LSI, FORCË E TRETË E PAPARË-NGA ROLAND QAFOKU

LSI, FORCË E TRETË E PAPARË-NGA ROLAND QAFOKU
NGA ROLAND QAFOKU

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Të gjithë ishim të bindur se ishte taktikë e Ilir Metës, deklarata e tij e përsëritur se LSI-ja do të dilte forcë e parë dhe e paparë në zgjedhjet e 25 qershorit. Në realitet, LSI-ja nuk doli forcë e parë, por gjithsesi çimentoi sërish vendi e tretë, pas PS-së dhe PD-së, një vend të cilin e ruan që nga viti 2004 kur kjo forcë politike u themelua. Por, ndërsa të gjithë po turren ta bëjnë Partinë Socialiste më fituese se sa ajo është dhe Partinë Demokratike më humbëse se sa ajo është në realitet, gati e kanë harruar LSI-në. Por podiumi i një gare, ka tre vende të shkallëzuara. Nëse i pari është fituesi real dhe në një farë mënyre i dyti është i pari që ka humbur, për të tretin medalja e bronztë ngjan sikur të jetë realisht kundër të dyve, edhe ndaj të parit edhe ndaj të dytit.  Në fakt, LSI-ja tashmë duket se i ka të dyja kundër dhe nga vendi i tretë rri e vështron dy të parët, nëse do të vazhdojnë të synojnë ta eliminojnë fare "bezdisësen" e tyre. Realisht, këto katër vjet priten të jenë prova më e madhe dhe më reale për LSI-në dhe të ardhmen e saj, duke qëndruar përballë dy opsioneve: Ose do të vazhdojë të rritet dhe të kthehet në një forcë edhe më përcaktuese në qeverisje, ose të tkurret dhe të kthehet në një parti me vlera minimale, si historia e PSD, PAD, PR apo PDIU. Mbështetur jo vetëm në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, por edhe më gjerë, LSI-ja meriton një analizë për të nxjerrë në pah disa anë negative dhe pozitive që e shoqëruan këtë forcë.

Anët pozitive

Së pari, LSI-ja çimentoi vendin e tretë në politikën shqiptare dhe kjo nuk është pak. Në zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005, LSI-ja mori 5 deputetë. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, mori 4 deputetë. Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, mori 16 deputetë dhe në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, mori 19 deputetë. Pra, në 4 zgjedhje të njëpasnjëshme parlamentare, LSI-ja rezulton të ketë jo vetëm rritje si forcë politike, por rritja e saj është e dukshme, konstante dhe mjaft përcaktuese.

Së dyti, aktualisht, LSI-ja ka tre deputetë më shumë se legjislatura e kaluar që do të thotë se grupi i saj parlamentar, tashmë, është i konsoliduar. Të gjithëve na kujtohet grupi parlamentar i LSI-së me katër dhe pesë deputetë, mbledhja e të cilëve ishte si një takim në kafene. Ndërsa që nga viti 2013, por edhe në legjislaturën që pritet të nisë, grupi do të jetë shumë i strukturuar, do të ketë kryetar dhe nënkryetarët e vet. Do të ketë sekretarët, shpërndarjen në komisione dhe, çfarë është më e rëndësishmja, një platformë të qartë të të bërit parlamentarizëm.

Së treti, LSI-ja vërtet është në opozitë, por me Ilir Metën president, ajo do të ketë gjithmonë një vlerë të shtuar. Vlen të theksohet se asnjë forcë politike në Shqipëri, renditur e treta, nuk ka patur përfaqësues të saj në detyrën më të lartë shtetërore. Natyrisht që presidenti është mbi palët, por një president i dalë nga një forcë politike, përherë ka tërheqjen e vet gravitacionale nga partia që e ka nxjerrë. A nuk ka ndodhur kështu me Sali Berishën-president, Rexhep Meidanin-president apo edhe me Bujar Nishanin-president?

Së katërti, kalimi i LSI-së në opozitë tregoi se tashmë në Shqipëri, një forcë nuk mund të qëndrojë në pushtet më shumë se 8 vjet. Që nga viti 1997, si PS-ja dhe PD-ja kanë konsumuar në qeverisje nga dy mandate me 8 vite të plota. Nuk bëri përjashtim nga ky rregull edhe LSI-ja. Pra, pas 4 viteve në qeveri me PD-në dhe katër viteve me PS-në, LSI-ja kalon në opozitë dhe ky është rregull i pashkruar në politikën shqiptare.

Së pesti, tashmë nuk mund të thotë kush se LSI-ja është forca politike që shkon nga është pushteti. Një nga akuzat më të rënda që i është bërë LSI-së ka qenë pikërisht ngjitja e saj pas qeverisë së radhës. Por, me kalimin e saj në opozitë, kjo tezë tashmë ka rënë. LSI-ja u krijua në opozitë dhe qëndroi nga viti 2004 deri në vitin 2009, në opozitë. Tashmë, pas tetë viteve në qeveri, kaloi sërish në opozitë.

Së gjashti, vetëm në dy muaj, LSI-ja ka parë tre kryetarë të saj. Ilir Meta, Petrit Vasili dhe Monika Kryemadhi do të mbahen mend që, në pak kohë, kanë ndërruar timonin e LSI-së. E ndërsa Meta mbetet jo thjesht themeluesi, por edhe identiteti i kësaj partie, Petrit Vasili tregoi qytetarinë se pas një humbjeje dorëhiqet për t’i lënë vend dikujt tjetër. Në fakt, shumë mund të thonë se si mund të funksionojë një parti që bashkëshorti është president i republikës dhe bashkëshortja si zonjë e parë, është njëkohësisht edhe kryetare e një partie. Ata që kanë njohur dhe njohin mirë Metën dhe Kryemadhin, dinë po aq mirë ta bëjnë dallimin. Zonja Kryemadhi e ka nisur politikën dhe ka arritur sukseset e saj personale, pa u lidhur me Ilir Metën. sto që ka arritur në këto 27 vjet në politikë, padyshim janë të rralla për një grua në Shqipëri. Për ta ilustruar më mirë vlerën e zonjës Kryemadhi në politikë dhe tani si kryetare e LSI-së, po e ilustroj me një histori reale. Një deputet shumë i rëndësishëm i PS-së dhe njohës shumë i mirë i çiftit Meta-Kryemadhi, në momentin kur Meta u zgjodh president dhe dikush tha se tashmë LSI-ja pa Metën do të jetë një parti pa vlerë, tha: Prisni! Unë kam më shumë frikë Monikën se sa Ilirin!

Gabimet e LSI

Së pari, LSI-ja nuk u bë as forcë e dytë, as forcë e parë. Natyrisht qëndroi forcë e tretë e paparë  në këto 27 vjet.  Me afro 230 mijë vota, ajo ka marrë pothuajse të njëjtat vota sa zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, por ka marrë afro 20 mijë vota më pak se zgjedhjet lokale të viti 2015. Edhe pse zgjedhjet lokale kanë specifikë nga ato parlamentare, pritshmëria e LSI-së ishte shumë  më e madhe. Pati një ndjenjë euforie në LSI, që lidhej me shumë faktorë. Por kjo i humbi shumë pikë në elektorat që kishte aftësinë të nuhaste se PS-ja dhe PD-ja ishin bashkë kundër LSI-së dhe se kjo forcë po shkonte në opozitë. Mes këtij uragani euforik, Luan Rama bënte dallim, i cili me këmbë në tokë thoshte se LSI-ja do të merrte nga 20-25 deputetë. Në këto zgjedhje funksionoi, edhe një herë, pesëkëndëshi Tiranë-Durrës-Elbasan-Fier-Berat, por në disa qarqe rezultatet ishin poshtë pritshmërisë si në Shkodër, Dibër, Vlorë.

Së dyti, LSI-ja nuk arriti të bëj shkëputjen dhe të shfrytëzojë rënien drastike të PD-së që, në rastin më të mirë, ta zëvendësonte këtë parti si lider në opozitë. PD-ja do të vazhdojë të jetë lider në opozitë edhe pse synimet e LSI-së dolën më shumë se sa mundësia e saj.

Së treti, LSI-ja pati një taktikë të mirë dhe të drejtë elektorale. Ajo që mund të përmblidhet është, LSI-ja bëri vetëm 20 ditë fushatë kundër Ramës. Një parti që, në katër vjet, kishte folur publikisht, rrallë ose nënzë kundër qeverisë, papritur, gjatë fushatës u bë agresive deri në shpalljen armik numër 1 të PS-së dhe të vetë Edi Ramës. Kalimi nga ekstremi në ekstrem, bëri që elektorati i saj të tulatej dhe çoroditej dhe kjo solli stepje deri në braktisje.  A nuk bëri po këtë gjë Ylli Manjani dhe për këtë Meta dha OK-in që Rama ta shkarkonte? Nisur nga kjo situatë, më e pakta është se Meta me të tijtë duhet t’i kërkojnë falje Manjanit i cili nuk bëri asgjë më shumë se ajo që bëri e gjithë partia e tij, në 20 ditët e fundit të fushatës elektorale, duke drejtuar gishtin ndaj kryeministrit.

Së katërti, mund të themi se ishte një gjë e mirë se imazhi i LSI-së në këtë fushatë, ishte rinia. Për hir të vërtetës, rinia ka qenë thelbi politik dhe në krahasim me PS-në dhe PD-në. LSI-ja e ka fituar këtë bast. Kur shikoje vajza dhe djem të rinj në skalionin e parë të fushatës së LSI-së, ishte vërtet një frymë që nuk ishte parë më parë në politikën shqiptare, veçse në kohën e FRESH-it të kohës së Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe Pandeli Majkos. Por duket se kjo e kaloi shumë masën. Jo vetëm që më shumë në fjalime dhe ekrane përpara fushatës, dilnin ata që u quajtën U19 e LSI-së, por edhe në lista, po kjo kombëtare u promovua. Po si ka mundësi që LSI-ja ka në përbërje emra me shumë vlera si ministrat, Edmond Panariti, Nasip Naço, Sokol Dervishaj, Vangjel Tavo, Lefter Koka, Edmond Haxhinasto,  apo profesorët Shezai Rrokaj, Nora Malaj, Bruna Paskali e shumë të tjerë,  të cilët ishin prezent në ekrane pak ose aspak. Kulmi arriti që, imazhi i LSI-së nuk u bë asnjë nga këta emra të nderuar, por Klajda Gjosha e cila, deri më sot, ka marrë mbështetje si askush nga Meta dhe Kryemadhi. Por opinioni publik ende nuk i mban mend një frazë të vetme, nga mijëra fjalime që ajo ka mbajtur. Nuk mund të gjykosh Ilir Metën, përse e kanë mbështetur aq shumë Klajda Gjoshën dhe Kejdi Mehmetajn ,por sa e kanë justifikuar këto dy vajza këtë supermbështetje. Sepse "lëkura" e tyre, vlerën më të madhe do ta tregojë tani në opozitë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: