishtë si të gjithë të tjerët, kalojnë nëpër faza të ndryshme uljeje dhe ngritjeje si në çdo marrëdhënie. Por ajo që spikat është qëndrueshmëria e tyre edhe në kohë “krizash” të mëdha, edhe kur lëkundjet janë të dukshme, edhe kur pasioni ka ikur me erën, madje edhe kur "kapen" mat … ata qëndrojnë. Ata qëndrojnë! Kjo është një tjetër gjë që duhet të mësojmë nga ta, të mbyllim sytë, të ruajmë aparencën… Por, a ia vlen? A ia vlen të shtiresh pa fund? A ia vlen "make up"-i i dalë boje i një lidhjeje të mbaruar?

E vështirë…, sepse në çdo hap duhet të humbasësh nga vetja, t’i fshihesh faktit. Për më tepër një njeri me karakter të fortë, do ta quante sfidë me veten. Mund të ndodhin luhatje të tilla karakteriale që ndryshojnë krejt konceptin e një marrëdhënieje në çift, duke u bërë funksionale vetëm dhe ekskluzivisht në një terren kompromisesh.

E thënë ndryshe “Të gjesh ca frekuenca kuptueshmërie, në një valë të madhe keqkuptimesh” (dhe është e sigurt që kanë njohur shumë të tilla). Janë jo të pakta rastet kur, në momentet e tij të luftës me veten, ka gënjyer se është i lumtur…

Është një sfidë, sepse thellë-thellë ata e ndiejnë bashllëkun dhe në kushte të tilla përshtatja ndoshta nuk vjen kurrë.

Për çudi, disa e përballojnë shumë mirë këtë “stres”,… edhe pse shoqëria jonë (mendjehapur) bën gjithçka për t’ia vënë në dukje dhe për ta “goditur” aty ku dhemb… Dhemb!… po jo aq sa “të marrësh vrapin”, dhemb deri tek çanta e koleksionit te ri…etj., etj.

Advertisements

Nëse nuk po gjen më forcë ta përballosh dhe shija e keqe nuk po të kalon, hap sytë dhe konsideroje si “sfidë” për marrëdhënien tuaj në çift. Nëse ju e kaloni këtë, dijeni që nuk do të ketë asnjë “dallgë” tjetër që e rrëzon marrëdhënien tuaj, (gjithmonë nëse je e bindur që mund të falet).

Nuk është çudi që shpesh të zgjidhet opsioni  i të  qenit “thjesht praktik”, e kthen faqen, vazhdon,  për hir të kohërave të kaluara bashkë. Kjo është një situatë e njohur në realitetin tonë, ku femrat edhe pse mësojnë faktin që partneri  ka një tjetër lidhje, preferojnë më mirë “të  mbyllin një sy”  sesa t’i japin fund, nuk di nëse ky është integritet, por di që me siguri quhet prakticitet…

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: