Kush është drejtoresha e re e Hipotekave

Kush është drejtoresha e re e Hipotekave
Blerina Doracaj u emërua drejtoreshë e Hipotekave dhe zëvendësoi në këtë detyrë drejtorin teknik.

Bie në sy përvoja e saj në organizatat joqeveritare si dhe angazhimi i hershëm në strukturat e Partisë Socialiste.

Ja  CV-ja e saj;

Blerina Doracaj (Shtylla) lindi në Tiranë, në 23 Shtator 1982.

Ka kryer shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Në vitin 2005 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës me rezultate shumë të mira.

Në vitin 2006 ka kryer kursin pasuniversitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci pranë Akademisë Diplomatike Shqiptare. Në vitin 2009 ka përfunduar studimet Master në degën Marketing, pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.  Në vitin 2013 ka përfunduar Shkollën e Studimeve Politike, financuar nga Këshilli i Evropës.

Ka nisur karrierën e saj në vitin 2004, si Administratore pranë Organizatës “Terres des hommes”, e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve dhe luftën kundër të gjitha formave të abuzimit ndaj tyre. 2006 – 2007 ka punuar si Asistente Ligjore pranë misionit të OSBE/ODHIR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për Qeverisjen Vendore. 2007 – 2015 ka punuar pranë Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore (MADA) në pozicionet e Oficeres Ligjore dhe të Prokurimeve si dhe shefe e Departamentit Ligjor dhe Administratës.

Nga viti 2015 – 2016 ka punuar si Këshilltare për Çështjet e Administratës Publike pranë Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, ku ka luajtur dhe rolin e koordinatores për reformën në Administratën Publike.  Ka ofruar asistencë ligjore dhe ekspertizë në fushën e prokurimit dhe çështje të tjera ligjore në disa organizma.

Korrik 2015 e në vazhdim është Anëtare e Këshillit Bashkiak, Tiranë dhe Këshillit të Qarkut, Tiranë.

Ka kryer kualifikime dhe trajnime në Menaxhimin e Projekteve; Trajnim mbi Menaxhimin e Prokurimeve në Sektorin Publik (ITC-ILO); Menaxhimi i Financave dhe Prokurimit (IFAD); Trajnim mbi Mirëqeverisjen dhe barazinë gjinore, etj.

Aktivitetin politik, e ka nisur në moshën 17 vjeçare në FRESSH ku ka mbajtur edhe postin e Sekretares për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (2001-2007);  Anëtare e bordit Këshillimor të FGSSH (2008 – 2012); Kryetare e Forumit të Gruas Socialiste për Njësinë Administrative Nr. 5 (2014-2016); Aktualisht, Anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe Kryetare e Forumit të Gruas Socialiste, Bashkia Tiranë.

Aktiviste dhe mbështetëse e kauzave që  kanë në fokus vajzat, gratë, fëmijët dhe familjet.

Blerina Doracaj është njohëse shumë mirë e gjuhës Angleze, Gjermane dhe Italiane.

Është e martuar dhe ka dy fëmijë. /l.k/

(Foto: Google)

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: