DHJETË ARSYE PËRSE RAMA NUK DUHET TË KOPJOJË BERISHËN E DYTË- OPINION NGA SOKOL BALLA

DHJETË ARSYE PËRSE RAMA NUK DUHET TË KOPJOJË BERISHËN E DYTË- OPINION NGA SOKOL BALLA
Nga SOKOL BALLA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Edi Rama fitoi zgjedhjet edhe me një dinakëri për t’u pasur zili: Ai arriti të bindë një shumicë të konsiderueshme të shqiptarëve se në fakt këto katër vjet nuk ishin mandati i tij, por i tiji dhe i Ilir Metës. Lista e zezë që ai publikoi ishte ama, sinjali i parë se tashmë të gjithë, edhe atë që e votuan për këtë arsye, po realizojnë skemën mjeshtërore të Edi Ramës se në fakt ky qenkësh mandati i tij i parë i vërtetë. Në fakt nuk është kështu. Ky është mandati i dytë i socialistëve, të cilët nëse duan të bindin njerëzit se e meritojnë një mandat të tretë historik blair-ian, duhet të bëjnë disa gjëra të thjeshta:

  1. E Para të mos kopjojnë Sali Berishën, siç bëri me të ashtuquajturën “listë të zezë”. Edi Rama duhet të kishte gjetur një skemë më origjinale, më qytetare dhe më ligjore për të denoncuar korrupsionin në administratë, sesa Qytetari Dixhital i Doktorit. Vetë Rama, në vitin 2009 denoncoi Politikën e Përbaltjes apo shantazhin verbal ditor të Qeverisë dhe kryeministrit ndaj çdo njeriu që ai mendonte se kishte armik dhe kundërshtar. Shumica e njerëzve në listën e zezë nuk janë engjëj, por në një vend ku duam drejtësi, nuk mund të bazojmë atë tek anonimët e shpifur të internetit, por t’i inkurajojmë njerëzit të denoncojnë ato në organet penale. Qytetari Dixhital dhe Politika e Përbaltjes janë Shqipëria e vjetër. Edi Rama thjesht e kopjoi atë nga Saliu, ndaj edhe dështoi të na bindë se po bënte një gjë të mirë.
  2. Edi Ramës do t’i duhet të tregojë se është ndryshe nga Saliu, sidomos ai i mandatit të dytë në një pikë delikate: Të vërtetojë se Reforma në Drejtësi nuk është një përpjekje për të vënë duart mbi të, por investim serioz për një drejtësi që në radhë të parë do të presë kokat e korrupsionit në administratën dhe kabinetin e tij. Me listën e zezë ku mungonin denoncime për ministrat e tij, dha një provë periferike, por ama provë, e mungesës së kredibilitetit të fjalëve të tij për këtë. Por të paktën për këtë, ka ende kohë të provojë se skeptikët e kanë gabim.
  3. E dyta, Edi Rama, ndryshe nga Saliu i 2009-ës, duhet të heqë dorë nga Ilir Meta dhe ta lërë atë të bëjë Presidentin e fortë dhe gruan e tij, opozitaren e fortë. Kryeministri duhet të mos i bjerë më telefonit të Ilirit sepse ai nuk do t’ia ngrejë për shumë kohë. E deshi timonin vetëm, tani ta mbajë vetëm. Sali Berisha nuk e pati këtë pretendim. Deshi vetëm katër vjet më shumë në rresht të parë. LSI do të jetë në opozitë dhe me gjasë do të jetë opozitë më e fortë, më e egër dhe me shumë skenare të paparashikueshme. PS tani duhet të jetë gati për këtë. Numrat jo gjithmonë mbajnë qeveritë në këmbë. Dhe nëse Edi Rama nuk kopjon mendjen e Saliut për Gardën e Republikës, atëherë timoni Ii tij do dridhet shpesh nga gurët në rrugë që do vendosë LSI. Ndoshta do të reflektojë dhe do preferojë më mirë shkopinjtë e dikurshëm në rrota nga “partneri strategjik”, por tashmë ato janë kohë që nuk vijnë më.
  4. Edi Rama ndryshe nga Saliu i mandatit të dytë, tani duhet të flasë më pak e bëjë më shumë. Me vepra. Rruga që ka përballë është e panjohur dhe fsheh pas entuziazmit të fitores së vetmuar, edhe ankthin pezull të një disfate që mund ta vuajë vetëm. Sot shqiptarët meritonin minimalisht të dinin cili do ishte kabineti i ri, por i vetmi emër publik është ai i Gramoz Ruçit për Kryetar Kuvendi. Nëse Edi Rama thotë se do ketë bashkëqeverisje me shqiptarët, ata, dhe jo Sandri, duhet të jenë të parët që të dinin emrat e atyre që do qeverisin. Në kabinet ka akoma dështakë. Ata duhet të ikin. Rama duhet të tregojë, ndryshe nga Saliu i mandatit të dytë, se ministra të përjetshëm në masë, nuk mund të ketë.
  5. Edi Rama ndryshe nga Saliu, duhet ta lërë Partinë Demokratike të rimëkëmbet dhe mos t’i përzihet nëpër këmbë me rrjetën e marrëveshjes së 18 majit. Në fund të fundit kjo është edhe në interesin e tij: Monopoli i opozitës vetëm me LSI është një skenar i zymtë për qetësinë e qeverisjes së tij. Qoftë Lulzim Basha apo Eduard Selami duhet të jenë zgjedhje të vetë PD. Siç ka treguar historia e humbjeve në PS, rezultati nuk mund të ndryshohet nga faktorë të jashtëm, thjesht faktorët e jashtëm evidentojnë si armiq të panevojshëm njerëz me vlera në partitë respektive. Por ajo që është më e rëndësishme të lërë vendin të ketë një opozitë të shëndoshë.
  6. Duke mos u marrë me LSI dhe opozitën, ndryshe nga Saliu i mandatit të dytë, Edi Rama do ketë më shumë kohë të merret dhe me ekonominë. Le t’i lëmë pallavrat e të pranojmë se kanabisi ka pasur një ndikim një cashflow në dy vitet e fundit, por tashmë që kryeministri thotë se kanabis në një janar 2018 më nuk do të ketë, atëherë duhet të punojë mirë që ekonomia të rritet pesë për qind jo pas katër, por pas dy vjetësh. Përndryshe në Lokalet e 2019-ës, modeli i Lali Erit do t’i shërbejë për të fituar Tiranën, por jo gjithë Shqipërinë.
  7. Të vetmen gjë që Rama duhet të “kopjojë” nga Saliu i parë dhe i dytë janë investimet publike infrastrukturore. Të përfundojë Rrugën e Kombit lënë turpshëm si zog i rrjepur prej tetë vjetësh. Të nisë rrugën e Arbrit e ta mbarojë atë deri për zgjedhjet lokale. Të çlirojë Jugun nga asfiksia që fillon në Qafën e Koshovicës e nuk përfundon deri në Sarandë. Të krijojë kështu vende pune e frymëmarrje te firmat e mëdha. Dhe të lidhë kështu në mënyrë të integruar Rilindjen Urbane me rrugën nacionale, damarët me fytyrën, formën me përmbajtjen dhe ta kthejë këtë, në një vend modern, entuziast, simpatik siç është Tirana sot, ku njerëzit nuk duan më të ikin.
  8. Ndryshe nga Saliu i mandatit të dytë, Edi Rama duhet ta marrë seriozisht integrimin europian, sidomos tani që ky proces do jetë tërësisht në duart e Partisë Socialiste. Ai dhe zyrtarë europianë na thanë se Reforma në Drejtësi dhe zgjedhjet ishin dy kushtet kryesore. Tani nëse asgjë nuk ndodh këtë vit për hapjen e negociatave, i bie që arsyeja e vetme do jetë qeverisja e tij.
  9. Edi Rama, ndryshe nga Saliu i mandatit te dytë që shkonte në Mynih dhe fliste për pakte antishqiptare dhe Shqipërinë deri në Prevezë, duhet të jetë më i kujdesshëm në retorikat e tij që mund t’i interpretohen si nacionaliste apo populiste. Miqësitë me Erdogan mund të jenë interesante, sa kohë menaxhohen me kujdes. Por fjalët për një perspektivë tjetër nëse vonon integrimi europian, nëse përsëriten vazhdimisht, do interpretohen thjesht si një përpjekje për të hedhur dështimin tënd në kurriz të dikujt tjetër. Saliu e bëri dhe këtë në mandatin e dytë. Dhe të fundit për të.
  10. Por më e rëndësishmja është se nëse mandati i parë ishte më shumë mandati i formës, ky i dyti duhet të jetë ai i përmbajtjes. Ndryshe nga Saliu që përdorte qeleshen, Edi Rama duhet të heqë dorë nga çitjanet dhe çorapet e kuqe dhe të tregojë se tashmë në moshën 53-vjeçare dhe në kulm të suksesit të tij politik, të jetë i përulur para detyrës që ka. Ashtu si pas çdo fitoreje në kohërat antike fitimtarët i blatonin dhurata hyjve dhe Zotit, tashmë Edi Ramës i duhet më shpesh të kthejë kokën pas, për të parë ku ishte në 4 korrikun e vitit 1998, kur mori vendimin e madh për të lënë pavarësinë personale dhe futur në politikën aktive. Për të parë e kujtuar 4 korrikun e vitit 2009, kur për ditëlindje Ilir Meta i bëri “dhuratë” aleancën me Berishën dhe desh e çoi në pension të parakohshëm politik. Pushteti nuk është një lodër për t’u argëtuar apo për të argëtuar të tjerët. Shqipëria kërkon të qeveriset, jo thjesht të ketë një kryeministër interesant.

Ashtu ishte edhe Saliu i mandatit të dytë. Por në fund, edhe ai shkoi në shtëpi.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: