Ervin Bushati: Kam bërë kompromise për hir të muzikës që kërkon tregu dhe publiku

Ervin Bushati: Kam bërë kompromise për hir të muzikës që kërkon tregu dhe publiku
Djalin shkodran me zë të plotë, edhe pse shumë i ri, me lëvizje e look si Majkëll Xhekson, e kam prezantuar në këngën e tij të parë me grupin “Mister”. Kishte një look të guximshëm atëherë dhe kënga bëri bujë, sepse përcillte mesazhe. Më pas, ai djalë vazhdoi karrierën dhe sot është një nga këngëtarët më të njohur e, pas 25 vjetësh, ka ende të njëjtën dinamikë. Ervin Bushati vjen në një rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press ku tregon mbi fillimet me këngën, Shkodrën e tij të dashur, bashkëpunimet, vështirësitë dhe familjen.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Sa i vogël ishit kur kuptuat se kishit talent në këngë?

Kam qenë shumë i vogël. Prindërit më kanë treguar se qysh nga momenti që kam nisur të them fjalët e para, edhe kam kënduar ato gjysmat e fjalëve. Më pas, mbaj mend, kam qenë në klasë të dytë a të tretë, kam marrë pjesë rregullisht në festivalet e fëmijëve që organizoheshin në Shkodër, madje, jam nderuar edhe me çmime. Kujtoj që në 1986, kam përfaqësuar Shqipërinë në festivalin ballkanik, kur isha vetëm 10 vjeç.

Jeni ngjitur në skenë në moshë shumë të re, si lider i grupit “Mister”. Më pas, si rrodhi karriera juaj?

Isha vetëm 17 vjeç asaj kohe dhe ishte një uauuuuu për mua. Atëherë kishte vetëm një televizion dhe një radio. Ishim pjesë e elitës të viteve ’90. Kënga e parë e grupit “Mister” titullohej “Vlera e X-it”, - eksperiencë e jashtëzakonshme. Më pas, qëndruam bashkë gjatë, rreth 9 a 10 vjet, dhe e përfunduam bashkëpunimin me një album me këngët më të mira që kënduam nëpër festivale dhe aktivitete të ndryshme; këngë popullore të përpunuara, sukseset tona si “Vlera e X-it”, “Nuk është një Babilon”, “Fundshekull”, “Mori trandafillja e bardhë”, “Jepma mollën” etj. Më pas, unë vazhdova karrierën sofistike, pjesëtarët e tjerë të grupit po vazhdonin secili rrugën e tyre, edhe unë vazhdova me albumet solo, që janë katër albume sofistike. Që nga nisja e karrierës solo nuk iu ndava më diskografisë shqiptare, duke qenë pjesë me klipe, - ndër të parat e kohës, - me kamerat e thjeshta të asaj kohe. Më se shumti, karriera ime u përqendrua në daljet dhe turnetë jashtë vendit, në diasporë, në të gjithë botën, përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë.

Kur e nis karrierën me hite, si ju, sa e vështirë është të mbash një karrierë në ngjitje?

Në muzikë dhe në art në ato vite, ishte më e vështirë, nuk është se kishe një rrugë të përcaktuar. Ti duhet të përshtateshe e të ishe tepër i zgjuar dhe intuitiv. Mendoj se këtë e pata, ruajta figurën e Ervinit, por u përshtata në muzikë, kam bërë edhe kompromise për hir të asaj që kërkonte tregu dhe publiku. Fati im i madh është që vokalit tim nuk i ka shkuar vetëm muzika e lehtë, por është i përshtatshëm edhe për muzikën popullore qytetare dhe atë komerciale që aktualisht zotëron gjithë botën. Është shumë e vështirë të mbash karrierën realisht, të bësh hite, të kesh kujdes në daljet e tua e unë jam munduar. Kam bërë dy hapa para, e tre hapa pas. Ka qenë një periudhë vërtetë e vështirë, por tani mendoj se është më e lehtë, ka më shumë mënyra. Atëherë nuk kishte rrjete sociale, tani ka shumë opsione që e thjeshtëzojnë, që shfrytëzohen nga këngëtarët e rinj e që mund të përdoren nga të gjithë ne.

Ju keni studiuar për kanto. Pra, jeni një artist, muzikant. Sa ju ka ndihmuar kjo për të pasur një profil të plotë artistik?

Po, është e vërtetë. Në shkollën e mesme kam studiuar për kanto dhe profesori im më thoshte se do të bëhesha një tenor shumë i mirë lirik. Më pas unë u dashurova me muzikën e lehtë dhe u importova për muzikën e lehtë. U bë pjesë e imja, njerëzit më njihnin. Isha vetëm 17 vjeç, më dukej vetja  person publik e kjo më pëlqente. Njerëzit më ndalonin për autograf e foto. Ky pasion për muzikën e lehtë mbeti dhe u rrit. Më pas u bë edhe profesioni im dhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë.

Absolutisht që shkolla të jep një edukim të përgjithshëm, për të marrë kulturë, për të marrë drejtimin e duhur e për të dalluar të dhënat e tua. Por, më pas, mendoj se je ti ai që duhet të vazhdosh, gjithmonë duke qenë me këmbë në tokë. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme periudha me grupin “Mister”, sepse aty u poqa e u bëra më i kompletuar, më i formuar. Më pas, ishte më e thjeshtë. Mendoj se e nuhas hit-in, melodinë e bukur. Di ama, që jam me këmbë në tokë. Pavarësisht se e kam të vështirë të flas për veten.

Këngët që keni interpretuar nuk i përkasin të gjitha temës së dashurisë, siç ndodh rëndom, por ka shumë këngë me tema sociale. Mendoni se ky është dhe një mision për një artist?

Është e vërtetë që këngët e mia i përkasin dashurisë e jetës me të bukurat e saj, por edhe me trishtimet. Por në albumet me grupin “Mister” kemi pasur këngë mbi tema sociale që vazhdojnë të jenë aktuale, i përkasin këtij realiteti. Kemi pasur fatin të bashkëpunojmë me Vangjel Kozma, - një nga tekstshkruesit më të mirë, sidomos për këngët tona, - bashkë me të ndjerin Alqi Boshnjaku. Por me Vangjon, - siç unë e thërras, - kemi bashkëpunime mjaft të mira. Mbaj mend me këngën “Nuk është një Babilon”, që fliste mbi Shqipërinë e atyre viteve - si han me dy porta - shkruante poeti. Janë të gjitha këngë nga dora e Vangjel Kozma. Edhe sot e kësaj dite, ky vend është në vazhdën e po atyre dukurive sociale. Por sigurisht pjesën dërrmuese e përbëjnë këngët për dashurinë, romancat, baladat. Janë tema dhe këngë që publiku i percepton më shpejt.

Keni interpretuar shumë duete, me këngëtarët më në zë në Shqipëri. Si nis lind projekt i tillë?

Në fillimet e mia, unë pata disa ftesa nga këngëtarë shumë të mirë të këngës popullore si, Irini Qiriako, Bujar Qamili, për të bashkëpunuar me mua dhe ishte privilegj, sepse janë ikona të muzikës popullore qytetare. Kam pasur duete edhe me Artjola Toska, Soni Malaj, Myfarete Laze si dhe me këngëtaret trendi të atyre kohëve, Anjeza Branka dhe Sabina Dana. Duetet më kanë pëlqyer gjithmonë, më duket sikur janë të destinuara të bëhen hite, më ka pëlqyer edhe të inkurajoj këngëtaret e reja, duke bashkëpunuar me to, siç është rasti i Sabinës. Kanë ecur mirë dhe është një eksperiencë e bukur. Mua edhe më shkojnë duetet. Lind natyrshëm dueti e mua disa nga këto duete më kanë ardhur shumë natyrshëm e janë kthyer në hit-e.

Ju këndoni live. A duhet të rikthehet më shumë të kënduarit live në trend?

Mua m’u bënë vite që këndoj live. Këto kohë nuk mendoj se është në trend të mos këndohet live, mendoj se, në fakt, play-back ka mbaruar punë. Janë disa këngëtarë që nuk kanë mundësi të bëjnë ndryshe si grupet RNB ose vajzat që bëjnë show. Tani këndohet live, veçanërisht nga këngëtarë të brezit tim. Ne këndojmë të ftuar nga njëri kontinent në tjetrin. Nuk të pranon njeri po nuk këndove live. I bëjnë mirë dallimet e për mua, është shumë më mirë. Ndoshta ne jemi të lodhur nga udhëtimi, nga ditët e ngjeshura kur shpesh kemi edhe tre apo katër koncerte rresht, por është kënaqësi të këndosh live. Normalisht, vokali nuk është si në ditën e parë, por emocioni është krejt tjetër. Je më afër njerëzve, jep e merr emocion.

Nuk flitet lehtë për veten, por cili është mendimi juaj mbi atë që ju dallon nga këngëtarët e tjerë?

Siç ta thashë edhe më lart, është shumë e vështirë të flasësh për veten, nuk e di cila është ajo gjë që më dallon nga të tjerët. Besoj se kam krijuar atë individualitetin tim, dallohet ngjyra e zërit siç më kanë thënë kolegët e miqtë. Secili këngëtar ka timbrin dhe koloritin e tij, ujërat e veta ku noton. Një pjesë thonë që ka qenë edhe look-u. Tani ka shumë mënyra që të kurojnë imazhin, ka drejtorë kurativë imazhi etj., etj., por në vitet kur unë kam filluar, ishte shumë e vështirë dhe mendoj se kam guxuar asaj kohe. Realisht, kjo më ka bërë të veçantë e të përflitem. Edhe sot unë kujdesem vetë për pamjen time në skenë, di se çfarë dua e se çfarë më shkon. Nuk përdor kurator imazhi. Kjo ndoshta më bën më të dallueshëm nga të tjerët.

Sa rëndësi ka familja në mbarëvajtjen e aktivitetit tuaj si artist?

Familja ka shumë rëndësi. Një periudhë më ka marrë shumë kohë. Fëmijët ishin të vegjël e normalisht kërkonin përkushtim nga ana ime. Tani janë rritur. Unë kam dy djem, - Anteo 12-vjeçar dhe Bjorn 9-vjeçar. Tani më të përgjegjshëm, nuk më marrin shumë kohë. Pati një periudhë kur unë e zbeha karrierën, sepse ishte me rëndësi prania ime, por tashmë jo dhe aq. Ata janë mbështetje shumë e madhe për mua, një arsye për të ecur përpara. Por është e vështirë në Shqipëri të mbash edhe jetën artistike edhe atë familjare. Por natyrisht, kur shkon në shtëpi e shikon edhe fëmijët që presin, merr komplimente edhe prej tyre, është kënaqësi më vete.

Keni miqësi në mesin e artistëve?

Unë nuk i shikoj si kolegë, janë miq. Kalojmë shumë kohë bashkë. Nuk bëjmë jetë VIP-i në Shqipëri. Mund të na hasësh kudo, - kjo jetë është, duhet ta pranojmë. Mua mund të më hasësh kudo, në dyqan, duke marrë fëmijët nga shkolla, në rrugë, duke takuar njerëzit. Ndaj edhe kolegët i shikoj si shokë, jemi familjarizuar. Por mendoj se janë më të mira shoqëritë jashtë skenës, sepse ne artistët kemi ato tekat tona, ha ha ha ha.

Ju jeni shkodran. Sa pjesë nga temperamenti shkodran keni në art?

Mendoj se jam 24 karat qytetar shkodran. Një derë e madhe, krenari për mua, - jam nga Bushatllinjtë e Shkodrës. Kam marrë mjaft nga ai vend. I kam pasur udhërrëfyes, mësues, dirigjentë, profesorë gjatë shkollimit tim në vogëli, e më pas kur erdha në Tiranë. Thonë që kam temperament shkodran, kam shumë humor, - kështu thotë shoqëria, jam ai që bëj shaka, bëj batuta e mbaj tavolinën. Më vjen mirë për këtë!

Kjo verë ju gjeti me një hit të ri që po përqafon sukses. Më tregoni diçka për këtë këngë...

Sapo kemi nxjerrë këngën tonë të re, “Je e jemja” me kolegen dhe mikeshën time Blerina Braka. Kishim kohë që e diskutonim këtë projekt. Është një këngë verore, e realizuar nga “Max Production”, ngjyra vere, e menduar mirë. Na shkon shumë të dyve. Kënga është krijim i Blerinës, por edhe unë kam dorën time. E kemi shumë të dashur këtë këngë dhe e ka plotësuar pritshmërinë tonë. Mendoj se do të jetë një nga hit-et e kësaj vere.

 

Cilat janë projektet më të afërta që keni në duar?

Po mendoj të realizoj një këngë të re, bashkë me kompozitorin, Klejdi Bahiti, për festivalin e Këngës Magjike ku kam kohë që nuk marr pjesë. Është një projekt imi, për të ardhmen. Ndërkohë jam në gjithë Shqipërinë, në turne bashkë me shumë këngëtarë në Maratonën e Këngës. Kam datat e mia të përcaktuara në bregdetin shqiptar dhe disa koncerte në Europë.

Jeni i ri, por me mbi dy dekada në skenë. Çfarë këshille do të kishit për këngëtarët aspirantë?

U bënë shumë vjet që jam në skenë, e vërtetë, por kam shumë për të dhënë, ndihem i ri. Aspirantët e rinj të muzikës do t’i ftoja të jenë vetvetja, është botë e bukur, por e egër. Jo të gjithë do të arrijnë të bëhen këngëtarë. I ftoj të kenë zgjuarsi, të kenë menaxhim special dhe teknik.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: