Erik Lloshi: Preferoj fitime më të vogla, sesa sukses “imagjinar”

Erik Lloshi: Preferoj fitime më të vogla, sesa sukses “imagjinar”
Është shumë lehtë e më mirë kur kërkon të intervistosh një këngëtar që, në fakt, ke shkuar vetë ta dëgjosh live. Kjo për faktin se ia ke ndjerë nga afër sensibilitetin artistik. Kështu ishte intervista me Erik Lloshin, - një nga zërat më të bukur mashkullorë që ka skena shqiptare. Në kujtesën time, kisha përballë Erik Band, në netët live të Tiranës. Aty ku muzika është e tillë, me vegla muzikore dhe instrumentistë virtuozë. Ai ka 14 vjet karrierë, pavarësisht se është vetëm 28 vjeç. Arrita ta shkëpus nga koncertet dhe performancat, në mesin e një vere që duket se për të do të jetë plot aktivitet. Në një rrëfim mbi jetën dhe pasionin e tij për muzikën, pa të cilën nuk mund të jetojë.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si ka nisur dashuria për muzikën tek ti?

Isha vetëm 7 vjeç dhe, qysh në atë kohë, isha shumë i pasionuar pas muzikës, doja vetëm të këndoja. E gjitha nisi në Lushnjë ku jetoja në atë kohë, në Shtëpinë e Pionierit e më pas me festivalet e fëmijëve me të cilat kam shkuar edhe në Shkodër. E mbaj mend edhe këngën time të parë, “Dallga e detit”.

E kishe përkrahjen e familjes?

Jashtëzakonisht, shumë! Prindërit e mi ishin vetë të dhënë pas muzikës, por edhe aktivë. Im atë, madje, luante dhe në kitarë, - vegël muzikore të cilën dëshironte që ta zotëroja edhe unë. Ky fakt që më ka ndihmuar sigurisht, sepse isha më i drejtpërdrejtë dhe i vendosur që muzika të bëhej pjesë e rëndësishme e jetës tim.

Ti e ndoqe këshillën e babait, studiove për kitarë?

Ha ha ha... Jo. Si rebelizëm, ego ose dëshirë për të bërë zgjedhjet e mia të pavarura, studiova për piano vite me radhë dhe, më pas, në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve, për kanto. Jam krenar që jam nga të paktët muzikantë të diplomuar në Akademinë e Arteve, me titullin këngëtar.

 

Por, a nuk ishin studime klasike, operistike?

Sigurisht që ishin. Por ndërkohë, unë kisha aktivitetin tim muzikor në muzikën e lehtë e kjo më ka ndihmuar madje. Teknikat e të kënduarit të mësuara aty, kanë bërë që momentet p.sh., të virozave ose lodhjes, të kem aftësinë t’i fsheh të mos kuptohen nga publiku, e të vazhdoj të performoj.

Çfarë kujton nga koha e fakultetit?

Kujtoj me respekt dy profesorët e mi, Akil Duron dhe Burhan Spahiun! Ata kanë qenë profesorët e mi të kantos, dy korifenj të muzikës klasike! Prej mësimeve të tyre, kanë dalë tenorët e mirënjohur, Josif Gjipali dhe Saimir Pirgu, që sot shkëlqejnë në skenën botërore e shqiptare! Ndihem i privilegjuar që kam studiuar me ta dhe kam marrë teknikat e tyre, në muzikën klasike. Ndërsa tek muzika e lehtë, ishte pasion dhe mund të them dhunti, aty jam autodidakt.

Klipi i parë i yti, të kujtohet?

Po, ka qenë një bashkëpunim me këngëtaren Mariza Ikonomi, një kompozim i Adrian Hilës, titullohej “E di”. Kanë kaluar 14 vjet që atëherë. Kënga pati sukses në atë kohë kur suksesi ende nuk varej nga klikimet në You Tube, ose të paktën në Shqipëri, ende nuk dihej si funksiononte kjo teknikë. E theksoj këtë, sepse në ditët e sotme brenda ditës, një këngë kap shifrën 1 milion shikues, ndërkohë që e dimë mirë sa banorë ka Shqipëria.

E paske nisur, menjëherë, me një nga kompozitorët më të mirë të muzikës së lehtë. Kjo të ka ndihmuar besoj...

Kam patur tre bashkëpunime me kompozitorin Adrian Hila dhe përmes shtëpisë diskografike, “Eurostar”, të asaj kohe. Isha vetëm 14 vjeç dhe arrita bashkëpunimin me Mariza Ikonomin që ishte e njohur dhe e vlerësuar. Madje, ka një histori interesante kënga. Sapo u publikua, të gjithë në publik mendonin se unë isha këngëtar turk. Ndoshta ngjasoja pak si i tillë, duke qenë brun ose dhe nga vokali. Kur u mësua e vërteta, të gjithë u habitën.

E kanë më të thjeshtë këngëtaret femra të bëjnë karrierë në Shqipëri?

E vërteta është që këngëtarët që këndojnë live janë fare pak, nuk shkojnë 20. Ka zëra të rinj majft të mirë tani, që kanë dalë nga garat televizive, por që nuk kanë ende papërkrahje, ndaj humbin. Ne që i kemi rezistuar viteve, kemi krijuar një qarkun tonë ku kemi mbështetur njëri-tjetrin dhe asnjëherë nuk e kemi lejuar veten të biem në kurthin apo batakun e këngëtarëve që mundohen të shesin veten, duke blerë klikime ose duke treguar fizikun. Rezultati i një fryrjeje të tillë të shikueshmërisë apo pëlqimit të një kënge, nuk është gjë tjetër veçse një shërbim shumë i keq ndaj publikut. Por, fatkeqësisht, rinia e sotme i pëlqen ose më saktë pseudoartistët e ushqejnë publikun me sukses vetëm virtual, jo real.

Duke qenë se ke ndjekur këtë rrugë muzike të pastër, nuk ke pasur kosto, pra, fitime më të pakta?

Ndoshta, por kam zgjedhur më mirë të kem fitime më të vogla se sa një sukses imagjinar. Kam zgjedhur të punoj vetëm me krijime cilësore. E di që shumë këngëtarë sot, brenda dy vitesh mund të fitojnë ekonomikisht atë që fitoj unë gjatë gjithë karrierës, por më mirë preferoj të kem një mesazh të mirë për të përcjellë te publiku dhe të kem një karrierë lineare, të ngadaltë, por të qëndrueshme. Nuk dua të jetë si me tullumbacet që fryhen dhe çahen, më vjen mirë që ne kemi qëlluar më të fortë.

Pse tani dalin kaq pak elemente që përballojnë të kënduarit live?

Elementet e mirë nuk përkrahen, nuk gjejnë mbështetje. Edhe ato pak që dalin, janë zbehur nga pseudo-këngëtarët. Tregu i muzikës live sot, na penalizon paksa, por unë nuk do të heq kurrë dorë prej muzikës live dhe realizimi me melodi të mirë dhe mesazh. Sot e kësaj dite, këngët e mira ende kujtohen dhe këndohen.

Ke mbi një dekadë në skenë. Si e shikon gjendjen e muzikës sot dhe sa përkraheni nga institucionet e kulturës?

Përkrahja nga institucionet është zero! Para pak kohësh na kërkuan një peticion për çështjen e licencave dhe këtu kanë shumë të drejtë që ne këngëtarët dhe jo vetëm, duhet të pajisemi me licenca e të kemi detyrime ndaj shtetit. Por ajo që duhet të jepet përkundrejt kësaj, janë të drejtat e autorit, për të cilat askush nuk përgjigjet se përse vilen dhe artistët nuk përfitojnë asgjë. Në kohën kur shteti kërkon nga artistët të kenë licencë e të vjelë fitim, atëherë duhet të respektohet e drejta e autorit. Në këtë temë jam mjaft i ndjeshëm. Duhet të futet arti në raport ligjshmërie reciprok me shtetin.

Çfarë vere të pret, do të jetë e ngarkuar?

Në përgjithësi gjej gjithmonë kohë për të pushuar gjatë verës, por këtë vit, fatmirësisht, do të jem shumë i zënë e kam idenë se do të pushoj vetëm në shtator. Përveç koncerteve dhe aktiviteteve të tjera nëpër Shqipëri e jashtë kufijve, kam në dorë edhe dy projekte të reja, dy këngë të reja me të cilat po merrem.

Si lind një këngë e re jotja?

Po bashkëpunoj me kompozitorin e suksesshëm, Klejdi Bahiti, dhe kur ai më telefonon e më thotë se ka një material për mua, shkoj në studio. Kur dëgjoj materialin, nuk do të thotë se u krye. Jam pak tekanjoz, perfeksionit në muzikë. Preferoj ta dëgjoj shpesh e të merrem gjatë me një këngë të re. Kam dëgjuar edhe ca çudira si “e bëra këngën brenda natës”. Ha ha ha... Kjo me mua nuk ndodh. Kjo është jo profesionale, minimalisht më duhet një muaj kohë për një këngë, duhet ta shikoj në detaje.

Këngët e tua janë më së shumti romantike, flasin për dashurinë. Sepse pëlqehen më shumë?

Unë bashkëpunoj me tekstshkrues shumë të mirë, me të cilët bashkëveproj gjatë realizimit. Ato tekste, pra, edhe motivet e këngëve janë nga jeta reale, poezi mbi ndarjen dhe dashurinë si pjesë e jetës. Janë poezi me botë, me vizion ku të rinjtë gjejnë veten. Tekstshkruesit me të cilët bashkëpunoj si Endrit Mumajezi, Rozana Radi, Flor Mumajezi, Klejdi Bahiti, marrin frymëzim gjithmonë nga ngjarje reale e ndoshta, prandaj përqafohen nga publiku menjëherë.

Sa kënaqësi ndjen ti kur këngë të tuat p.sh., “Ajo është ajo”, janë pjesë e shumë historive të dashurisë?

Është kënaqësi e madhe kur kënga jote, me 500 mijë shikues e ndjekës, këndohet nga të gjithë edhe pas shumë vitesh. Ndërsa këngë me milion shikues e ndjekës, janë një dështim, sepse nuk mbahen më mend nga askush. U ndala përsëri te kjo pikë, sepse po abuzohet me falsitetin e numrave realisht. Miliona shikues që blihen e i shtohen me falsitet shikuesve të tu, i vidhen dikujt tjetër, një kënge tjetër. Por ky nuk është sukses real, e nuk do të jetë kurrë!

Ke menduar ndonjëherë të ikësh nga Shqipëria?

Po ikëm të gjithë, kush do të qëndrojë në këtë vend? E di që këtu është shumë e vështirë për artistët. Ne vetëmenaxhohemi, në vend që të jemi të qetë të frymëzohemi, të japim emocion për publikun, të performojmë tre orë live. Por jemi të detyruar të bëjmë çdo gjë vetë. Kjo është nonsens! Në jetën e natës ka dhe problematika të tjera që varen nga niveli i mosnjohjes së muzikës e mosdija për të komunikuar me ne.

Sa i lidhur je me familjen?

Shumë, veçanërisht me nënën! Ajo është ekonomiste, im atë merret me biznesin e tij. Sa herë dalin videoklipet e mia të reja, nëna qan nga emocioni!

Sa kohë i kushton vetes, pamjes së jashtme?

Ha ha ha... dikur shumë kohë, por tani sikur jam lodhur ca. Nuk e kam për mburrje këtë, përkundrazi. Por pavarësisht se e kam lënë pas dore, jam mirë kështu.

Ku do jesh këto ditë me aktivitetin tënd?

Do të jem në një dasmë ku do të performoj vetëm dy këngë, sepse janë këngët e dashurisë mes dy të rinjve. E nuk ka kënaqësi më të madhe se kjo, për një artist!

Më ka ndodhur edhe një histori në lidhje me këngët mes të dashuruarve. Më telefon dikush e më kërkon të këndoj vetëm një këngë. U montua fonia dhe skena dhe unë këndova. Kur mbarova i pyeta, a dëshironin të këndoja një këngë tjetër. “Jo jo, kjo ishte kënga jonë, është mjaftueshëm!”- më thanë. E të mendoni se vetëm për atë dedikim të djalit ndaj dashurisë së tij, ishin bërë shpenzime kolosale për një këngë të vetme. Por sa kujtim i bukur ishte ky, për ata dhe për mua!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: