Depozitat në banka, tani po lihen pa afat

Depozitat në banka, tani po lihen pa afat
Të joshur dikur nga normat e larta të interesave bankare, klientët përpiqeshin t’i depozitonin paratë e tyre në afate sa më të gjata kohore. Por ky trend duket se po zbehet, teksa normat e interesit thuajse po afrohen drejt zeros, e kësisoj klientët kanë arritur që depozitat e tyre t’i lënë fare pa afat, thjesht sa për t’i patur në ruajtje prej bankave. Të cilësuara ndryshe edhe si depozita “me likuiditet të lartë” nga bankat, pasi ato mund të tërhiqen papritur prej klientit e në këtë mënyrë kërkojnë disponibilitet parash, rezulton se ato janë gjithmonë e në rritje.

Konkretisht, sipas shifrave zyrtare të referuara nga Banka e Shqipërisë, prania e tyre ka qenë në nivelin prej 29.3 miliardë lekësh në fund të muajit maj të këtij viti, krahasuar me vetëm 25.7 të tilla një vit më parë. Ose e përllogaritur ndryshe, më shumë se 3% e totalit të depozitave që klientët u kanë besuar bankave. Ku ky i fundit, në shifra, ka rezultuar përkatësisht në shifrën e 994 miliardë lekëve, në fund të muajit maj 2017. Nivel ky më i ulët në fakt se ai që ishte në fund të vitit të kaluar, kur raportohej se vlera totale e depozitave të sistemit arriti deri në 1.16 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 5.2%.

“Struktura e maturitetit është zhvendosur në drejtim të afateve më të shkurtra, sepse është rritur pesha e llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat, ndërkohë që depozitat me afat janë tkurrur relativisht nën ndikimin e uljes së vazhdueshme të normave të interesit”, sqarojnë ekspertët e BSH-së lidhur me një dukuri të tillë. Për të argumentuar gjithashtu se “kombinimi i rënies së vazhdueshme të normave të interesit me faktorë të jashtëm solli edhe tkurrjen relative të depozitave me afat të klientëve”. Në këtë mënyrë, sistemi bankar në vendin tonë, paraqitet gjithmonë e më shumë depozita të vendosura prej tyre jo më si dikur deri në 5 vjet, me afate më të ulëta maturimi.

Kursimet e individëve, baza kryesore e atyre që ruhen në tërë sistemin bankar

Ato mbeten burimi kryesor i financimit për sistemin bankar shqiptar”. Kështu pohojnë ekspertët bankarë, sipas të cilëve, e thënë ndryshe, paratë që shqiptarët kursejnë pranë bankave “i mbajnë gjallë ato”. Por gjithsesi, në lidhje me ecurinë e kësaj dukuri pohojnë se ajo ka shënuar rënie, përkatësisht deri në nivelin prej -1.23%  krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë referon se bizneset janë duke i parakaluar individët sa i përket nivelit të kursimeve të tyre.

“Gjatë vitit të kaluar 2016, llogaritë e bizneseve rezultuan se janë rritur me ritme më të larta se llogaritë e individëve, përkatësisht në nivelet prej 17.16% dhe 3.13%”, citon ajo. Duke shtuar se ky zhvillim ka pasur impaktet e tij edhe në rritjen e përqendrimeve të depozituesve më të mëdhenj. Ku për këta të fundit, ekspertët bankarë citojnë se në fund të vitit të kaluar, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zënë 6.16% të totalit të depozitave të sistemit bankar, kundrejt vetëm 4.8% që zinin në dhjetorin e vitit të kaluar, 2015.

“E njëjta ecuri e përafërt vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj”, sqarojnë ekspertët e BSH-së. Sikundër, një tregues tjetër që vënë në dukje ata teksa marrin në shqyrtim ecurinë e depozitave është edhe ai i ndarjes së tyre në monedhën vendase apo atë të huaj, duke referuar dominimin e kësaj të fundit. “Pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave ka rënë në 47.2%, nga 48.7% në dhjetor të vitit 2015”, saktëson BSH-ja

“Epërsia” ndaj kredive, kursimet në banka po shtohen më tepër se to

Depozitat që ruhen pranë sistemit bankar shqiptar, duket se po shënojnë “epërsi” ndaj kredive që jepen prej tyre. Këtë e faktojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave raporti kredi depozita ka rezultuar me një rënie të tij në fund të vitit të kaluar.

“Gjatë vitit 2016, treguesi është reduktuar (nga 53.25% në dhjetor 2015) për shkak të rënies së portofolit të kredisë dhe rritjes së totalit të depozitave”, sqarojnë ekspertët bankarë lidhur me një fakt të tillë. Për të dhënë më tej shifrën konkrete se raporti kredi/depozita, në dhjetor 2016, paraqitet në nivelin prej 51.86%.

“E kjo reflekton një strukturë të balancuar të aktiv-pasiveve në nivel sistemi që krijon lehtësi në administrimin e likuiditetit”, argumentohet më tej. Kujtojmë sakaq se raporti kredi-depozita në vendet e zhvilluara qëndron në nivelet  deri 90%, ndërsa në Shqipëri ky tregues vërtitet në nivelin rreth 50%. Duke treguar në praktikë se paratë që shqiptarët kursejnë në banka, janë pak a shumë sa ato që më pas sistemi bankar vë në qarkullim përmes sistemit të kredidhënies si i tillë.

.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: