KËRKOHET NJË LIDER, JO PËR SHKRETËTIRË!- OPINION NGA SONILA MEÇO

KËRKOHET NJË LIDER, JO PËR SHKRETËTIRË!- OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Teksa shkruaj këtë artikull, në Paris zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp mes ministrit të Brendshëm francez, Gerard Collomb, dhe ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. E paralajmëruar nga një lajm i AFP-së dhe “Le Figaro” e datës 12 korrik, një çështje bazike për raportin mes dy vendeve mbetet kërkesa për azil e shqiptarëve në Francë. Collomb, njohës i mirë i kësaj problematike, si kryebashkiak prej vitesh i Lionit (post që e la me marrjen e detyrës si ministër dy muaj më parë), deklaronte një javë më parë për shtypin francez se për të mbetet prioritet absolut adresimi në kohë i çështjes së kërkesës së shtuar të shqiptarëve për azil në Francë, ku janë përqendruar 75% e kërkesave në nivel europian. Në fund të vitit 2016, Shqipëria ishte vendi i parë i origjinës së kërkesave për azil në Francë me 7.432 dosje, me dyfishim brenda vitit dhe shtim të ndjeshëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, sipas Zyrës Franceze të Mbrojtjes së Refugjatëve. 700 kërkesa për azil, kryesisht shqiptare, kalojnë çdo ditë në kampin e Blida-s në Metz që nga muaji prill, thekson ministri i Brendshëm francez. Një shqetësim që ka çuar me urgjencë në Paris ministrin tonë të Jashtëm, i cili është njohur edhe më herët me kërcënimin e vendeve të BE-së në rast se Shqipëria nuk adreson siç duhet këtë çështje.

Mbi shqiptarët u end jo pa ankth edhe frika e një rivendosjeje të mundshme të regjimit të vizave vitin e kaluar, gjë e cila u pasua nga deklarata të forta për mospranimin e azilantëve dhe kthimin e tyre me çdo kusht. Por masat e deritanishme nuk e kanë ndalur fluksin, duke ashpërsuar gjuhën e kryediplomatit francez në kërkim të bashkëpunimit dypalësh, për të zgjidhur atë që e cilëson disa herë në deklaratat e tij për AFP, rimarrë nga “Le Figaro” si “problem thelbësor”. Në komentet e lexuesve në faqet online të gazetave lexohet disa herë pyetja shpotitëse: “Po Shqipëria është vend në luftë?”.

Jo! Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, pret çeljen e negociatave për anëtarësim dhe ka një angazhim të shprehur për përmbushjen e reformave që afrojnë vendin e Ballkanit Perëndimor me familjen europiane. Atëherë çfarë po ndodh? Një rast mes të shumtëve?

Por nuk është kjo shenja e vetme e një stine që sjell kërkesa të prera ndaj Shqipërisë. Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, në një intervistë të gjatë e shteruese për “Zërin e Amerikës” do të shprehej: “Së pari, ne shpresojmë që të gjitha palët në Shqipëri të punojnë së bashku, qoftë partia në pushtet, ose opozita, për të mirën e qytetarëve, të bëjnë atë që ne mendojmë se duan qytetarët e Shqipërisë, që është përparimi për një ekonomi më të fortë, një ekonomi që të tërheqë investimet, qoftë nga brenda ashtu edhe nga kompani të huaja, qoftë nga Evropa, ose Amerika. Palët duhet të punojnë fort për të krijuar mundësi për të rinjtë, si në arsim, në punësim, që të rinjtë të duan të qëndrojnë në vend, dhe jo të kenë tundimin të ikin nga Shqipëria. Duam që palët të punojnë më shumë për të luftuar korrupsionin, të çrrënjosin korrupsionin mes zyrtarëve, të luftojnë më fort kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, të gjitha këto ne mendojmë se janë çështjet më shqetësuese për qytetarët e Shqipërisë.”

Pra, kërkohet qartë krijimi i kushteve në Shqipëri për të mos nxitur ikjen e shqiptarëve (problem ky që i adresohet edhe Ballkanit Perëndimor në tërësi), nëpërmjet rritjes e zhvillimit të ekonomisë, luftës ndaj korrupsionit, duke i adresuar me hartën e qartë të reformave. Për këtë diplomati i lartë amerikan kujton se: “Ajo që duam ne të shohim prej politikanëve, është punë intensive, qëllimet e tyre serioze dhe përpjekjet e sinqerta për të bërë detyrën e tyre si udhëheqës politikë, që do t’u tregojnë rrugën qytetarëve, të miratojnë dhe zbatojnë legjislacionin për reforma dhe që të japin prova që njerëzit në Bashkimin Evropian dhe më gjerë ta kuptojnë që Shqipëria është e angazhuar 100 për qind që të integrohet në institucionet euroatlantike”.

Në premtimet e qeverisë aktuale, rritja me 5% e ekonomisë deri në fund të mandatit nuk konsiderohet e mjaftueshme nga Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit si kusht për të krijuar premisa afrimi me familjen europiane.

Urgjenca e ndërhyrjes në ekonomi dhe reforma përsëritet disa herë gjatë intervistës, madje në mbyllje të saj Yee saktëson: “Ndërsa 3, 4, 5 për qind janë ritme të larta rritjeje krahasuar me demokraci të konsoliduara përfshirë vendin tim, nuk është e mjaftueshme për të arritur synimet që shumë nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, thonë se duan të arrijnë përsa i takon anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj mendoj se së pari dhe mbi të gjitha është përgjegjësia e udhëheqësve, e qeverive të vendeve të Ballkanit që ta kuptojnë se ka një afat gjatë të cilit shpresojmë të ketë një shteg mundësie për t’u futur në Bashkimin Evropian …. E dimë që është e vështirë, por ata duhet të vazhdojnë dhe të punojnë më me shpejtësi”.

Zgjedhja e fjalëve bëhet me kujdes për të mos lënë vend për asnjë keqinterpretim, duke parë të nevojshme në këtë ndërhyrje jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën. Duke kërkuar një angazhim thelbësor të saj, jo vetëm me kritika, por edhe alternativa e mundësi, nën një klimë bashkëpunimi. Pa orientuar qeverisjen e nesërme në formulë, nëse duhet të mbetet monopartiake, apo gjithëpërfshirëse, si fjalë e zgjedhur është “shpejtësia” e ndërhyrjes në ekonomi për të ndalur tundimin e fortë të ikjes nga ky vend. Gjë e pasqyruar edhe në deklaratat e kryediplomatit francez, me shifra të sakta e shqetësim serioz.

Por për të vulosur simptomat e qarta të stinës politike shqiptare pas 25 qershorit, të enjten u deklarua qartë e prerë edhe zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, David Muniz. Sipas tij: “Çështja e korrupsionit është shumë e përhapur këtu. Të krijohet përshtypja se Shqipëria është një vend, që ndoshta nuk do të bëjë biznes sidomos me kompani të mëdha, të cilat kanë edhe opsione të tjera. Një gjë e tillë mund të bëjë që ta kalosh Shqipërinë dhe të shikosh diku tjetër. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme për të ndryshuar këtë imazh... Do të përmend edhe tenderët publikë. Ne gjithmonë nxisim qeverinë të jetë transparente, e hapur dhe e efektshme në mënyrën se si i drejton tenderët publikë. Të bësh sistemin e drejtësisë të funksionojë në një mënyrë më efikase, të efektshme dhe të drejtë, do të jetë kritike për të parë zhvillim ekonomik në Shqipëri”.

Pra, në një kohë rekord, mesazhi ndërkombëtar që i adresohet kryeministrit shqiptar të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, është bërja e shtetit nëpërmjet ekonomisë dhe reformave, pa alibi, pa pretekste, duke pranuar madje edhe cilësinë e zgjedhjeve të fundit me njërin sy mbyllur, pavarësisht raporteve të OSBE-ODIHR-it dhe denoncimeve me zë e figurë të forcave pjesëmarrëse në zgjedhje për vjedhje e manipulime. E gjitha në emër të stabilitetit, krijimit të shtetit të fortë ekonomikisht që di të ofrojë drejtësi, që tw mos përsëritet shpotitëse në raportet e organizmave ndërkombëtarë, sa herë vërejnë rekordet e azilantëve shqiptarë, pyetja nëse “Shqipëria është vend në luftë?”.

Por ka edhe një anë tjetër, të zhytur disi më në hije në interpretim se nw deklarim. Kjo edhe prej medias që interpreton veç andej nga do të shkëlqejë “dielli” i interesit deklaratat e ndërkombëtarëve. Diplomatët amerikanë shprehin vlerësimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Dhe me tone tejet entuziaste. Po, kështu është! Pavarësisht problematikave, denoncimeve dhe provave të ofruara nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Vlerësim që buron qysh prej arritjes së marrëveshjes mes dy forcave politike në vend, e cila nuk është se pasqyroi parime demokratike, që nga respektimi i Kushtetutës e deri tek rregullat e forta të garës mbi barazinë e votës, por garantoi stabilitet, zhvillim të qetë të procesit zgjedhor, një rezultat të pastër që i jep mandat të plotë PS-së të ndërtojë qeverinë e re e vetme. Duke shpresuar kësisoj partnerët tanë euro-atlantikë në një rinisje të shpejtë, pa alibi, drejt zhvillimit, rritjes ekonomike, reformave për të bërë shtet. Me një lider që dëshmon autoritet dhe efikasitet, deri dje justifikuar nga “tepsia”. Ama jo autoritarist e antidemokratik. Vërtet demokracia përmendet shumë më pak se stabiliteti, vërtet se ka sot shembuj të qartë ku zhvillimi ekonomik ekziston edhe pa demokraci, vërtet se brenda Europës po lind një koncept i ri i demokraturës si në Hungari e Poloni, ku bëhet shtet, por jo domosdoshmërisht demokraci, por a është ky modeli ynë? Ku rrezikon të na shpjerë kjo, në rast se tek cilido lider i yni vihet basti për stabilitet dhe zhvillim ekonomik, duke toleruar edhe demokracinë e munguar?

Ajo çfarë po ndodh në Hungari e Poloni po dëshmon se demokracia liberale nuk “u mboll” me rrënjë në vendet e Europës Lindore. Çfarë kemi dëshmuar rregullisht prej vitit 1990 e këndej ka qenë një besim mistik se demokracia në këtw rajon do të vendoset falë fuqisë transformuese të BE-së. Dhe kështu ka ndodhur deri diku me vendet ish-komuniste; kushtet për zgjedhje të lira e demokratike, ekonomi të lirë tregu, respektimi i të drejtave të njeriut qenë të panegociushme për qeveritë e këtyre vendeve. Kostot ekonomike e politike të mosrespektimit të kritereve qenë aq të larta, sa vendet i nënshtroheshin njëra pas tjetrës tundimit europeist. Por sot, çfarë dallohet nga shembujt e demokracive të kërcënuara brenda BE-së e në vendet aspirante, është se reformat institucionale nuk u shoqëruan me politika që do të mund të prodhonin barazi politike, liri individuale, tolerancë shoqërore.

Foreign Policy në vëzhgimin e saj mbi dështimin e demokracive në këto vende vëren se mënyra e zgjedhur me matjet eurokrate të kritereve, duke besuar se do të shërbenin për të krijuar institucione të forta, që më pas do të forconin demokracinë, ka qenë e gabuar. Sepse institucionet në këto vende, si Polonia e Hungaria, marrin edhe nota vlerësimi maksimal, por projektet politike nuk favorizojnë më demokracinë liberale. Aty pushteti po përqendrohet në një dorë dhe liritë themelore nuk po respektohen. Vetë teknokratët europianë mbyllën njërin sy ndaj veprimeve të politikanëve, vlerave të munguara demokratike, sjelljes autoritariste të tyre. Duke u përqendruar tek ligjet e reformat e shkruara, korniza institucionale dhe retorika e liderve. Që sa vijnë e bëhen më të ngjashëm në sjellje, duke parashikuar kësisoj edhe sjelljen e kancelarive europiane ndaj tyre.

E nëse kjo ndodh me vende si Polonia e Hungaria, që sot kanë vënë Europën në pozitë të vështirë me respektimin edhe në letër, e jo më në praktikë, të Nenit 2 të Traktatit të Themelimit të BE-së që thotë së: “BE-ja është ndërtuar mbi vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për të drejtat e njeriut, përfshi ato të minoriteteve”, atëherë mund të imagjinohet se ç’mund të ndodhë me vende si Shqipëria, ende jashtë dyerve të Europës. Andaj, sado mikluese të ngjajnë deklaratat për nevojën e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Shqipëri, promovimi i tyre në kurriz të demokracisë, do të prodhonte jo lider të fortë, siç po kërkojnë sot partnerët euroatlantikë, por karikatura të autoritarizmit që do të justifikohej thjeshtë me rotacione në procese zgjedhore disi më të mirë se paraardhësit.

Janë thelbësore deklaratat e diplomatëve amerikanë për zhvillim të lartë ekonomik, luftë kundër korrupsionit e stabilitet në vend, përballë shqetësimit të kryediplomatit francez për shtimin e numrit të azilantëve shqiptarë në shifra të jashtëzakonshme në vitin e fundit. Me këtë ekonomi aktuale, sistem arsimor e drejtësie, të rinjtë duan të ikin. Por edhe një pjesë e aftë e shoqërisë, që kërkon një mundësi më të mirë. Dhe kjo e bën presionin shoqëror gjithnjë e më të dobët. Me punësimin e lartë në administratë shtetërore, privatin e ngulfatur nga politikat shtrënguese ekonomike, papunësinë e lartë dhe korrupsionin e gjithëpranuar, shqiptarët janë gjithnjë e më pak të lirë të zgjedhin, reagojnë e mendojnë qartë. Ndaj, nëse duam të jetojmë më mirë, sytë duhen hapur të dy, sa nga stabiliteti e sa nga demokracia, për të mos përfunduar pa të dyja e, mbi të gjitha, të vijojmë të mbetemi të varfër. E për të bërë këtë nuk nevojitet një i fortë për lider në një vend që zbrazet, por lider i fortë në një vend ku ke dëshirë të jetosh.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: