Fillon fluksi i turistëve...dhe problemeve me shëndetin

Fillon fluksi i turistëve...dhe problemeve me shëndetin
Nisin “mësymja” në plazhin e Durrësit, atje ku çdo vit “dynden” qindra mijëra pushues nga gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Rritet edhe numri i vizitave në qendrat shëndetësorë të ngritura përgjatë bregdetit. Pse këtë vit uji i detit është më i pastër dhe cilat zona duhet të evitoni për t’u ruajtur nga sëmundjet

Alket Aliu

Pushuesit kanë nisur të zbarkojnë në plazhet e Shqipërisë. Vijnë nga rrethe të tjera të vendit, nga Kosova e Maqedonia. Fluksi është rritur në ditët e para të korrikut, por janë rritur edhe rastet e problemeve me shëndetin. Disa pushues madje kanë humbur jetën si pasojë e goditjeve nga infarkti apo mbytjes në det.

Plazhi i Durrësit është nga më të mëdhenjtë dhe më të frekuentuarit në vend. Vija bregdetare fillon përtej Shkëmbit të Kavajës, vijon në plazhin e vjetër të qytetit, ndërpritet nga porti dhe rifillon tek Vollga drejt plazhit tradicional të Currilave. Në këtë vijë bregdetare përfshihet edhe Gjiri i Lalzit, deri përtej Kepit të Rodonit.

Drejtori i Shëndetit Publik në Durrës, Kristaq Huta, thotë për “Albanian Free Press” se kujdesi gjatë periudhës së verës nuk përfshin vetëm trajtimin e rasteve emergjente, por edhe monitorimin e ndotjes së ujit të detit dhe dezinfektimin e qytetit dhe plazheve kundër mushkonjave dhe insekteve të tjera.

“Kemi kryer shtatë ciklet e para të dezinfektimit dhe do të arrijmë në 12. Përparësi u kemi dhënë vendeve ku mushkonjat depozitojnë vezë si bodrume dhe vende të tjera ku grumbullohen ujëra të ndenjura. Por kemi patur një problem me mushkonjat. Dizinfektimi ka dhënë rezultate më të mira vjet kundër mushkonjave të llojit “tigër”, ndërsa këtë vit kemi një tjetër lloj mushkonje që është më e vështirë të luftohet”, thotë doktor Huta.

Ai shton se këtë vit bregdeti i Durrësit është më i pastër, për shkak të kolektorëve të rinj të vendosur në plazh. “Analizat e ujit të detit i bëjmë çdo 15 ditë dhe situata është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, por ende ka probleme në disa pika të nxehta si kanali në Plepa, zona e Vollgës, zona e hidrovorit në Porto Romano dhe grykëderdhja e lumit Erzen”.

“Albanian Free Press’ vizitoi një nga qendrat e kujdesit shëndetësor të ngritura për pushuesit dhe pikërisht atë më të frekuentuarën, në plazhin e Durrësit. Një paciente nga Maqedonia, Selvije Islami, sapo kishte bërë injeksionin dhe ndodhej e shtrirë në shtratin e vizitave, ndërsa mjekja Liri Alimani po i maste tensionin një të moshuari.

Ajo tregon se në këtë qendër shëndetësore zakonisht vijnë pushues që kanë probleme të pickimit nga insektet, alergji nga dielli, alergji nga ushqimet, pickime në det nga kandilët e detit, peshku elektrik apo gaforret, helmime nga ushqimet, otitet që shkaktohen kryesisht nga uji i detit etj.

“Kemi patur edhe raste të rënda, thotë mjekja Alimani. I tillë ishte rasti i një pacienti që kishte arritur në krizë hipertonie, pasi i kishte arritur tensioni 28. Por edhe ky ishte një rast që u trajtua me mjekim ambulator”.

Faik Islami ka marrë për krahu bashkëshorten e tij, Selvijen. Kam ardhur në plazh prej katër ditësh, por bashkëshortja pësoi një reaksion alergjik. Mezi e solla deri këtu, i dridheshin këmbët. Tani është mirë”, thotë Faiku.

Shqiptari nga Maqedonia thotë se është i kënaqur për shërbimin në këtë qendër dhe ndahet me një premtim: Vitin tjetër më keni prapë në Durrës.

Plazhi i Durrësit, Foto: Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: