Harta e investimeve të huaja, Greqia më bujarja

Harta e investimeve të huaja, Greqia më bujarja
Eglantina Nasi

Ajo mund të cilësohet si shteti më bujar, që ka hedhur mjaft para’ në formë investimesh në tokën shqiptare. Fjala është për Greqinë, e cila rezulton të jetë në krye të vendeve që kanë investuar tek ne, madje duke lënë pas me disa herë edhe shtete që mund të jenë më potencialë se ajo në aspektin ekonomik. Por mesa duket një gjë e tillë, nuk i ka penguar sipërmarrësit e shtetit fqinj që ta shohin vendin tonë si një mundësi të mirë investimi, e për  të vijuar kështu trendin historik të krijuar gjatë këtyre 27 viteve të fundit prej saj. Konkretisht, sipas të dhënave të servirura nga Banka e Shqipërisë, rezulton se në tremujorin e parë të këtij viti investimet e huaja direkte të Greqisë në Shqipëri kapën një shifër prej 1.222 milionë eurosh. Në rritje, në krahasim me një vit më parë kur kjo shifër ka qenë prej 1.206 milionë eurosh, apo edhe 2.3 vjet më parë, kur është vërtitur sërish në kufijtë prej 1.175 milionë eurosh. Pas saj, renditet Holanda, e cila këtë fillimviti rezultoi se kishte kryer në vendin tonë 869 milionë euro, kundrejt 688 të tillave një vit më parë. Ndërkaq, harta e IHD-ve si e tillë nis dhe shpërndahet akoma më shumë në aspektin gjeografik, duke bërë që të jetë Kanadaja e treta në listën e vendeve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të hedhur paratë e tyre në formë investimesh, respektivisht me një shifër prej 839 milionë eurosh këtë vit, nga vetëm 740 që ajo ishte vjet. Për të lënë pas kështu, edhe vende që janë më afër Shqipërisë e që kanë një traditë bashkëpunimi ekonomik me të, të tilla si Italia. E cila në tremujorin e parë të këtij viti i ka patur investimet e huaja në vendin tonë vetëm në nivelin prej 576 milionë eurosh, rreth dy herë më pak sesa Greqia, të konsideruara vazhdimisht si partnere kryesore tregtare të Shqipërisë. Por që rezulton se nuk qenkan të tilla sa u përket IHD-ve. Teori e njëjtë kjo edhe për Turqinë, investimet e së cilës në vendin tonë vërtiten në kufirin e 500 milionë eurove, nga 400 të tilla që ishin 2/3 vjet më parë, e duke rezultuar gjithsesi në rritje nëse i shohim nga ky këndvështrim. Njësoj si ecuria e atyre që kanë mbërritur nga Austria, respektivisht në nivelin prej 443 milionë euro këtë fillimviti. Dhe që ua kalojnë në fakt atyre të realizuara nga Gjermania, një partnere kjo e rëndësishme ekonomike për vendin tonë, por që IHD-të sivjet i ka patur vetëm në shifrën prej 141 milionë eurosh. Sikundër, edhe Anglia apo Franca, dy vende potenciale ekonomikisht në Evropë, por që në Shqipëri i kanë investimet e huaja direkte respektivisht në nivelet prej 40 dhe 80 milionë euro.

 

Ishujt Kajman e Virgin, “surpriza” e hartës

Mund të cilësohen si “surpriza” e hartës së investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Dhe kjo, sepse në një kohë që shumë shqiptarë ende nuk e dinë se ku gjenden ato në hartën e botës, Ishujt Kajman apo ata Virgin rezulton se paskan hedhur mjaft para’ në formë investimesh në tokën e tyre. Të parët, gjendur pranë Kubës, njihen në botë për të ashtuquajturat “kompani offshore”. Dhe rezulton se në vendin tonë kanë financuar jo pak, por plot 30 milionë euro. Kurse nga Ishujt britanikë Virgin, që gjenden pranë Karaibeve mësohet se kanë mbërritur 2 milionë euro investime. Madje, edhe që nga Panamaja e largët, edhe ky një vend i përfolur për ekzistencën e kompanive të llojit offshore (skandali “Panama’s Papers), rezulton se janë hedhur para’ në Shqipëri, respektivisht 4 milionë euro. Shifër kjo e ardhur në rritje, nga vetëm 2 milionë euro investime të huaja që figuronin prej saj në vitin 2015. Sikundër një vend tjetër mjaft interesant që figuron në hartën e investimeve të huaja direkte është edhe Qiproja, me plot 148 milionë euro të tilla, duke ia kaluar kështu edhe vendeve të fuqishme ekonomike të tilla si Gjermania etj.

 

Edhe arabët kanë hedhur mjaft para’ në Shqipëri, kryeson Libani dhe Emiratet

Edhe vendet me popullsi arabe rezulton se kanë hedhur mjaft para’ në Shqipëri gjatë viteve të fundit në formë investimesh. Kështu, listën e tyre e kryeson pikërisht Libani, me një total investimesh të huaja direkte prej 63 milionë eurosh, shifër kjo gjithmonë e në rritje, krahasuar me 43 milionë të tilla që kanë ekzistuar në vitin 2014. Pasuar më tej nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë financuar në vendin tonë deri në 20 milionë euro. Teksa prej tyre në listën e ofruar nga Banka e Shqipërisë mund të shohim se mungojnë vende si Arabia Saudite, Irani etj. Madje jepen edhe shifra negative sa u përket investimeve të huaja direkte drejt vendit tonë, si në rastin e Kuvajtit për shembull, deri në -4 milionë euro.

MUNGESAT

Ajo që bie në sy në hartën e vendeve nga burojnë investimet e huaja direkte në vendin tonë është edhe mungesa e mjaft prej tyre të cilat janë ndërkombëtarisht të njohura për potencialin e tyre ekonomik. Njëri prej tyre është përshembull Rusia, i cili nuk është përfshirë fare brenda saj. Apo Brazili, që është një ndër fuqitë e mëdha botërore gjithashtu. Sikundër edhe India etj. Madje edhe vetë Kina, një vend që është përfolur për interesin e saj gjeostrategjik mbi Ballkanin e Shqipërinë, numëron vetëm 7 milionë euro investime në listimin e ofruar prej autoriteteve shqiptare rreth tyre. Sakaq, në këtë të fundit, renditen edhe vende me 0% investime të huaja, siç është Rumania etj.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: