LISTA E ZEZË E EDI RAMËS- OPINION NGA SKËNDER MINXHOZI

LISTA E ZEZË E EDI RAMËS- OPINION NGA SKËNDER MINXHOZI
Nga SKËNDER MINXHOZI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Ramën e sulmojnë përditë në rrjetet sociale. Bashkë me të, aty sulmohen ashpër ministrat e tij, deputetët, pa harruar sigurisht edhe krahun tjetër, opozitën, me akuzat që ajo mbart nga koha kur ishte në pushtet. Do të ishte mirë që një pjesë e këtij "tëmthi" të hidhur publik që derdhet kundër shtetarëve tanë në internet, rrugë apo kafene, të kishte zënë vend disi edhe në listën që po komentojmë. Do ta bënte më të besueshme dhe më reale, paçka se mund të prekte ambiciet e ndonjë emri VIP, kandidat për ministër ose zyrtar i lartë në qeverinë e re

Ky ushtrim i munguar vetëpastrimi, e lë iniciativën në fjalë në kufijtë klaustrofobikë të një tentative kalimtare, më shumë sesa të një fillimi të ri të ndryshëm nga ajo që kemi parë në këto vite. Megjithatë Rama ka ende kohë për të na treguar sesa seriozisht e ka me luftën kundër abuzimit e korrupsionit. Na ka premtuar se gjuetia sapo ka nisur dhe se tani që e ka timonin vetë, gjërat do shkojnë ndryshe. Të shohim...

LISTA E ZEZË E EDI RAMËS

Edhe kësaj radhe nuk na dha emra ministrash. Sepse ato i mban mbyllur në mendjen e tij, me kënaqësinë cinike të njeriut që ka në dorë diçka që të tjerët s'e kanë, por që e di se e duan. Mbajeni kuriozitetin qeveritar në frigorifer, për pas pushimeve! Dje Edi Rama doli në publik jo me fotot e tij të zakonshme të Rilindjes Urbane apo me personazhet e Amarcord që i gjen me shije e klas, por me një listë të gjatë emrash të cilët në pamje të parë shumëkujt nuk i thonë asgjë. Të gjithë emrat e listës, siç u tha në raportin që e shoqëronte, janë pjesë e denoncimeve të publikut të thjeshtë, në rubrikën e hapur nga kryeministri, për sugjerimet e vërejtjet që lidhen me qeverisjen e katër viteve të ardhshme.

Zyrtarë të ujësjellësit në Koplik, mjekë në Memaliaj, nëpunës hipoteke në Gramsh apo inspektorë doganash në Kakavijë e kudo tjetër ku ka një pikë kalimi kufitar. Dominojnë doganat, hipotekat dhe zyrat e pronave. Me fjalë të tjera, asgjë e re dhe e padëgjuar më parë, kur flitet për perceptimin e publikut shqiptar për zyrat e shtetit!.

Së pari duhet thënë se kryeministri shqiptar po shfaq një profil parimisht të lavdërueshëm agresiv, kundër abuzivizmit në administratë, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale. Ky qëndrim proaktiv vjen si inerci e fushatës elektorale, ku ai foli gjatë për tepsinë dhe impaktin e saj negativ në punët e vendit, por edhe si një nevojë që Edi Rama e ndjen si shtysë të brendshme, për të lëvizur energjikisht në drejtim të pastërtisë së qeverisjes që drejton. Si një garanci që vetë qeverisja të jetë jetëgjatë dhe e qëndrueshme, në pozitën kur nuk ka më as LSI dhe as PDIU për t'ua hedhur mbi shpinë gurin e dështimeve.

Rama po premton të dëgjojë shqiptarët dhe ne duhet t'i themi atij "më mirë vonë se kurrë". Nuk kemi të drejtë ta paragjykojmë, por të drejtën për ta gjykuar vazhdojmë ta kemi të plotë dhe sovrane.

Në këtë aspekt, lista e zezë e Ramës përbën një ushtrim parimisht të lavdërueshëm denoncimi, por me jo pak bishta dhe dilema nga pas. Që të gjitha asfare të lidhura me ndonjë dëshirë çfarëdo, për të mbrojtur një skotë zyrtarësh që të gjithë e dimë sesa e inkriminuar është. Por të lidhura shumë ngushtë me seriozitetin e shtetit në luftën reale, e jo teatrale, kundër korrupsionit dhe mbartësve të tij. Duam, kemi nevojë urgjente, për një proces të thellë, serioz dhe shterues pastrimi të të gjitha kateve të shtetit. Një proces që shkon konform frymës dhe qëllimit final të reformës në drejtësi, e që qëndron prej muajsh i gdhendur në frazën lapidare të komisionerit Johannes Hahn "po presim të shohim peshqit e mëdhenj".

Nëse në atë listë ka emra të inkriminuar me shkelje dhe kundërvajtje penale a administrative, çka tingëllon mëse e mundshme, e gjitha kjo duhet provuar në rrugë ligjore, e jo me demaskime publike. Llogaria e Ramës, Bashës, Metës a Berishës në rrjetet sociale, është një podium jo i zakontë. Qindra mijë shqiptarë i frekuentojnë këto sheshe virtuale, ku përplasen çdo ditë mijëra klikime, komente e reagime gjithfarësh. Të të përfundojë emri në një listë të zezë në Facebook-un e Kryeministrit është jo vetëm një gjë e pakëndshme, por edhe thellësisht frustruese. Sidomos kur e merr rrogën në shtet dhe kur jeton në një vend ku thashethemet përhapen me shpejtësinë e dritës dhe e vërteta ecën me hapin e breshkës. Sepse, i nderuar kryeministër, ajo listë, sado e mbushur me zullumqarë dhe abuzues (të pretenduar) zyrash gjithfarësh, duhet certifikuar si e tillë nga një gjykatë. Nga ajo e uruar gjykatë, të cilën po presim të pastrohet prej vitesh nga të tjerë zullumqarë ndoshta edhe më të mëdhenj sesa përgjegjësit e ujësjellësit të Leskovikut apo drejtuesit e stacionit te trenave të Përrenjasit.

Lista e zezë e kryeministrit ka një aspekt të kamufluar fataliteti brenda saj. Dhe arsyeja është fare e thjeshtë. Duke hedhur për të "shqyer" në mejdanin mediatik një listë emrash me nëpunës të nivelit të ulët dhe shumë të ulët, lista konfirmon indirekt idenë se goditja squllet, shpulla zbutet dhe rrufeja stepet, kur ngjitesh lart. Një sëmundje e vjetër e rimarrë edhe nga një nismë e re, si kjo aktualja. Niveli i ulët i postit dhe përgjegjësisë që kanë personat e cituar në listë, është rikonfirmimi i idesë se peshqit e mëdhenj të Johaness Hahnit mbeten sërish jashtë rrezes së goditjes. Vazhdojnë të notojnë të qetë në ujin e tyre, ku s'ka grep që t'i kapë.

Ramën e sulmojnë përditë në rrjetet sociale. Bashkë me të, aty sulmohen ashpër ministrat e tij, deputetët, pa harruar sigurisht edhe krahun tjetër, opozitën, me akuzat që ajo mbart nga koha kur ishte në pushtet. Do të ishte mirë që një pjesë e këtij "tëmthi" të hidhur publik që derdhet kundër shtetarëve tanë në internet, rrugë apo kafene, të kishte zënë vend disi edhe në listën që po komentojmë. Do ta bënte më të besueshme dhe më reale, paçka se mund të prekte ambiciet e ndonjë emri VIP, kandidat për ministër ose zyrtar i lartë në qeverinë e re. Ky ushtrim i munguar vetëpastrimi, e lë iniciativën në fjalë në kufijtë klaustrofobikë të një tentative kalimtare, më shumë sesa të një fillimi të ri të ndryshëm nga ajo që kemi parë në këto vite. Megjithatë Rama ka ende kohë për të na treguar sesa seriozisht e ka me luftën kundër abuzimit e korrupsionit. Na ka premtuar se gjuetia sapo ka nisur dhe se tani që e ka timonin vetë, gjërat do shkojnë ndryshe. Të shohim...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: