Krijimi i Ligës profesioniste, pa firmën e Kukësit dhe Flamurtarit

Krijimi i Ligës profesioniste, pa firmën e Kukësit dhe Flamurtarit
Projekti për krijimin e Ligës profesioniste, kërkesë kjo e bërë prej kohësh nga  10 klube të Superligës, ka nisur të bëhet realitet. Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i pranishëm në mbledhje me përfaqësues të klubeve theksoi: “Duke u bashkuar këta 10 aktorë besoj që do ta promovojnë më mirë produktin e tyre, do të rrisin cilësinë, të ndajnë mes tyre ato që duhet të ndajnë dhe të maksimalizojnë të ardhurat nga ky produkt.”

Ligat më të rëndësishme në Europë e kanë krijuar me kohë ligën profesioniste, ku klubet kanë të drejtë vendimmarrje për të shmangur kontestimet dhe për të rritur buxhetin e tyre.

Buxheti që zotëron momentalisht Kategoria Superiore llogaritet në rreth 6 mln euro, shifër që pas vitit 2018, klubet do të kenë mundësinë ta menaxhojnë vetë. E drejta televizive, përzgjedhja e gjyqtarëve, e stadiumeve si dhe të tjera vendimmarrje do të jenë më tej në duart e vetë klubeve. Genc Tomori, drejtor sportiv i Partizanit, theksoi: “Një ligë e pavarur ku ekipet e Superiores do të jenë të pavarura nga Federata, do të bëjë që edhe presidentët nuk do të shohin vetëm federatën për arbitrat apo komisionet e Disiplinës. Pastaj do të jetë sinqeriteti i dhjetë presidentëve, që t’i shohin njerëzit në sy në kuptimin e vendimmarrjes.” Sipas tij, “futbolli është një produkt që duhet të nxjerrë lekë. Për fitimin e kampionatit apo Kupës të mos ketë kontestime, sepse janë të gjithë në një pjesë dhe aty të vendosin të gjithë.”

Në mbledhjen e organizuar munguan përfaqësuesit e Kukësit dhe Flamurtarit. Tetë klube firmosën krijimin e Ligës. Edmond Hasanbelliu, president i Teutës tha sePothuajse të gjithë klubet ishin, edhe pse do të ishte mirë që të ishin të gjitha. Megjithatë firmosëm për krijimin. Aty vendoset gjithçka për të ardhmen, për financimin dhe gjithçka. Në vitin 2018 themi se do të jemi me ligë profesioniste.” Astrit Gjyrezi, drejtues i Vllaznisë u shpreh se ka disa muaj që e ka marrë materialin dhe se klubi i tij ka shprehur dakordësinë për krijimin e Ligës, si një një hap pozitiv, edhe ose shtoi se “jemi ende në hapat e para”. Artur Dadaj, përfaqësues i Luftëtarit tha se ka ardhur koha që klubet të vendosim vetë, duke ngritur ankesa për gjykimet e deritanishme. Gentian Nushi, përfaqësues i Lushnjës tha në mbledhje se Liga “është shumë e vonuar, por asnjëherë nuk është vonë.”

A. Muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: