JU FLET DOKTORI- OPINION NGA EDISON YPI

JU FLET DOKTORI- OPINION NGA EDISON YPI
Nga EDISON YPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Me mushkëri të oksigjenuara me ajër bjeshke, ëndrra të bukura në mendje e zjarr në shpirt, zbrita në Tiranë pak a shumë si heronjtë e Balzakut dhe Mopasanit kanë zbritur në Paris. Isha i atillë që po të kisha ardhur nga Tropoja në Londër, Londra do më kishte bërë plotësisht si vetja. Por erdha në Tiranë, dhe ishte ajo që më bëri deri diku si vetja. Pa u mburrur, pa i rënë askujt më qafë, pa i hyrë askujt në hise, mbarova studimet, u bëra doktor, bëra një farë karriere. Tirana më rrinte ngushtë si triko leshi dhe më shkaktonte krruajtje. Tirana pordhë e piskamë, nuk më pranonte siç isha. Ngushtica, krruajtja, pordha, piskama, zgjatën derisa me Tiranën u detyrova të bashkëjetoj në një simbiozë të sikletshme. Punova. Mësova. Lexova. Më së shumti letërsi serioze, autorë klasikë, poezi, jetët e monarkëve. Ndërkohë, konstatova diçka drithëruese; unë - provinciali i fuqishëm; unë, - katundari i papërtuar;  unë, - maloku kryelartë, - isha pakrahasimisht superior, në çdo pikëpamje, ndaj gjithë të tjerëve. Mezi prisja t’ia ndizja turbinat hidrocentralit që më gumëzhinte nga brenda. Rasti erdhi. Çaushesku dhe Elena që i vranë si qen dhe i flakën mbi një beton, vërshimi nëpër ambasada dhe anije, revoltat e studentëve, ishin rrethanat e shumëpritura. Kontributet e mia të para në media, - që çuditën të madh e të vogël, - zgjedhja në krye të Partisë Demokratike, dhe hollësi të tjera, ishin prova se isha më i fuqishmi, më energjiku, më karizmatiku kalë që mund ta tërhiqte atë karrocë. Të tjerët ishin ca arrivistë nervozë dhe llafazanë me takát shumë më të ulët se ambiciet. Ishte e natyrshme dhe e kuptueshme që me kalimin e kohës, pas dehjes që u shkaktoi pirja me opingë e rakisë së Lirisë, duke u bërë pak nga pak esëll, shqiptarët të nisnin të hidhnin ickla dhe, rrjedhimisht, të pakësonin mbështetjen numerike për Partinë Demokratike. I ndodhur ngushtë për shkak të pamjaftueshmërisë numerike, për ta ruajtur popullaritetin dhe për të kryer punët, angazhova shumë spiuna. Për vite të tëra, Partia Demokratike ka qenë plot me spiuna. Ishte e madhe çudia e shqiptarëve të papërlyer simpatizues të Partisë Demokratike, para tablosë paradoksale, se si ka mundësi që të persekutuarve në liri, u duhej të mbroheshin nga sulmet e spiunave që donin ta transferonin ligësinë mbi shpinën e viktimave. S'kisha nga t’ia mbaja. E bëra nga halli. Spiunat ishin kryeulur të bindur, sidomos të shumtë. Të papërlyerit ishin pretendues kryelartë dhe të pakët. Aq e vërtetë është kjo që po them për spiunat e shumtë, që m’u desh të angazhoj, saqë, për shembull, sot e kësaj dite, askush nuk i afrohet dot Zërit të Amerikës apo mediave të tjera të huaja, po të mos ketë pasur lidhje me Sigurimin. E di se, për këtë mëkat, në botën tjetër do më duhet të vuaj disa vite ferr dhe kushedi se sa fuçia zifti të nxehtë në kurriz. I kam hak! S'kam ç’bëj! Do t’i duroj! Në ato vite, nisi dhe e ashtuquajtura media pluraliste. E pata nisur mrekullisht. Veç kur erdhi nga Lezha një këllirë komuniste që shkatërroi gjithçka që patëm thurur me durim. Lavirja lezhjane zëvendësoi pastërtinë me pisllëkun, të vërtetën me rrenën. Edhe asaj s'pata ç'i bëj. E keqja historike e bashkëpunimit të shumicës së shqiptarëve me krimin, më pengoi. E ula edhe më stekën. Shqipëria dhe shqiptarët të atrofizuar deri në qelizë, të zhveshur nga çdo pronë, çdo moral, çdo vetëdije mbi iniciativën individuale, nuk mund të ndaheshin aq kollaj nga mentaliteti totalitarist. U bashkuan në shumicë, në anën e revolucionit bolshevik që rrëmbeu pushtetin. Pushteti ynë nuk ishte as shumë i mirë, as shumë i keq. Bëmë sa mundëm në kushtet e mungesës së përvojës. Piramidat financiare nuk ua solla unë dhe as i gjeta midis jush. Për ato u kujdes syshkaba, gjarpri Sigurimi. Pasi morën pushtetin me dhunë revolucionare, nuk bënë asgjë, thjesht vodhën. Shqiptarët duhet të më jenë falënderues mua Doktorit që me përpjekje mbinjerëzore tetëvjeçare, jo vetëm nuk e lashë Partinë Demokratike të vdiste, por e solla në pushtet. Me po atë material njerëzor, me më pak spiuna të cilët m’u desh t’i mbaj për herë të dytë, për të njëjtën arsye si herën e parë, ndërtova rrugë, autostrada, tunele. Por mungesa e iniciativës dhe dembellëku, nuk mundësuan plotësimin e numrave për mbajtjen e pushtetit. Më 2013-n, me spiuna pa spiuna, ardhja e Partisë Demokratike në pushtet nuk qe e mundur. Kjo falë edhe mosmirënjohjes proverbiale shqiptareske. Ndoshta nuk duhej të isha larguar. Por kjo po thuhet tani. Atëherë nuk e tha kush. Në fushatën e 2013-s, duke dëshiruar me çdo kusht vazhdimin e punëve, bëra listë deputetësh për pushtet, jo për opozitë. Deputetët e zgjedhur në stilin tim autoritar për të bërë pushtet, nuk mund të bënin opozitë. Dhe nuk e bënë. Çadra nuk ishte ide e keqe. I keq ishte menaxhimi që ju bë, duke pranuar dhe stimuluar vërshimin e turlilloj fanatikëve që kujtuan se pas çadrës, do të bëheshin deputetë për të vetmen meritë se në çadër kishin përtypur fara dhe kishin ngrënë çokollata. Më vjen keq për idealistët, adhuruesit e vërtetë të Partisë Demokratike, për ata që Partisë Demokratike nuk i kanë marrë kurrë asgjë, vetëm i kanë dhënë. Më vjen keq gjithashtu, për zhgënjimin e tyre kur panë sjelljen e neveritshme të ish-ministrave dhe ish-deputetëve, të cilët pritën tinzisht në heshtje të shihnin në lista emrat e tyre, me shpresë se, pasi Partia Demokratike të fitonte, ata të vazhdonin të vidhnin duke shpërdoruar në mënyrë kriminale kapitalin e vetëm të Partisë Demokratike, kauzën e shenjtë të përndjekjes së të tjerëve. Pas këtyre turpeve, më vjen shumë për të qeshur me këta banakierët e televizioneve që bëjnë supozime të alambikuara për çfarë ndodhi në zgjedhjet e fundit; kaq për qind këtu e aq për qind atje, jo po u vodhën votat, jo po nuk u zbatuan standardet, e të tjera e të tjera broçkulla. Ajo që ndodhi është e thjeshtë, ajo që ndodhi është një gjë: Fitoi Edi Rama. Kaq dhe vetëm kaq. Të tjerat janë rrena që e çojnë Partinë Demokratike nga fjetorja në fjetore, nga humbja në humbje. Këtë, bashkë me ca gjëra të tjera, mua Doktorit që vetëm shëroj dhe kurrë nuk lëndoj, nuk më përket ta them. Po ta thosha do t’i ngjaja atyre oficerëve të Ushtrisë së Kuqe që rrinin në prapavijë dhe vrisnin cilindo ushtar ose oficer që, për arsyet e veta, nuk dëshironte të luftonte. Këto duhej t’i thoshin zgjebsat që kanë qenë veglat e mia. Por tani që Partinë Demokratike e mori lumi, edhe për ata është vonë ta thonë. Kaq kisha. Mbetet për t’u mësuar sa dakord është me këto që thashë, Edison Ypi.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: