Festivali i Jazzit dhe i Verës në Porto Palermo

Festivali i Jazzit dhe i Verës në Porto Palermo
Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo të Himarës, prej  dy netësh është kthyer në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Jazzit e Verës. Mbrëmja e së premtes ishte një bashkëbisedim i isopolifonisë, sjellë nga grupi i Lunxhërisë dhe muzikës jazz, interpretuar nga artistë shqiptarë e ata të skenave ndërkombëtare.

Ky festival, i dyti që po mbahet në Shqipëri, është nismë e këngëtares së njohur të këtij zhanri Eda Zari. “Muzika është ajo që na bën të komunikojmë edhe pa fjalë. Sigurisht kjo është një magji të qëndrosh këtu në këtë vend të magjishëm, ku ka kaq shumë legjenda, ku kanë ndodhur kaq shumë histori, ndaj nuk mendoj që të ketë një kartëvizitë më të mirë për Shqipërinë, apo turizmin në botë” thotë artistja Eda Zari Presidente e Festivalit.

Jazzi dhe vera janë besnike të njeri- tjetrit, sjellin të njëjtën poezi në shpirt, ndaj dhe ky festival synon promovimin e të dyja këtyre mediumeve, por dhe vlerave të trashëgimisë kulturore. Mikaela Minga, organizatore e Festivalit të Jazz-it dhe Verës, thotë se synimi ka qenë promovimi i muzikës jazz, por në të njëjtën kohë për të promovuar Shqipërinë si brenda vendit dhe jashtë saj.

Gjatë këtij festivali, do të interpretojnë artistë nga Shqipëria e diaspora dhe artistë ndërkombëtare që nga ata në rajon Maqedonia, Kroacia, por edhe nga Gjermania, Hollanda, Turqia, e deri nga Zelanda e Re, Bregu i Fildishtë, Kuba, Kolumbia, etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: