"Jeta tjetër" e Panucci, nga tragjedia 96', vallëzimet dhe deri te stoli kuqezi

"Jeta tjetër" e Panucci, nga tragjedia 96', vallëzimet dhe deri te stoli kuqezi
Christian Panucci u dëmtua si kapiten i Italisë në Lojërat Olimpike Atlanta 96', por gjatë kthimit për në Itali humbi bagazhet. Kjo bëri që ai të ndërronte avionin që më pas u rrëzua dhe vdiqën të gjithë pasagjerët   

Panucci pas mbylljes së karrierës si futbollist: Nga analist sporti, ndihmës i Fabio Capello e trajner i parë i Livorno e Ternana, deri tek pjesëmarrjet në show televizive “Dancing with the Stars”  

Aranit Muraçi

Christian Panucci u prezantua sot si pasues i Gianni De Biasi në stolin e kombëtares sonë. Si ish-lojtar i kombëtares italiane apo edhe i ekipeve si Milan, Real Madrid, ai njihet gjerësisht nga sportdashësit shqiptarë. Por pakkush e di se trajneri i ri i kombëtares së Shqipërisë i ka shpëtuar një herë mrekullisht vdekjes, apo ka qenë edhe analist sporti e pjesë e një show televiziv.

Pasi u tërhoq nga futbolli, karrierën e të cilit e njohin shumë futbolldashës në Shqipëri, Christian Panucci u bë fillimisht analist futbolli dhe komentator ndeshjesh në “SKY Italia”.  Në vitin 2011, ai mori pjesë në edicionin italian “Dancing with the Stars”.

Christiano Panucci e la punën si analist më 19 Mars 2012 për të pranuar ofertën e Maurizio Zamparini si trajner i Palermo, duke punuar krah drejtorit sportiv Luca Cattani. Më 24 prill ai u tërhoq nga kjo detyrë vetëm një muaj më pas. Më 23 korrik  2012 Panucci u ftua nga Fabio Capello si asistent i tij në drejtimin e Kombëtares së Rusisë. E la këtë detyrë pas eliminimit të Rusisë nga Kupa e Botës, Rusi 2018. Më 18 Mars 2015 ai zuri vendin e Ezio Gelain si trajner i Livornos, në Seria B.  Në korrik 2016, Panucci firmosi një kontratë një-vjeçare me Ternana.  Më 19 Korrik 2017, sot ai firmosi me kombëtaren e Shqipërisë.

Si lojtar ai njihet për karrierën te Genoa, Milan, Inter, Real, Chelsea, Roma e Parma.Po ashtu edhe si lojtar i kombëtares italiane.

Panucci është zgjedhur kapiten i kombëtares së Italisë në Lojërat Olimpike Atlanta 96. Italia ishte në atë kohë nën-kampione e botës. Panucci edhe pse kapiten, në mungesë të Baresit, u detyrua të kthehet më shpejt në shtëpi, për shkak të një dëmtimi. Panucci kishte planifikuar të merrte avionin “TWA 800” nga New York për në  Romë me një ndalesë në Paris, por humbi bagazhet gjatë udhëtimit nga Atlanta.  Ai u informua se kishte një linjë tjetër direkte “Alitalia” që fluturonte në Milano pak më vonë dhe zgjodhi atë. Mirëpo atë ditë, (17 korrik  1996) avioni “TWA 800” u rrëzua dhe 230 pasagjerët humbën jetën.

Fati të çon atje ku nuk e pret dhe sot, pas 21 vjetësh, Christian Panucci emërohet zyrtarisht trajner i Kombëtares së Shqipërisë.

Panucci, 44-vjeç, është me shtetësi gjysmë italiane dhe gjysmë çeke.

Nëse ai do të ndjekë rrugën e Gianni de Biasi, mund të bëhet edhe me shtetësi shqiptare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: