Erdhën emigrantët, ata të thjeshtët

Erdhën emigrantët, ata të thjeshtët
 

Nga Juela Meçani

Më erdhi në mendje kjo temë, kur dëgjova një pasazh nga një show televiziv ku, në një farë mënyre, kishte brenda tallje për emigrantët që kanë mbërritur me shumicë në vendin mëmë. Pasi kanë punuar një vit të tërë, për të ardhur kjo ditë që të vizitonin këtë tokë me një mijë komplekse, kanë edhe taksiratin të dëgjojnë broçkullat dhe humorin pa kripë të një prezantuesi. Por nejse, kjo është tjetër mesele.

Kujtoj sot dhe qesh me fjalët e një gazetari shqiptar shumë vjet më parë, që maksimumin e sarkazmës ndaj meje, me drejtimin e qartë për të më ulur, e gjeti tek habia e tij se si një kryeministër kishte “punësuar një emigrante të thjeshtë”. E vërteta është që, si atëherë edhe sot, vihet re një nënçmim i maskuar ndaj atyre qindra mijërave shqiptarëve të cilët kanë vendosur me guxim, të ndërtojnë jetën e tyre dhe të familjeve jashtë kufijve. Ashtu si tek unë, kjo është ndeshur nga shumë të tjerë, jam e bindur.

Por vëllezërit e motrat tona që jetojnë jashtë, duhet të na falin sepse, pa doreza, kjo dukuri është pjesë e një mentaliteti racist që duam s’duam e kemi, e kanë edhe ata. Jemi një vend aq i vogël e me aq shumë ndarje mendore, sa bëhen deri edhe qesharake.

Në shkollën e mesme ishim vetëm dy nxënës që shquheshim në letërsi për hartime. Unë isha tepër poetike, ndërsa djali shumë i saktë, por telegrafik. Ai kishte në rreshtat e tij fakte historike, unë shumë ngjyra dhe tinguj. Unë aspak ambicioze, ai tmerrësisht shumë. U kthye në një garë, por profesor Serveti, - profesori legjendar i letërsisë për ne që e njohim, - ishte mjaft demokrat në shpirt e donte, më në fund, hartime me ndjenja e ngjyra, sepse dogmatizmi dhe ngurtësia i kishin ardhur në majë të hundës. E kështu që dhjeta më vihej vetëm mua.

E si të bënte shoku im i klasës që unë të tulatesha, të stepesha dhe të tërhiqesha? Filloi një sulm tek e vetmja gjë që gjeti se mund të më godiste. Se nga kish mësuar që unë, në gjysmën time, isha vllahe nga nëna. Nën rrogoz filloi të thurej rrjeta e merimangës së paragjykimit, talljes dhe përçmimit për “vllahen” e klasës. Sipas fjalëve të plakave dhe gojëdhënave, “vllahët” duhet të mbaheshin larg, ose vllahët ishin njerëz të këqij, ose vllahët nuk ishin të pastër shqiptarë, etj., etj. Si fillim, kjo i argëtoi shokët e klasës time, por ky i ziu djalë nuk e dinte se përsëri, profesor Serveti e kishte mendjen të ndarë.

Gjatë gjithë viteve që kujtoj, kam dëgjuar pa fund nga këto paragjykime allashqiptarçe, mbi ata nga Mirdita, mbi ata nga Korça, mbi Gjirokastrën po dihet, për Dibranët dhe lugën e tyre bosh që ushqen dynjanë, sigurisht keni dëgjuar, çamët e kosovarët shpesh janë mbajtur larg si të rrezikshëm; sa për lebërit, besoj se me paragjykimet për ta jemi deri në grykë, e kështu për çdo cep të Shqipërisë. Edhe dy fshatra larg sa një vrap pele nga njëri-tjetri, sipas gojëligave, kanë tabiate të ndryshme që nuk mund të puqen.

Në vitet kur kam punuar jashtë kufijve, pashë të njëjtën dukuri. Edhe aty jetohej në komunitete të vogla përkatësie lokale dhe, nga ana tjetër, shqiptarët që qaheshin tërë ditën nga racizmi ndaj tyre, vetë shikonin me racizëm zonal të gjithë ata që ishin nga krahina që nuk u pëlqenin.

Sot, ata ia behin mes nesh e lënë edhe ca para se po të mos ishin, ky vend ishte kalbur me kohë. Po ne? Nga zilia e pamëshirshme që ata nuk kanë shumë nga hallet e streset tona, gjejmë si shpëlarje të inatit tonë ngritjen e përçmimeve etiketuese mbi një pjesë të gjakut tonë.

E kështu, bota është portokall thonë dhe nuk e kanë gabim. Një qark që mbledh të gjithë këta kuqezinj që, në fakt, janë një pikë në oqean përballë botës së madhe. Sepse, në fund të gjithçkaje, pa emigrantët ne nuk kemi histori, nuk jemi, thjesht nuk do të kishim ekzistuar më. Ndërsa emigrantët pa ne, do të ishin si një njeri pa shpirt.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: