Luftëtari “luftë” Partizanit për trajnerin: “Milinkoviç e presim në Gjirokastër”

Luftëtari “luftë” Partizanit për trajnerin:  “Milinkoviç e presim në Gjirokastër”
 

Serbi Mladen Milinkoviç ka lënë në pritje dy klube të Kategorisë Superiore, Luftëtarin dhe Partizanin. Ai nuk ka pranuar deri tani që të rikthehet në kampin gjirokastrit pas premtimit që mori nga Partizani, por nga vonimi i vendimit të klubit kryeqytetas, kërkon sërish të përfitojë Luftëtari.

Zv/presidenti i këtij klubi, Artur Dadaj, beson te rikthimi i Milinkoviç.  “Trajneri është nën kontratë dhe besojmë se do të vazhdojë me ne edhe sezonin tjetër. Javën e ardhshme do të merret vendimi,” – theksoi Dadaj, i cili shton se pas suksesit në edicionin që u la pas, Luftëtari do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën rrugë.  - “Besoj se Luftëtari e ka brumin për të qenë pretendent edhe për sezonin e ardhshëm”.

Momentalisht, nuk ka një datë për grumbullimin e parë të skuadrës, ndërsa të njëjtën situatë duket se po kalon edhe Partizani. Të kuqtë pas dorëheqjes së Sulejman Starovës janë me pushime, ende pa trajner, në pritje të Milinkoviç. Java që vjen do të jetë vendimtare.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: