Gentiana Sula: 32 milionë faqe dokumente, vetëm 130 persona të interesuar për dosjet

Gentiana Sula: 32 milionë faqe dokumente, vetëm 130 persona të interesuar për dosjet
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është formuar zyrtarisht në vjeshtën e vitit të kaluar. Është kompletuar me staf dhe ka marrë zyrat në një godinë brenda territorit të Gardës së Republikës. Po çfarë është bërë realisht me dosjet dhe sa ka qenë interesi i njerëzve për t’u njohur me të kaluarën e tyre?

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, thotë në një intervistë për “Albanian Free Press” se hapi i parë është grumbullimi i materialeve arkivore. Janë deri tani 32 milionë fletë. Po çfarë ka brenda tyre? “Janë 212 mijë dosje të ndryshme të ish-Sigurimit të Shtetit, 250 mijë kartela individuale, rreth 15 mijë dosje hetimore gjyqësore, 21 mijë dosje të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijëra regjistra, procesverbale e akte normative”, thotë kryetarja Sula, e cila shton se ende mungon një sasi e konsiderueshme dokumentesh në magazinën e Autoritetit.

Puna ka filluar prej disa muajsh, por duket se interesi i njerëzve është minimal. Vetëm 130 kërkesa nga individë dhe subjekte shtetërore, ndërsa për të punuar në këtë institucion shërben një “armatë” njerëzish...

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Në çfarë gjendje fizike e keni gjetur arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit, për sa i përket numrit dhe  përmbajtjes së dosjeve? Ju rezulton të ketë materiale të zhdukura?

Identifikimi, grumbullimi, përpunimi i fondeve të ish-sigurimit të shtetit 1944–1991 përbën një hap themelor të punës sonë, që do të na mundësojë kryerjen e shërbimeve të transparencës ndaj publikut dhe institucioneve sipas kërkesave të ligjit 45/2015.

Në bashkëpunim me institucionet partnere si Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ dhe Arkiva Qendrore, kemi identifikuar një fond që është objekt i punës së AIDSSH. Ky fond përbëhet nga 212 mijë dosje të ndryshme të ish-Sigurimit të Shtetit, 250 mijë kartela individuale, rreth 15 mijë dosje hetimore gjyqësore, 21 mijë dosje të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijëra regjistra, procesverbale e akte normative. Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente të hartuara. Ky nuk është fondi i plotë. Pjesë të rëndësishme të këtij fondi janë ende të painventarizuara dhe të shpërndara. Kemi dijeni për fonde të rëndësishme që na mungojnë. Kështu p.sh. mungon fondi i ish kampit famëkeq të Tepelenës, ku vuajtën mijëra gra, pleq e fëmijë.

Duhet thënë se me arkivat nuk është investuar mjaftueshëm dhe nuk iu është kushtuar vëmendje. Shpesh arkivat e rretheve ose të institucioneve të caktuara mund të kenë magazinuar material, por mund të mos jenë në dijeni të përmbajtjes së tyre. Jemi në kërkim të vazhdueshëm të fondeve arkivore për të plotësuar mozaikun e plotë të ngjarjeve të asaj kohe, për të cilat jemi ngarkuar nga ligjvënësi. Kërkimi ynë do të shënjestrojë edhe më mirë gjyqësorin, në qendër e rrethe, arkivat lokale etj.

Për sa  i përket asgjësimeve, AIDSSH ka krijuar një grup pune që drejtohet nga një anëtar Autoriteti, që po evidenton proceset formale të asgjësimeve ndër vite, përfshirë ato asgjësime që u kryen ne agimin e demokracisë. Një raport i plotë do të publikohet në shtator.

Për sa i përket gjendjes fizike, mund t’ju themi se, nga këqyrja e deritanishme e dosjeve të verifikuara, rezultojnë se, ato janë në gjendje të ruajtura mirë, kuptohet nga vetë koha e ruajtjes së tyre fizike, vërehen dosje dhe dokumente të përfshira në to që janë të zverdhura, që padyshim paraqesin vështirësi në lexim dhe më pas në përpunimin e tyre. Krijimi i kushteve optimale të mbrojtjes nga zjarri, sigurisë fizike, kushteve  teknike si lagështia e temperatura e duhur, ajrimi, disinfektimi për insekte e brejtës, si dhe trajtimi kundër myqeve, etj do të jenë parësore në punën tonë. Po ashtu, do të mundohemi të dixhitalizojmë materialet me vlerë historike, me qellim që ato të ekspozohen sa më pak nga dëmi i përdorimit nga studiuesit dhe personeli.

Sa kërkesa keni patur që kur nisi puna në institucionin tuaj. Sa prej tyre vijnë nga institucionet dhe sa nga persona privatë?

Në këto pak muaj, numri total i kërkesave ta paraqitura pranë Autoritetit është rreth 130 kërkesa, nga të cilat:

Numri i kërkesave individuale për informim, të paraqitura në Autoritet, është rreth 110, numri i kërkesave për informim, nga institucionet kushtetuese, autoritetet publike, dhe subjektet e tjera të paraqitura në Autoritet është 20.

Ndërsa numri i personave të verifikuar mbi bazën e dokumentacionit të administruar dhe vendimmarrjes së Autoritetit, është 580.

Të cilës natyrë janë kërkesat private  Për çfarë janë të interesuar më shumë individët?

Qëllimi i kërkesave individuale, kryesisht ka të bëjë me marrjen e informacionit nëse ka qenë ndonjëherë i survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, nëse ka dokument për të, për të vërtetuar faktin që nuk ka qenë bashkëpunëtor apo i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Por kemi dhe raste ku qëllimi i kërkesës është i lidhur me rehabilitimin, ruajtjen e të drejtave  apo qartësimin e fatit të të vdekurve apo të zhdukurve, etj.

Deri në cilat limite shkon institucioni juaj në kthimin e përgjigjeve, duke patur parasysh edhe çështjen e privatësisë?

Një nga parimet që udhëhiqet Autoriteti gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që i ngarkon  Ligji 45/2015, është kthimi i përgjigjes referuar objektit të kërkesës, por jo vetëm. Është dhe mbrojtja e interesit publik dhe sigurisë kombëtare, si dhe mbrojtja e të drejtës për jetën private dhe të dhënave personale. Në këtë kuadër, Autoriteti merr masa për kufizimin pjesërisht të të drejtës për informim të kërkuesit, duke marrë në konsideratë Ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”, dhe Ligjin nr.9887, datë 10.03.2008, i ndryshuar, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Neni 20 e në vijim i ligjit 45/2015, parashikon rastet kur kërkuesit i dorëzohen dublikatë të dokumenteve, vetëm pasi janë bërë të palexueshme të dhënat personale për të prekurit dhe palët e treta, ku përfshihen dhe të dhëna sensitive familjare, duke marrë në konsideratë për aq sa është e mundur dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithsesi dispozita të veçanta të këtij ligji, përcaktojnë raste përjashtimore të përdorimit të të dhënave personale për qëllime rehabilitimi të personave të vdekur apo të zhdukur etj.

Neni 21 i ligjit 45/2015, përcakton shprehimisht se kur në dokumentet ekzistuese të përgatitura për personin e prekur apo palë të treta, të cilat janë shqyrtuar nga këta të fundit apo familjarë të tyre, ka pseudonime të bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit, që kanë survejuar, grumbulluar ose vlerësuar informacione për ta, atëherë me kërkesë të të prekurve apo palëve të treta, Autoriteti bën zbardhjen e emrave të bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit, dhe emrat e këtyre të fundit i bëhen me dije kërkuesit.

Prej shumë vitesh vijon debati publik për çështjen e dosjeve. A mendoni se Autoriteti i përmbush gjithë kërkesat e publikut dhe se çështja e hapjes së dosjeve mund të quhet e ezauruar?

I qëndroj deklarimit të kahershëm dhe shpreh bindjen se, në morinë e dosjeve që do të administrojë Autoriteti dhe nga këqyrja e dokumenteve të përfshira në këto dosje të ish–Sigurimit të Shtetit, do të gjenden prova, gjurmë, fakte dhe grup faktesh që do të hedhin dritë mbi të kaluarën e errët që i rëndojnë në vite individëve, familjeve dhe shtetit shqiptar të periudhës diktatoriale. Ky është një proces i cili sapo ka filluar dhe po korr frytet e para, ndërkohë që vende të tjera të Europës Lindore kanë kohë që e kanë filluar dhe në këtë kontekst nuk mund të lë pa përmendur përvojën e shtetit gjerman dhe atij bullgar në këtë fushë, me të cilët jemi në kontakte të vazhdueshme për ecurinë e këtij procesi dhe praktikat ndërkombëtare të krijuara.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: