Dhjetëra hektarë të djegura, Demiraj premton ndëshkimin e zjarrvënësve

Dhjetëra hektarë të djegura, Demiraj premton ndëshkimin e zjarrvënësve
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë evidentuar 10 vatra zjarri në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Vlorë.

“Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë dhe kanë situatën nën kontroll edhe pse era e fortë dhe terreni i malor ka vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve”, raporton Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 60 zjarrfikës me 15 automjete, 40 forca të ushtrisë si dhe helikopterë.

Në fshatin Bleran të Shkodrës, zjarri ka djegur rreth 15 ha me shkurre, ferra dhe pisha, 8 hektarë janë djegur në fshatin Vilëz, ndërsa një hektar tjetër në Gruemirë të Malësisë së Madhe.

Për të monitoruar situatën, në Shkodër ka shkuar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.

“Djegia e pyjeve, kullotave dhe rrezikimi i jetës dhe pasurisë së qytetarëve, përbën vepër penale, prandaj MPB dhe Prokuroria po punojnë me intensitet për të çuar para ligjit të gjithë autorët”, shkruan në rrjetet sociale ministri Demiraj.

Dhjetëra hektarë të tjerë të shkrumbuara raportohen nga qarqet e tjera të vendit. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: