Kanionet e Gradecit, një mundësi për argëtim dhe sporte ekstreme

Kanionet e Gradecit, një mundësi për argëtim dhe sporte ekstreme
Kanionet e Gradecit ndodhen në verilindje të qytetit të Çorovodës, 250 m mbi nivelin e detit. Ky kanion ka qenë një kalim nëntokësor karstik i lumit të Çorovodës, që me kohë, si pasojë e shembjes së tavanit doli në sipërfaqe. Për miliona vjet veprimtaria gërryese dhe tretëse e ujërave të përroit me të njëjtin emër, ka formuar një formë relievi shumë tërheqës.

Kanioni  është i gjatë rreth 3 km, i thellë 100 – 200 m, ndërsa gjerësia në fundin e tij arrin rreth 10-15 m, por nuk mungojnë edhe sektorët shumë të ngushtë prej vetëm 2-3 m. Fundi i kanionit ka reliev shumë të çrregullt, plot gropa me ujë të thellë, blloqe të mëdha shkëmbore të shkëputura e të shembura nga muret vertikale të kanionit. Të gjitha këto e bëjnë shumë të vështirë kalimin më këmbë përgjatë kanionit.

Edhe pse shpatet janë vertikale, në disa sektorë të tyre gjendet edhe bimësi barishtore, madje edhe drunore, si dushqe, dëllinja, frashëri, etj., që kanë mundur të kapen fort në shkëmb, duke futur rrënjët në plasaritjet e të çarat, ndërsa në zgavërimet e mureve vertikale kanë bërë fole shumë shpendë.

Vlerat e këtij monumenti janë shkencore, kulturore, ekologjike dhe turistike të rëndësisë vendore. Në disa sektorë, më pak të thellë të kanionit, mund të ushtrohen veprime praktike për të rinjtë që duan të mësojnë ngjitjet alpinistike.

Për ata që dëshirojnë sportin e aventurës skajore, do të ishte ideale zbritja apo ngjitja me litarë në muret vertikale të këtij kanioni.

Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike rurale Çorovodë–Gradec. Po këtu mund të vizitoni njëherësh edhe shpellën karstike të Pirogoshit. Këto kanione shfrytëzohen nga turistët për aktivitetet e sporteve të ujit dhe të ngjitjeve alpine. /f.c/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: