Ertila Koka: Jam shumë luftarake, gjithçka që dua e arrij

Ertila Koka: Jam shumë luftarake, gjithçka që dua e arrij
 

Ertila Koka erdhi në takim dhe menjëherë vura re thjeshtësinë dhe elegancën e saj në fizik. Por sapo u ul, u përballa me një vajzë shumë larg të qenit e brishtë. Ajo kishte ide të qarta se çfarë donte në jetë dhe, pavarësisht se shumë e re, dëshironte të qëndronte larg të qenit thjesht një zë në mes të të tjerëve. Kërkonte cilësinë, në jetë dhe në këngë. Duke pasur parasysh se performon live prej mbi dhjetë vitesh, nuk kisha dyshim se kisha përballë një profesioniste. Ertila, vajza me shtat të hollë por zë të plotë, shkruan, kompozon, stilon veshjet skenike, pikturon e madje edhe performon në kërcim. Ndaj ky rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, vjen nga një vajzë e re por me një karrierë të gjatë.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Sa e vogël ke qenë kur ke nisur të këndosh?

Kam qenë shumë e vogël, që në moshën 5 vjeçare, në kopsht kam filluar të këndoj dhe nuk kisha fare emocione. Më pas këndoja në shkollë që në fillore deri në tetëvjeçare. Kam qenë shumë aktive në çdo koncert dhe aty më spikati mësuesja e muzikës e cila më dërgoi tek zërat e rinj dhe nga ku mësova më shumë për muzikën e lehtë nën kujdesin e profesor Agim Rrezaj.

Po më pas si rrodhën ngjarjet që kënga u bë pasioni yt më i madh?

Më pas babai im, i cili është muzikant, kishte dëshirë që unë të studioja kanto dhe kështu që vazhdova liceun artistik, nën drejtimin e pedagoges, këngëtares së mirënjohur, Zina Zdrava. Në fillim nuk e doja muzikën operistike, pasi dëgjoja shumë muzikë të lehtë. Por me kalimin e kohës u bë një ndër dashuritë e mia më të mëdha, që vazhdon të jetë edhe sot për mua e tillë, edhe pse nuk e ushtroj.

Pavarësisht tendencave, ju jeni një vajzë e brishtë, por me vokal të ëmbël. Herë shfaqeni në këngë sensuale e herë lozonjare. Vetë Ertila ku e shikon veten më shumë?

Është e vërtetë që natyra ime është lozonjare dhe sensuale në të njëjtën kohë dhe kjo vërehet dhe në klipet e mia. Gjithmonë jam e qeshur edhe në klipe, pasi e tillë jam edhe në jetën e përditshme dhe dua të sjell energji pozitive dhe tek publiku.

Si e dallon një këngë të bërë për ty, pra që të rri sipas shijes?

Thjesht e ndjej dhe biti i mirë me frymëzon që të bëj pastaj një melodi të bukur.

Sa reale është “fama” në Shqipëri? Sa ndikon marketingu dhe sa ndikon të shfaqesh vetvetja?

Për të pasur një sukses të madh në publik, sot duhet një marketing shumë i mirë dhe një staf shumë i madh, pas çdo artisti. Gjë e cila në Shqipëri është shumë e vështirë pasi artisti duhet të kontribuojë për të gjitha, për ta pasur këtë staf pas vetes dhe jo çdo artist mund ta përballojë. Të jesh vetvetja, për mendimin tim, është shumë kryesore pasi fansat, publiku, të duan akoma më shumë.

 

A i plotëson muzika ëndrrat tuaja?

Po, i plotëson dhe pa muzikën, çdo ditë të jetës time, s’besoj se do jetoja dot pa muzikën. Kam dashur shumë pikturën kur isha e vogël, por përsëri zgjodha muzikën. Piktura më shërbeu më pas që të stiloj veshjet e mia në çdo dalje apo klip të eventeve ose performancave që erdhën në të ardhmen. Edhe pse kërceja dhe pikturoja e vogël, muzika i dha kuptim jetës time dhe mendoj që deri tani kam plotësuar një pjesë të madhe të ëndrrave të mia.

Çfarë do të doje që të ndryshonte në botën e muzikës shqiptare?

Gjithmonë kam ëndërruar të hap një shkollë muzike, por një shkollë verore, që të shërbejë për fëmijët nga mosha 5 deri 18 vjeç, që të shprehin talentin e tyre, në instrument dhe muzikën e lehtë. Besoj shumë që do e arrij një ditë, pasi në Shqipëri ka shumë e shumë talente, por nuk kanë përkrahje.

 

A ke ndonjë këngëtare të preferuar nga festivalet e dikurshme?

Po sigurisht që kam. Ajo është Nertila Koka për të cilën të gjithë mendojnë që është ime më por në fakt nuk është. Kam kënduar shpesh këngët e saj që e vogël dhe sot njerëzit akoma më ngatërrojnë emrin tim me emrin saj.

Shquhesh për një elegancë fizike të admirueshme por gjatë ditës qëndroni shumë e thjeshtë, sipas moshës tuaj. Kjo thjeshtësi ju ka afruar më shumë me fansat?

Është e vërtetë që shpesh dhe s’më njohin kur më shikojnë në rrugë, pra jashtë skenës. Kjo pasi më pëlqen të jem e thjeshtë, pa make-up dhe kjo më tregon shumë më të vogël. Ndjej kënaqësi të madhe kur njerëzit surprizohen kur me takojnë dhe kam marrë shumë komplimente për thjeshtësinë. Kjo më ka afruar shumë me fansat e mi, të cilët i dua shumë. Nuk mendoj që artiste apo këngëtare të bën fakti që duhet të jesh e ngarkuar pafund me make-up apo e veshur si për skenë në çdo orë të ditës, me taka super të larta, që të tregosh që je ti ajo që je në ekran. Pjesa e look-ut pak më të ngarkuar e ka vendin aty në skenë.

Në kohën e lirë me se merresh, cilat janë pasionet e tjera përveç muzikës?

Kohën më të lirë e kam kur iki në Milano. Atje ulem vizatoj dhe stiloj veshje të ndryshme si dhe mbledh ide për klip apo këngë të re. Dëgjoj shumë muzikë dhe më pëlqen të shikoj shumë filma komedi dhe romantikë. Si çdo femër, adhuroj shoping-un por, kur jam në Tiranë, kohën e lirë e kam të shenjtë për tre motrat e mia që i dua pafund.

 

Këtë verë ju kam parë të jeni e zënë me shumë koncerte nëpër Shqipëri, si ndiheni përpara publikut që ju duartroket?

Gjatë qershorit kam qenë në  shumë koncerte, në çdo qytet në Shqipëri dhe jam ndier shumë e lumtur nga përqafimet dhe dashuria e madhe e publikut. Çdo ditë dhe në çdo event, arrij ta ndjej akoma dhe më shumë dashurinë tyre, veçanërisht të fëmijëve dhe adoleshentëve që qanin apo dridheshin për një foto dhe më përqafonin shumë. Nuk ka lumturi më të madhe për një artist sesa duartrokitjet e publikut. Ato janë shpërblimi i çdo mundi dhe sakrifice.

Ju keni një motër të pashme, si ju, me të cilën edhe shoqëroheni shumë. Ju këshillon ajo edhe për performancat tuaja? Po ju atë?

Unë kam tre motra shumë të bukura, por Danja është më afër meje, pasi ajo është më artiste, pasi ka punuar në televizion dhe në fushën e modelingut. Të dyja këshillojmë njëra-tjetrën për çdo dalje që kemi dhe jemi gjithmonë të pandashme. Danja është në çdo video timen duke u marrë me skenarin, regjinë, idetë dhe me veshjet. Të gjitha idetë që kam i këshilloj me të dhe më pas i realizojmë me atelie “Dita” me të cilën bashkëpunoj prej më shumë se 5 vitesh.

Cilat janë planet e tua të afërta në lidhje me muzikën?

Më e afërta është dalja e një dueti shumë shpejt por mbetet sekret.

 

Çfarë e bën Ertilën të lumtur si fëmijë?

Akulloret, hahahaha, sepse duhet t’i ha shumë pak, nga fakti se ruaj vokalin, por që i kam shumë qejf.

 

Si vepron kundër padrejtësive në jetë?

Duke qenë e drejtë dhe duke i luftuar ato, por jeta shpesh vetë është e padrejtë dhe të duket ndonjëherë sikur lufton me mullinjtë e erës.

Sa lufton për të arritur atë që do?

Jam shumë luftarake si natyrë dhe në  përgjithësi  gjithçka që dua e arrij, mjafton t’i vë synimin vetes, sepse vullnetin e kam të hekurt dhe kjo më ka ndihmuar gjithmonë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: