Fabio Capello “bind” FSHF, sot pritet zyrtarizimi i trajneri të ri kuqezi

Fabio Capello “bind” FSHF, sot pritet zyrtarizimi i trajneri të ri kuqezi
Christian Panucci besohet se do të zyrtarizohet nga FSHF, si trajneri i ri i kombëtares së Shqipërisë. Por ai ende nuk e ka fituar plotësisht garën me rivalët e tij.

Gjithsesi, ish-mbrojtësi i Milan, Real Madrid, Inter, Roma e Monaco, ka kaluar në avantazh të theksuar karshi kandidaturave të tjera gjatë fundjavës, duke bindur presidentin e FSHF-së Armand Duka, aq sa është gati t’i besojë stolin kuqezi.

Duka njihet edhe si njeri i surprizave dhe i kthesave të mëdha, ndaj duhet pritur zyrtarizimi, teksa FSHF bëri të ditur sot se po punohet me kandidaturat e mbetura deri në përzgjedhjen e fundit.

Zyrtarisht vendimi për emërimin e Panucci, nëse nuk do të ketë të papritura të tjera, pritet të jepet nga FSHF pasditen e sotme, ose nesër paradite, teksa ende nuk janë përcaktuar detajet e fundit me pasuesin e De Biasi.

Panucci, 44-vjeç, siç ishte bërë e ditur më herët, ishte në garë me dy kandidatë të tjerë, Clarence Seedorf dhe Luigi De Canio. Si emër tjetër u përfol edhe Valter Zenga.

Akoma më herët ishte Filippo Inzaghi kandidatura kryesore, si dhe më tej ajo e Giancarlo Camolese.

Fakti që Christian Panucci ka drejtuar kombëtaren e Rusisë në finalet e Kupës së Botës, Brazil 2014, si ndihmës i Fabio Capello, e ka ndihmuar atë për të bindur zyrtarët e FSHF-së që ta përzgjidhnin si pasues të Gianni de Biasi.

Gjatë dy viteve të fundit, Panucci ka drejtuar ekipe italiane si Livorno e Ternana.

Kur mbeten edhe katër ndeshje nga mbyllja e fushatës së kualifikueseve të Kupës së Botës, Rusi 2018, detyrë e trajnerit të ri të kombëtares mbetet që të ruajë pozitat aktuale, vendi i tretë, si dhe të përgatisë ekipin për eliminatoret e Euro 2020.

Objektivi i trajnerit të ri në këto eliminatore është kualifikimi i kombëtares së Shqipërisë në finalet e Euro 2020.

Trajneri i ri në stolin kuqezi do të ketë të njëjtat kushte financiare me Gianni de Biasi, ku të ardhurat atij do t’i shtohen në bazë të fitoreve për çdo ndeshje dhe kualifikimit të mundshëm në finalet e Europianit të ardhshëm.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: