Gara Basha-Selami, akuza të ndërsjellta për lidhje me Sorosin

Gara Basha-Selami, akuza të ndërsjellta për lidhje me Sorosin
Ka devijuar gara e dy kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike. Akuza mbi Eduard Selamin për bashkëshorten e punësuar në fondacionin e Sorosit. Selami i përvishet Bashës: Ke falënderuar Sorosin për bursën, të kanë filmuar

Lidhjet me George Soros kanë qenë në fokus të debatit që dy kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike kanë zhvilluar në qytetin e Korçës. Lulzim Basha dhe Eduard Selami janë pyetur nga anëtarët e PD-së pikërisht për raportin që ata kanë me miliarderin.

Si Basha, edhe Selami kanë përgënjeshtruar një lidhje të tillë.

Eduard Selami ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me Sorosin dhe fondacionet e tij, edhe pse bashkëshortja e tij punon për fondacionin e miliarderit amerikan. “Ajo nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen time”, është shprehur Selami.

Edhe Basha ka mohuar lidhjen me miliarderin hebre me origjinë hungareze dhe pasaportë amerikane. Ai ka deklaruar se organizata mbështet Edi Ramën dhe partinë Socialiste.

Por ky ka qenë vetëm fillimi i debatit. Eduard Selami i ka kërkuar Bashës të thotë të vërtetën, duke e akuzuar se bursën në Holandë e ka marrë nga fondacioni i Sorosit.

“Lulzim Basha dhe Grida Duma e kanë falënderuar publikisht George Soros për mundësimin e studimeve dhe për ketë ka edhe filmime”, vijoi akuzën Selami.

Lulzim Basha është përgjigjur se bursën e ka marrë nga një fondacion tjetër dhe jo nga OJF-ja e Sorosit.

Eduard Selami dhe Lulzim Basha janë kandidatë për kryetar të Partisë demokratike, në zgjedhjet që do të organizohen sipas parimit “një anëtar, një votë”, më 22 korrik.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: