Kohë kursimesh, po bie besimi në ekonomi

Kohë kursimesh, po bie besimi në ekonomi
Duket se kjo nuk është kohë e favorshme për të kryer blerje të mëdha. Por as edhe kohë kursimesh, kur si bizneset, ashtu edhe qytetarët po e “shtrëngojnë” disi dorën për të shpenzuar apo investuar për të ardhmen e tyre. E gjitha kjo, pasi secili prej tyre po tregon se ka gjithmonë e më pak besim tek ekonomia si e tillë.

Të paktën kështu konstaton Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e saj të fundit mbi Besimin e Biznesit dhe të Konsumatorit, për të cilin pohon se ky tregues ka shënuar një rënie të tij gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Periudhë kjo e cila përkoi në fakt edhe me përgatitjen e vendit tonë për procesin zgjedhor të 25 qershorit 2017, i paraprirë nga një klimë e nxehtë politike, e cila mesa duket ka lënë edhe “gjurmën” e vet në zhvillimet ekonomike të vendit.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2017 ra me -9.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Niveli më i ulët i tij pasqyroi rënien e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar”, cilësojnë ekspertët e ekonomisë lidhur me një situatë të tillë.

Në terma më praktikë, për konsumatorin më pak besim në ekonomi, do të thotë më shumë kohë për t’u menduar para se ai të kryejë një blerje të madhe. Por edhe kursime më të pakta. Që të dy këta, elementë, të cilët në fakt për këtë vit kanë shënuar nivele mjaft të ulëta, respektivisht me rënie deri në shifrat -55.8% dhe -40.8%. Për të referuar kështu, një pasiguri të shtuar tek ai për të investuar, qoftë në aspektin material, por edhe atë monetar pranë bankave. Nga ana tjetër,  kjo vlen të thuhet edhe për pritshmërinë e këtyre dy treguesve në të ardhmen. Konkretisht, konsumatorët kanë pohuar se nuk kanë ndërmend të realizojnë blerje të mëdha as së afërmi, sikundër edhe të kursejnë para. Në shifra konkrete, këta tregues rezultojnë me një ecuri negative, respektivisht me -43.3% dhe -36.4%, për të treguar kështu se besimi në ekonomi jo vetëm që ka rënë gjatë pjesës së parë të këtij viti, por se do të jetë e vështirë për ta rikuperuar edhe në pjesën e dytë të tij. E kjo, pasi vetë konsumatorët e konsiderojnë gjendjen e tyre aktuale financiare “poshtë zeros”, me nivelin prej -4.7% dhe vetë situatën e tyre ekonomike në të tillë nivel të përafërt, me një ecuri negative, rreth -5.9%. E thënë më thjesht, me situata të tilla, asnjë konsumator nuk rend drejt shpenzimit të shumë parave, sikundër nuk ka as shumë të tilla për të kursyer.

Sipërmarrjet parashikojnë të lidhin më pak kontrata në të ardhmen

Sipërmarrjet private parashikojnë që të lidhin më pak kontrata gjatë muajve që vijnë. Këtë ato e kanë pohuar vetë, gjatë një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë, duke dhënë shifra negative për pritshmëritë që kanë lidhur me një veprim të tillë në të ardhmen. Konkretisht, sektori i industrisë ka raportuar një nivel negativ të parashikimit të tyre, me -2% për muajt e ardhshëm. Kurse ai i ndërtimit një nivel akoma edhe më të thellë për kontratat porositëse si të tilla, deri në shifrën prej -36%. Duke treguar në këtë mënyrë një lloj pesimizmi për ritmet e ecurisë së aktivitetit privat. Por që gjithsesi, rikuperohet më pas me shifrat pozitive që po të njëjtët sektorë raportojnë për tregues të tillë si punësimi apo normat e shfrytëzimit të kapaciteteve, të cilat rezultojnë gjithashtu të larta.

Biznesi ka më shumë siguri se konsumatori

Biznesi duket se reflekton më shumë siguri se konsumatori sa i përket ekonomisë, por edhe pritshmërive rreth saj. Sado që ai mund të përballet me vështirësi, paraqitet më optimist ndaj kthesave që ajo mund të marrë. Kështu pohojnë të paktën shifrat e ekspertëve bankarë, sipas të cilave, rezulton se disa sektorë të tij e kanë pozitiv besimin e tyre tek ekonomia. Konkretisht, bëhet fjalë për industrinë apo ndërtimin etj, të cilat për tremujorin e dytë të këtij viti kanë treguar një rritje të nivelit të treguesit të ndjesisë ekonomike. Kështu, në industri ai raportohet se vijoi të rritet me +4.5% për të dytin tremujor radhazi, referuar dinamikës pozitive të kontratave porositëse, por edhe prodhimit në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, sa i përket sektorit të ndërtimit, shifrat raportojnë se treguesi i tij i besimit vazhdoi tendencën rritëse deri në nivelin prej +1.7%, edhe ajo falë shtimit të kontratave dhe aktivitetit ndërtues si i tillë. Sikundër, duhet thënë se ka edhe sektorë të biznesit që kanë treguar një rënie të tyre gjatë këtij viti, siç është për shembull ai i shërbimeve, respektivisht me një nivel negativ deri në -18%.

PRITJET

Çmimet dhe papunësia duket se janë dy pikat kyçe ku “varet” fati i ekonomisë së vogël të çdo konsumatori në Shqipëri. Që të dyja në fakt, me një pritshmëri negative sipas tyre për muajt në vazhdim, duke përforcuar kështu lëkundjen e besimit të tyre në ekonomi. Konkretisht, nëse u referohemi shifrave, konsumatorët tregojnë se pritshmëria e tyre në lidhje me çmimet reflektohet të jetë mjaft e ulët për të ardhmen, me nivelin negativ deri në -25.7%. Sikundër, ajo e papunësisë rezulton sërish me një pritshmëri negative, deri në nivelin prej -8.5%. Kështu, me çmime më të larta, por edh me papunësi më të lartë, konsumatorët shqiptarë parashikojnë muaj jo dhe aq të sigurt për ta në këndvështrimin financiar si të tillë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: