Fehmi Abdiu: Proporcionali ka degjeneruar, duhet rikthyer mazhoritari

Fehmi Abdiu: Proporcionali ka degjeneruar, duhet rikthyer mazhoritari
Pse sistemi zgjedhor që është në fuqi ka prishur raportin ndërmjet deputetëve dhe zgjedhësve. Pse Presidenti nuk përfaqëson më unitetin e popullit. Ndryshimet që duhen bërë në Kushtetutë, duke filluar me nenin që përcakton funksionin e Qeverisë

Marrëveshja politike ndërmjet mazhorancës dhe opozitës e arritur më 18 maj, duket se do të hapë rrugën edhe për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore. Ish-deputeti që ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, i shikon këto dy reforma të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por juristi i njohur kërkon diçka më shumë: Ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në një intervistë për “Albanian Free Press”, ai shpjegon se pse është bërë e domosdoshme të rikthehemi në sistemin mazhoritar, i cili ofron një raport shumë më të drejtë dhe demokratik ndërmjet elektoratit dhe përfaqësuesve të tij, deputetëve.

Por për të garantuar një reformë të thellë dhe të plotë, Fehmi Abdiu sugjeron ndryshime të thella edhe në thelbin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që nuk duhet të jetë më një organ partiak, por të rikthehet në frymën e një institucioni të pavarur, sikurse e përcakton Kushtetuta.

Abdiu analizon edhe disa problematika që duhen rishikuar në pjesë të Kushtetutës ku flitet për Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Ministrave.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Njëra nga pikat e marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit është reforma zgjedhore. Ju e gjykoni si të nevojshme?

Njëri nga ndryshimet që po lind si domosdoshmëri është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Pas viteve ’90, sistemi zgjedhor ka ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme nga ai mazhoritaro-proporcional, në këtë të tanishmin që është proporcional rajonal. Sistemin e tanishëm, me një gjuhë jojuridike, unë do ta quaja “sistem i emërimeve”, sistem të listave me njerëz të emëruar nga kryetarët e partive, gjoja me pëlqimin apo miratimin e organeve drejtuese të partive. Në të vërtetë, janë emërime të pastra të deputetëve nga kryetarët e partive. Vështroni atë që ndodhi, kur u bënë publike listat e kandidatëve për deputetë të partive të mazhorancës. Askush nuk mori vesh nga dhe si dolën ata emra që u publikuan. Natyrisht, mund të gjesh justifikime sa të duash se janë bërë mbledhje e janë pyetur organet e partisë, por publike, transparente, asgjë nuk ka ekzistuar. Edhe nga opozita është e njëjta skemë, ndonëse formalisht duket diçka ndryshe, pasi kanw bwrw sikur kanë nxjerrë njerëz në terren për të pyetur bazën dhe qytetarët.

Në thelb, ky sistem zgjedhor është më i keqi që është aplikuar ndonjëherë në Shqipërinë e paskomunizmit. Largimi nga sistemi mazhoritar, që ballafaqonte vlerat intelektuale, njerëzore, sociale, familjare e të tjera që lidhen me karakterin dhe integritetin e kandidatit, por edhe me synimet e partive që i propozonin, solli zëvendësimin pa shkaqe të përligjura me sistemin proporcional rajonal që është në fuqi. Dhe pastaj ky i fundit degjeneroi në sistemin e listave me njerëz të emëruar.

Kjo u argumentua me faktin se sistemi mazhoritar ishte më i vështirë, më konfliktual, më me shpenzime dhe se sistemi i ri kishte avantazhe të tjera. Por në fakt, për mendimin tim, ai sistem nuk pati asnjë dizavantazh. Me atë sistem përballeshin shumë kandidatë dhe fitonte ai që u mbushte mendjen më shumë elektoratit. Sipas atij sistemi, partitë ishin të detyruara të çonin në parlament njerëz me vlera, me karakter, të lidhur me familjen, me aftësi intelektuale dhe akademike.

Doni prova për këtë? Krahasoni vlerat, karakterin, integritetin dhe aftësitë intelektuale të deputetëve të zgjedhur në legjislaturat ku aplikohej sistemi mazhoritar me deputetët e këtij parlamenti të fundit që, për fat, i mbylli punimet.

Do të shikoni se me këtë parlament të fundit degjeneroi tërësisht sistemi proporcional. Në parlament shkuan miq dhe shokë të kryetarëve, njerëz të dënuar, njerëz pa integritet, njerëz të parasë. Ishin shumë të paktë deputetët me horizont intelektual dhe me personalitet, akoma më pak nga ata me tituj e grada shkencore të marra me meritë.

Por abrogimi i sistemit mazhoritar u justifikua ndër të tjera me “fenomenin e Dushkut”...

Sistemin e Dushkut e sollën partitë që kërkuan të kamuflonin përmbajtjen e ligjit, nuk e solli sistemi. “Dushku”, korrigjohej menjëherë, dhe u korrigjua kur partitë e kuptuan se bënë gabim ose se, mënyra si ishte formuluar ligji, mund të shfrytëzohej në interes të një partie apo të tjetrës. Nuk kishte asnjë pengesë ligjore që në sistemin mazhoritar të korrigjohej gabimi i “Dushkut” dhe çdo gjë të vihej në vend.

Insistoj edhe një herë: Me këtë sistem, nuk kemi për të formuar ndonjëherë një parlament me njerëz të mençur. Ne do të ushqejmë akoma njerëz që vijnë dhe që ulen në atë sallë, që ngrohin karrigen katër vjet, që largohen nga ajo sallë pa u bërë të njohur as në opinionin publik dhe asgjëkund. Shikoni këta që ikën. Përveç faktit që kanë siguruar një pension të mirë suplementar për veten, asgjë nuk kanë bërë për vendin. Përveç një pjese të vogël, të tjetër nuk kanë dhënë asnjë lloj kontributi për katër vjet dhe as nuk kanë për të dhënë, sepse nuk kanë mentalitet për të mbështetur, për të luftuar, për të sakrifikuar për elektoratin dhe subjektet që u përkasin. Në atë sallë i çuan faktorë të ndryshëm, që kanë lidhje deri me paranë.

Ju e kundërshtoni këtë sistem vetëm për mënyrën e zgjedhjes së deputetëve?

Ka probleme sa të duash. Me këtë sistem është shkëputur raporti ndërmjet zgjedhësve dhe përfaqësuesve të tyre, pra deputetëve. Sot zgjedhësit nuk e dinë se cilin kanë deputet. Ka deklarime formale “Ky është nga zona juaj”, por asgjë nuk është e përcaktuar ligjërisht.

Në këtë mënyrë, është evituar një hallkë shumë e rëndësishme për funksionimin e demokracisë: Llogaridhënia e përfaqësuesit përpara njerëzve që ai përfaqëson. Ligjërisht, deputeti duhet të japë llogari dhe të informojë zgjedhësit e vet për punën që ka bërë.

Me sistemin mazhoritar, deputetët kishin zonën e caktuar dhe detyrimin ligjor që çdo gjashtë muaj të raportonin përpara zgjedhësve. Kam shkuar unë në fshatrat e Peshkopisë. Nuk e kisha me qejf, se askujt nuk i pëlqen të japë llogari, por më detyronte ligjin ta bëja dhe e bëja. A keni dëgjuar ju sot për ndonjë deputet që të japë llogari përpara zgjedhësve? Emërohen për katër vjet dhe askush nuk i shikon më me sy.

Duhet ndryshuar mentaliteti në lidhje me raportin zgjedhës-i zgjedhur. Duhet të parashikohet me Kushtetutë që çdo i zgjedhur të raportojë dhe të japë llogari përpara zgjedhësve. Deri edhe për OJF-të është parashikuar që të jepet llogari përpara asamblesë që i ka zgjedhur drejtuesit, ndërsa deputeti nuk i jep llogari askujt.

Edhe në aspektin formal-juridik, ai sot quhet “deputet i partisë’ dhe jo i popullit. Në këtë aspekt, ai duhet të jetë përfaqësues i të dyve, pasi partitë janë faktor shtetformues. Ndërsa populli praktikisht është harruar.

Do të mjaftonte ndryshimi i sistemit zgjedhor, qoftë edhe duke rikthyer mazhoritarin, për të kryer një reformë zgjedhore? Si do të harmonizohet kjo me Kushtetutën?

Ndryshimet që duhen bërë në Kushtetutë, në kuadër të reformës zgjedhore, duhet të prekin patjetër edhe institucione të tjera. Një i tillë është padyshim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nuk mund të mendohet se do të ketë zgjedhje të drejta, të lira e të ndershme, me një KQZ  partiake. Nuk mund të ketë zgjedhje me standarde me komisionet zgjedhore poshtë me përfaqësues partish.

Se si duhet ndryshuar sërish Kushtetuta dhe ligji për këtë çështje, kjo duhet diskutuar, por mendoj se domosdoshmërisht duhet të heqim dorë nga kjo praktikë. Anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe të numërimit të votave, deri anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duhet përfundimisht t’i ndryshojmë, qoftë edhe duke përdorur shortin për gjithë këto organe, për të krijuar bindjen se drejtësia duhet të vërehet edhe në vlerësimin dhe numërimin e votës. Duhet të shkëputemi nga mentaliteti dhe praktika partiake në administrimin e zgjedhjeve.

Në këtë aspekt, reforma zgjedhore padyshim është e lidhur me reformën kushtetuese, por unë do të rekomandoja që kjo e fundit të ishte më e thellë.

Kur flisni për një reformë të thellë në Kushtetutë, keni parasysh edhe institucione të tjera që duhen rishikuar?

Padyshim. Duke filluar nga institucioni i Presidentit të Republikës.

Kapitulli i Presidentit të Republikës duhet rishikuar pasi, gjatë këtyre viteve, janë tkurrur pa shkaqe të përligjura, shumë kompetenca të tij.

Mbetet për t’u diskutuar thelbi i zgjedhjes së tij. Janë bërë diskutime, propozime, në vite të hershme dhe në vitet e fundit, për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe për ta zgjedhur atë direkt nga populli. Nëse vite më parë nuk kishim shumë mbështetës të kësaj ideje, tani është rritur numri i atyre që e kërkojnë. Unë vetë jam i bindur se kjo është e domosdoshme për Shqipërinë. Kjo pasi Presidenti nuk duhet të jetë vegël në duart e 2-3 kryetarëve të partive. Sido që të zgjidhet me Kushtetutën e ndryshuar që është në fuqi, ai nuk mund të jetë kurrë më lart se niveli i Kryeministrit dhe shefit të mazhorancës apo opozitës, sepse ata nuk mendojnë që Presidenti të jetë diçka më shumë se vetja e tyre. Mbi të gjitha, Presidenti nuk mund të bëhet përfaqësues i unitetit të popullit, siç përcaktohet në Kushtetutë, kur ai zgjidhet me 71 vota të anëtarëve të parlamentit.

Vetë formula kushtetuese që ne kemi për zgjedhjen e Presidentit, nuk është reale, është një slogan që nuk gjen mbështetje. Me këto kompetenca dhe me këtë mënyrë si zgjidhet, Presidenti nuk mund të garantojë unitetin e popullit.

Këtë unitet mund ta përfaqësojë një President i dalë nga vota direkte e popullit.

Por një pjesë e kompetencave që dikur i përkisnin Presidentit,  tashmë ushtrohen nga organe të tjera, kryesisht nga Ekzekutivi. Kjo do të thotë se duhet të ndryshojë edhe pjesa që ka të bëjë me Këshillin e Ministrave?

Duhet riparë me sy kritik edhe pjesa që ka të bëjë me Këshillin e Ministrave. Një pjesë e dispozitave janë të debatueshme, një pjesë të pakuptimta. Një pjese i mungojnë grimca të domosdoshme. Në përgjithësi mund të them se kapitulli për Qeverinë është ndër kapitujt më të dobët.

Që në përcaktimin e funksionit që kryen Këshilli i Ministrave ka probleme. Shikoni si është formuluar pika 2 e nenit 95: Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.

Për mendimin tim, ky përkufizim nuk është përkufizim. Sipas këtij formulimi, Qeveria bën çdo lloj gjëje që nuk e bëjnë pushtetet e tjera. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Organet e tjera, sipas përcaktimeve ligjore, duhet të kryejnë çdo lloj funksioni apo të bëjnë çdo lloj pune që nuk e bën Qeveria.

Përkufizimi në Kushtetutë duhet të përcaktonte thelbin e funksionit të Qeverisë dhe jo ta linte kaq të përgjithshëm, duke i dhënë detyrën që nuk e bëjnë të tjerët. Ky është nonsense.

Por edhe pjesë të tjera të Këshillit të Ministrave paraqesin shumë probleme. Në këtë kapitull nuk parashikohet ndonjë dispozitë që të jetë si orientim për të zgjidhur kriza politike si kjo e fundit apo edhe kriza parlamentare të veçanta. Për mendimin tim, duhen parashikuar edhe raste të tilla.

Edhe procedura për emërimin e ministrave duhet të jetë më e thjeshtë. Aktualisht shkon propozimi në Presidencë, Presidenti i dekreton dhe Kuvendi miraton ministrat që shkarkohen dhe emërohen. Këtu ka hallka të tepërta, krejtësisht formale që duhen evituar.

Është normale që Presidenti të ketë kompetenca për të kontrolluar dhe verifikuar figurën morale apo profesionale të personit që propozohet për ministër. Por Presidenti ynë nuk e ka fare këtë kompetencë.

Nëse Presidenti do të shërbente si filtër, do të isha dakord. Por përderisa Presidenti aktualisht nuk e ka këtë kompetencë, përse duhet të presim që ai të dekretojë ministrat? Keni rastin e fundit, atë të ministrit Fatmir Xhafaj. Presidenti tha se nuk do ta dekretonte Xhafajn po të kishte kompetenca, por për mungesë të tagrit ligjor, u detyrua ta dekretojë. Atëherë për çfarë hyn në punë Presidenti në këtë rast? Vetëm për të firmosur një copë letër? Presidenti nuk duhet katandisur në këtë mënyrë, që të firmosë nga halli.

Ose Presidenti të ketë kompetenca që të shërbejë si filtër për anëtarët e kabinetit qeveritar, natyrisht sipas kritereve që do të përcaktohen në Kushtetutë, ose le të anashkalohet nga ky funksion. Kryeministri të emërojë ministrat, këta të kalojnë në parlament dhe merr fund historia pa burokraci të kota.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: