MARTIRËT E PARË TË OPOZITËS NË LUFTËN E “UJIT”- OPINION NGA FRROK ÇUPI

MARTIRËT E PARË TË OPOZITËS NË LUFTËN E “UJIT”- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Sot, në orët e para të ditës, dy të rinj, - një djalë e një vajzë, - nga radhët e opozitës LSI, kanë mbetur në fushën e kësaj beteje. Këta janë dy këshilltarë të bashkisë së Tiranës dhe kur flet për rënie dhe për heroizma, bëhet një lidhje me "bilbilejtë- trembëdhjetë..."  saqë "vanë në litarë vetë" - thotë kënga për 13 këshilltarë të Labërisë në Vlorë.

Edhe këta u vetësakrifikuan. Dje, në mbledhjen e Këshillit bashkiak të Tiranës, këshilltarja Genta Mezini dhe këshilltari Agim Kraja, të dy anëtarë të LSI-së, votuan në kundërshtim me udhëzimet e partisë, në favor të paketës së ujit të propozuar nga kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj. Paketa prezanton një rritje të çmimit të ujit për qytetarët e Tiranës, rritje që matet diku te 20 lekë për një metër kub të konsumuar.

Nisma për rritjen e çmimit të ujit e bashkisë së Tiranës, u kthye në fushën e parë të betejës politike të opozitës së dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, kundër maxhorancës qeverisëse. Aq fushë beteje saqë mund ta quajmë edhe provë e zjarrit, sikur të mos bëhej fjala për ujin.

Edhe sikur maxhoranca politike të mos e kishte projektuar vetë këtë situatë uji, përsëri mund të thuash se ajo ka një formë sikur është ndërtuar vërtet nga mjeshtër.

Ja pse:

1.

Sepse që në hapin e parë të opozitës, ende pa filluar punë qeveria e re, doli përpara çështja “Ujë”. Aq sa e rëndësishme, edhe e pavlerë. E rëndësishme, sepse uji është jetë dhe ndjeshmëria është botërisht shumë e lartë. Mirëpo në vendin tonë Shqipëri, ujërat janë pa fund, kudo. Edhe në traditën tonë, rrallëkush mund të ketë vdekur për ujë. Këtu është një traditë që njeriu ka vuajtur për bukën e gojës dhe qeveritë janë mburrur, sepse kanë siguruar bukën e gojës. Maxhoranca politike duket se e shtroi këtë çështje si të ndjeshmërisë së lartë, me qëllim që të provojë opozitën, domethënë ta provojë si do ta kthejë ujin në flori opozitar. Mirëpo, në këtë rast, doli e fituar maxhoranca dhe opozita u mbyt me një pikë ujë.

Opozita doli nga "uji", e përçarë. Kjo ishte prova e parë në favor të qeverisë, në shtator kur qeveria e re do të nisë punën, ajo e di se çfarë opozite ka përballë. Megjithë betimet se "do të kemi opozitë të fortë", nuk rezultoi kështu. Projeksioni “opozitë e fortë” u formësua nga tre partitë parlamentare: PD, LSI dhe PDIU. Edhe shpresat qytetare se këto mund të përbënin një opozitë të fortë u bazuan mbi faktin se do të bashkohen tre kundër PS-së që është e vetme në qeveri. Por dita e parë e betejës tregoi se blloku opozitar nuk është monolit. Kryetari i PD-së, Basha u nxitua të shprehë entuziazëm dhe të bëjë thirrje ndaj LSI-së e PDIU-së për t’u bashkuar "kundër ujit të bashkisë". Pa kaluar vetëm pak minuta, të dyja këto parti, jo vetëm që bënë sikur PD-ja nuk kishte folur, por shtruan platformën e tyre pavarësisht. PDIU-ja nën shëmbëlltyrën e LSI-së, shtroi disa kërkesa ndaj kryetarit të bashkisë dhe tha se do ta votojmë iniciativën. Afërsisht kështu tha edhe LSI: “Shtrojmë këto tre kërkesa..., në qoftë se plotësohen, atëherë votojmë pro”. Në të dyja rastet, kur thua në qoftë se, ke nënkuptuar se je gati për të votuar ligjin. PD mbeti e vetme, në virgjëri opozitare, ndërsa barka e frontit opozitar futi ujë.

Ligji mbi rritjen e  çmimit të ujit u miratua edhe me votat e opozitës.

3.

Po dëshmorët pse duheshin?

E para, për të vërtetuar në popull se opozita po bëhet ‘shumë e fortë’.

E dyta, për të vërtetuar secila parti opozitare se është ‘e virgjër’ përballë dy të tjerave. LSI-ja shpejtoi dhe përjashtoi nga grupi i këshilltarëve të vet dy këshilltarët Genta Mezini dhe Agim Kraja, që politikisht mund të quhen të sakrifikuar. Më parë u shpallën si të shitur, ndërsa sot u shpallën martirë përmes një fjale të kryetares, zonja Kryemadhi. Me siguri, qendra e partisë, kishte informacion se në zemër të këshillit’ kishte tradhti, ose se “tradhtia” ishte porositur nga vetë qendra. Por sot në mëngjes, një e treta e opozitës doli e larë, duke hedhur poshtë tradhtarët.

LSI, duke përdorur artistikisht historinë komuniste me tradhtarë dhe "fitimtarë mbi tradhtinë’", nisi luftën kundër moralit të opozitares tjetër, PD. Fillimisht, kryetari i grupit parlamentar, Vasili, iu drejtua kryetarit të PD-së, Basha dhe i kujtoi marrëveshjen e fshehtë me Ramën, duke e bërë paralele me batutën në një film të realizmit socialist: “Ha një lugë çorbë të prishur...”. Ndërsa sot, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi e sulmoi PD-në se ‘ju u shitët te Veliaj, e votuat dhe i morët disa kredi të buta për vete”.

Opozita tani është jo vetëm e përçarë, por edhe ‘e shitur’. Dy martirët janë veçse simboli, në fakt vetë opozita po shfaqet si martire...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: