Europa League, Skënderbeu me objektivin e Milan "zona 'Play-off'”

Europa League, Skënderbeu me objektivin e Milan "zona 'Play-off'”
Pavarësisht fatit në short kapiteni Orges Shehi nuk e konsideron rastësi arritjen e fundit të Skënderbeut. Në Korçë kanë nisur përgatitjet ndërsa drejtuesit dhe tifozët kanë nisur të besojnë edhe me një përballje të mundshme ndaj Milan në “Play-off” të Europa League 

Aranit Muraçi

Skënderbeu ka mbrojtur nderin e klubeve shqiptare në Europë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja është pjesë e raundit të tretë kualifikues të Europa League dhe njëkohësisht skuadra e vetme shqiptare që vazhdon këtë vit aventurën në Kupat e Europës. Pas fitores 2-0 ndaj ekipit kazak Kairat (1-1 ndeshja e parë),  Skënderbeu ka kapërcyer dy raundet e para të Europa League. U eliminuan njëra pas tjetrës në këtë kompeticion dy ekipet kryeqytetase, Tirana dhe Partizani. Kukësi mori pjesë në Champions dhe u eliminua në raundin e dytë kualifikues përballë kundërshtarit moldav, ndonëse zhvilloi dy ndeshje emocionuese dhe ishte shumë pranë kualifikimit. Gjithsesi, fakt është se në raundin e tretë kualifkues në dy kompeticionet evropiane tashmë figuron vetëm emri i Skënderbeut që ka ambicie të shkojë më tej. Skuadra shqiptare është në një raund me emra të mëdhenj të futbollit kontinental. Mjaftojnë tre fitues të UEFA Champions League në të kaluarën, që janë mes emrave të spikatur të futbollit kontinental. Milan, Marsejë dhe  PSV Eindhoven kanë fituar më herët trofeun Champions League. Ato e nisin këtë vit aventurën për të siguruar fillimisht zonën “Play-off” të Europa League dhe më pas fazën e grupeve. Skënderbeu dy vite më parë ka qenë pjesë e fazës së grupeve në Europa League. Arritja në “Play-off”, ku mund të përplaset me Milan është synimi i ekipit të drejtuar nga Ilir Daja. - “Duke parë kundërshtarin, ashtu si edhe me Kairat, edhe në këtë raund ne kemi shanse të barabarta kualifikimi,” – tha Ilir Daja. Por ndryshe nga raundi i dytë, Skënderbeu do t’i presë çekët në “Elbasan Arena”.  - “Sigurisht, prania e tifozëve të shumtë në Korçë na ndihmoi në kualifikimin e fundit. Por shpresojmë t’i kemi tifozët edhe në Elbasan,” - shton trajneri i Skënderbeut.

Vendet fqinje

Edhe skuadra serbe Crvena zvezda është shpallur kampione e Europës në sezonin 1990/91 dhe nis këtë vit kompeticionin e Europa League në këtë fazë.  Ekipet e tjera të vendeve fqinje, Panionios, Paok dhe Aek Athinë gjithashtu janë në këtë raund me synimin për të arritur fazën e grupeve të Europa League. Domzale, Dinamo Zagreb, Hajduk Split, apo ekipet qipriote nuk mungojnë në këtë raund. Ashtu sikurse edhe ekipi i Maqedonisë që përbëhet nga shqiptare, Shkëndija e Tetovës.  Ekipi që mundi Partizanin në raundin e parë kualifikues, Botev Plovdiv, ndodhet në raundin e tretë, ashtu sikurse edhe skuadra izraelite e Maccabi, që eliminoi Tiranën. Kësisoj, përveç fatit në short, suksesi i Skënderbeut për faktin se ndodhet në këtë raund merr përmasa edhe më të mëdha.

Të mëdhatë    

Milan rikthehet në Kupat e Europës pas vitit 2014, teksa do të vizitojë këtë të enjte ekipin rumun të CSU Craiova. Me 10 blerje të bujshme gjatë merkatos së verës Milan rikthehet në ERuropa pas një fitoreje të bujshme në miqësore kundër Bajern Mynih, 4-0. Megjithatë, trajneri Montella ka lënë jashtë liste para udhëtimit në Rumani dy nga blerjet më me peshë, Bonucci e Biglia, por kualifikimi konsiderohet formalitet për kuqezinjtë.

PSV do të ndeshet me kroatët e Osijek, ndërsa Marseja do të presë belgët e Oostende në “Stade Vélodrome”. Shorti, nisur nga këto përplasje, kuptohet që është treguar bujar me juglindorët. Portieri Orges Shehu thotë për “Albanian Free Press” se përveç shortit, duhet vlerësuar edhe strategjia afatgjatë e Skënderbeut për suksesin e deritanishëm në Europë. – “Nëse do të kishim Milan përballë, në këtë raund, sigurisht nuk do të mendonim kualifikimin. Por ia kemi dalë përballë ekipeve të tjera. Edhe pse mund mos quhen emra të mëdhenj ato kuotohet më mirë se ne, megjithatë Skënderbeu ka mundur të kualifikohet, ashtu si edhe këtë vit që deri tani kemi kaluar dy raunde. I vështirë ishte kualifikimi i fundit ndaj Kairat, por shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë me kundërshtarin e radhës,” – thotë Orges Shehi. Portieri dhe kapiteni i ekipit korçar kujton suksesin e dy viteve më parë kur Skënderbeu arriti fazën e grupeve dhe beson se me kalimin e raundit të tretë, vetëm nëse shorti që do të hidhet më 4 korrik nuk vë përballë në “Play-off” emra si Milan, Skënderbeu nuk do të jetë çudi të shkojë sërish në fazën e grupeve të Europa League. Orges Shehi do të largohet nga futbolli pas Kupave të Europës, teksa e pranon një fakt të tillë.

 

Kuqezinjtë në Europa League

Eros Grezda është futbollist i ri i skuadrës kroate, Osijek, Amir Rrahmani i Dinamo Zagreb, Amir Abrashi i Frajburg, Ergys Kaçe i Paok, Rubin Hebaj i Domzale. Në këtë raund do të ketë edhe një derbi shqiptar mes Hebajt dhe Abrashit, në përplasjen Frajburg-Domazale. Me ekipin kroat Hajduk Split luan edhe një shqiptar që ka lindur në Kavajë por e ka nisur karrierën jashtë, ku ka qenë pjesë e Veronës. Ai quhet Hysen Memolla dhe nuk është grumbulluar ende nga kuqezinjtë.

Mlada, katër disfata radhazi

Përballë ekipit çek, Mlada Boleslav, më 27 korrik ora 18:00 Skënderbeu do ta luajë sërish jashtë ndeshjen e parë me shanse për ta menaxhuar një javë më pas kualifikimin në Elbasan, kur do të zhvillohet ndeshja e kthimit. Mladá Boleslav i ka humbur katër përballjet e kaluara në raundin e tretë, por mori një pjesë në fazën e grupeve në sezonet   2006/07 e 2007/08. Skënderbeu mbetet ekipi i vetëm shqiptar që ka arritur gjithashtu fazën e grupeve në sezonin 2015/16.

Edhe një sulmues nga Kievo

Kualifikimi i dy raundeve të para, ka shtuar oreksin e presidentit Ardian Takaj. Për të mundësuar kualifikimin e radhës janë gati dy blerje të tjera cilësore.  Njëri prej tyre quhet Ali Soue, sulmues ganez në pronësi të Chievos, Seria A. Ai pritet të vijë para ndeshjes me çekët e Mlada në formë huazimi dhe konsiderohet një ndërhyrje pak e shumë e ngjashme me atë të Partizanit një vit më parë kur mori sulmuesin Ekuban, i cili këtë vit shkoi te Leeds United.

 

Europa League, raundi i tretë kualifikues (27 korrik - 3 gusht)

Aberdeen (Sko) - Apolon L. (Qip)

AEK L. (Qip) - Dinamo M. (Bje)

AIK (Sue) - Braga (Por)

Arka Gdynia (Pol) - Midtjylland (Dan)

Astra Giurgiu (Rum) - Olexandriya (Ukr)

Austria V. (Aus) - AEL Limasol (Qip)

Bordeaux (Fra) - Videoton (Hun)

Botev Plovdiv (Bul) - Marítimo (Por)

Brøndby (Dan) - Hajduk Split (Kro)

Crvena zvezda (Ser) - Sparta P (Çeki)

Craiova (Rum) - Milan (Ita)

Dinamo B (Rum) – Atletik (Spa)

Dinamo Z. (Kro) - Odd (Nor)

Everton (Ang) - Ružomberok (Sllovaki)

Freiburg (Gjer) - Domžale (Slloveni)

Gent (Bel) - Altach (Aus)

Krasnodar (Rus) - Lyngby (Dan)

Maccabi Tel-Aviv (Izr) - Panionios (Gre)

Marsejë (Fra) - Oostende (Bel)

Mladá Boleslav (Çeki) -Skënderbeu (Shqi)

Olimpik Donetsk (Ukr)-PAOK (Gre)

Östersund (Sue) -Fola Esch (Luks)

Panathinaikos (Gre) - Gabala (Aze)

PSV Eindhoven (Hol) -Osijek (Kro)

Sturm G. (Aus)- Fenerbahçe (Tur)

Sūduva (Lit) - Sion (Svi)

Trakai (Lit)-Shkëndija (Maq)

Utrecht (Hol) - Lech Poznań (Pol)

Zenit (RUS)- Bnei Yehuda (ISR)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: