Infeksionet e lëkurës, kujdesi nga uji plazheve dhe pishinave

Infeksionet e lëkurës, kujdesi nga uji plazheve dhe pishinave
Mjekja dermatologe, Monika Fida, pohon se personat e prekur nga këto infeksione, duhet të shmangin frekuentimin e plazheve dhe pishinave deri në shërimin e tyre. Kjo jo vetëm që të mos përkeqësojnë situatën, por edhe të parandalojnë ndërlikimet e këtyre patologjive

Sonila Isaku

Në stinën e verës, gjatë frekuentimit të plazheve dhe pishinave, shqetësimet më të shpeshta që hasen janë infeksionet dhe myku në lëkurë. Mjekja dermatologe  DSHM, dr. Monika Fida, thotë se, personat e prekur nga këto infeksione, duhet të shmangin frekuentimin e plazheve dhe pishinave deri në shërimin e tyre. Kjo jo vetëm që të mos përkeqësojnë situatën dhe të parandalojnë ndërlikimet e këtyre patologjive, por pakësojnë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë. Infeksionet e lëkurës janë një grup patologjish që kanë një incidencë të shpeshtë dhe prekin një kontingjent të konsiderueshëm personash gjatë stinës së verës. Frekuentimi i plazheve publike dhe ndotja në këto mjedise, janë arsyeja kryesore e shfaqjes së këtyre patologjive. Kontakti i drejtpërdrejtë me faktorët shpërthyes: stafilokoku dhe streptokoku (mikrobe patogjenë), si dhe funge të ndryshëm, që ndodhen në ujin e detit e të pishinave, rërë apo shezlonë shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre problemeve ne lëkurë. Sipas mjekes dermatologe, sëmundja shfaqet atje ku gjen terren të përshtatshëm në kushte të një higjiene personale jo të mirë dhe varet nga sistemi imunitar i cili, gjatë ekspozimit në temperatura të larta, tenton të dobësohet, për pasojë individët preken më lehtë nga mikrobe të ndryshme që qarkullojnë në mjedisin e jashtëm.

Sëmundja

Këto sëmundje janë infeksionet strepto-stafilokoksike, sëmundje mykotike të lëkurës (impetigo contagiosa, pitiriasis versicolor, etj.). Së pari, rreziku qëndron në faktin se janë sëmundje ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë, nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare, të tilla si përdorimi i të njëjtit peshqir, përdorimi i veshjeve personale dhe shapkave e sandaleve personale, përdorimi i të njëjtit shezlon etj., dhe sigurisht nëse këta shkaktarë patogjenë gjejnë terren të përshtatshëm për t’u shfaqur. Veç kësaj, mund të ndodhë që sëmundja të përhapet dhe të japë komplikacione që kërkojnë trajtim më të gjatë dhe shenjat të bëhen më të rënda.

Vizita mjekësore

Rekomandohet që tek mjeku specialist, duhet të drejtoheni menjëherë, sapo shfaqen elementët e parë të sëmundjes në lëkurë, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i sëmundjes, përhapja, të shmanget kronicizimi i saj si dhe ndërlikimet. Fillimi i terapisë shmang dhe transmetimin e infeksionit tek personat e tjerë.

Kurimi

Mjekimi për këtë grup sëmundjesh është kompleks, në varësi të sëmundjes, shkallës së agravimit, përhapjes së saj dhe sigurisht, trajtimi është individual, pasi ndikon shumë faza e kapjes së sëmundjes. Kështu, nëse drejtohemi tek mjeku dermatolog në fazat kur sapo janë shfaqur elementët e parë, mjekimi bëhet vetëm lokalisht. Por nëse gjendja është e përkeqësuar, mjekimi shoqërohet me përdorimin e antibiotikëve dhe antimykotikëve oral. Gjithsesi, është vetëm mjeku specialist ai që përcakton skemën e mjekimit.

A shërohen këto patologji

Nëse këto sëmundje kapen dhe trajtohen në kohë, mund të kurohen mjaft mirë brenda pak ditësh. Por nëse nuk eliminohen agjentët shkaktarë dhe nuk ruhet një higjienë e mirë, atëherë sëmundja mund të rishfaqet, të riakutizohet dhe të kërkojë trajtim nga e para. Këto janë grup-sëmundjesh që nuk lënë imunitet, prandaj duhet të tregohet një kujdes i vazhdueshëm, sepse mund të përsëriten.

Këshilla

Këshillat përkojnë me shmangien sa më shumë të mikrobeve patogjenë që shkaktojnë këto grup sëmundjesh, pra, stafilokok, streptokok si dhe funget që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur, në ujin e pishinave dhe detin e ndotur, shezlong, etj. Rekomandohet të përdoren peshqirët personalë në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë me rërën dhe shezlongëve me lëkurën. Peshqirët është mirë të lahen çdo ditë pas frekuentimit të plazhit. Rekomandohet që sapo të dilni nga uji i detit apo i pishinave, të shpëlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël dhe veçanërisht në shtëpi të aplikohet larja e trupit me sapun ose shampo trupi, pra, jo vetëm me ujë të rrjedhshëm. Ekspozimi për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj agjentëve shkaktarë, shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës.

Rekomandohet të shmanget frekuentimi i plazheve dhe pishinave, në rast se shfaqen sëmundje në lëkurë deri në shërimin e tyre dhe kjo jo vetëm që mos të përkeqësojmë situatën dhe të parandalojmë ndërlikimin e këtyre patologjive, por pakësojmë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë.

 

Këshilla që duhen ndjekur

Shmangia e sa më shumë të mikrobeve patogjenë që shkaktojnë këto grup sëmundjesh, pra stafilokok, streptokok si dhe funget që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur, në ujin e pishinave dhe detin e ndotur, shezlonë, etj.

Rekomandohet të përdoren peshqirët personalë, në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë me rërën dhe shezlonëve me lëkurën. Peshqirët është mirë të lahen çdo ditë pas frekuentimit të plazhit.

Rekomandohet që, sapo të dilni nga uji i detit apo i pishinave, të shpëlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël dhe veçanërisht në shtëpi të aplikohet larja e trupit me sapun ose shampo trupi, pra, jo vetëm me ujë të rrjedhshëm.

Ekspozimi për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj agjentëve shkaktarë, shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës.

Rekomandohet të shmanget frekuentimi i plazheve dhe pishinave, në rast se shfaqen sëmundje në lëkurë deri në shërimin e tyre dhe kjo jo vetëm që mos të përkeqësojmë situatën dhe të parandalojmë ndërlikimin e këtyre patologjive, por pakësojmë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: