Me rrënjë e me degë...

Me rrënjë e me degë...
Nga Juela Meçani

 

Ata që na rrethojnë në jetë, nga fëmijëria, nga mjedisi në punë, në lagje ose, në rastin tim, nga aktivizimi në politikë, krijojnë bazën më të gjerë të njohjeve, - në pjesën dërrmuese shoqërive dhe, në rastet me fat, të miqësive. Kjo është e pashmangshme, sepse në aq orë bashkë me këta shoqërues gjatë ditëve të tua, sa që shpesh, janë për ty më të afërt se një familje.

U ndala në këtë aspekt sepse, ajo që më së shumti më çoroditi në këto ditë të nxehta “post zgjedhore”, ishte një fjali nga një mikeshë në momentin kur në kulmin e pjekurisë së moshës dhe mendjes, vendosa të kërkoj një ndryshim në lidershipin politik të partisë ku aderoj prej mbi 23 vjet. Nuk jam aq utopike sa të mos prisja reagime, por një vajzë e shkolluar dhe qytetare përdori si “armë” përkuljeje atë që psikologët e quajnë “kërcënim emocional”. Shprehimisht, më kujtoi se me këtë vendim, do të humbisja miqtë.

Kur e lexova ç’më kishte shkruar, ndjeva dridhjet dhe reagimin e saj emocional të cilin sinqerisht, deri në këtë nivel, unë e kam vetëm për fëmijën tim. Një indoktrinim, tifozllëk dhe verbim ndaj një personi, jo ndaj një ideali, as ndaj ndonjë kauze të drejtë. Që këtu, u ndala dhe qesha me zë.

Do humbisja miqtë? Kujtova menjëherë se po kjo mikeshë kishte qarë hallet e papunësisë me mua të djathtën, por edhe me shoqërinë e saj të majtë e me pozitë që ta ndihmonte, atëherë kur rrezikonte të mbetej pa punë. Nuk e paragjykova asokohe, m’u duk normale, se jemi njerëz të gjallë e një ajër thithim. Por ja që sapo “liderit” i cili mban në dorë gurët e shahut iu tundën themelet, ose duhet të mbash ison e të bësh kompromis me idealet e tua, ose ikën miqtë e picave të fushatave. Çfarë????

Kujtova, gjithashtu, se mikesha ime më e ngushtë, ajo si motër, është një vajzë e majtë, nga familje e majtë, ku kam ngrënë bukë e zemër, madje edhe aktiviste e majtë. Kurrë, në asnjë rast, nuk jemi përleshur për politikë! Kemi diskutuar, sigurisht, por miqësia jonë është miqësi se, fundja, vdes një lider, lind një tjetër. Simotrës time majtiste, kishte shumë nga ata që i tërhiqnin veshin edhe thjesht për një foto në facebook me mua, djathtisten e thekur, por me shumë qytetari e me forcën që të jep dashuria, as që donte t’ia dinte për njeri.

Ja, pra, e pabesueshme, por erdhën sërish vitet kur edhe miqësitë u varkan nga politika, ose më saktë, po dole kundër turmës (një turmë në fakt shumë e vogël që po tkurret), humb miqtë. Sa vegël e dikujt mund të jesh që të arrish, deri në atë pikë, sa të vësh në diskutim parimet të cilat mbajnë një miqësi në këmbë? Ahhhh, kjo rinia jonë politikëdashëse! Në turravrapin për një emër të radhitur disa herë në një xhep lideri, ku i ka lënë cilësitë si besnikëria ndaj një besimi mbi të vërtetën? A ia bëjnë ndonjëherë pyetjen vetes: Po ky lideri në tentativë, që i lëshoi për të parë “botën kundërshtare” nën dylbinë e filozofisë “me rrënjë e me degë”, a ka vallë miq? E nëse ka, sa janë? Se një burrë e mbajnë dy gjëra, fjala e thënë në sy dhe miqtë për kokë. Ta lëmë të parën, po miqtë? A ia vlen vallë gjithë ky “kërcënim emocional” që ka shpërfytyruar një grupim, - dikur me fytyra të bukura idealesh, - që të shpërthejë nga ca shpirtra pa eksperiencën e luftës reale politike prej profesionistësh?

“Zorrët e barkut ngatërrohen”, - më thoshte gjyshi im përmetar. S’e kishte keq, se në fis e farë kur grindeshim, ç’nuk thoshim. Por a është inteligjente që me pisllëkun, shpifjen, ofendimin të ndyhen ata që nesër do të jenë ministra ose deputetë, ose thjesht prindër? Sa keqdashëse dhe hileqare është të shfrytëzosh adrenalinën ose edhe mungesën e “shtyllës kurrizore” për të ndërtuar kështjellën tënde prej rëre që dihet se do të rrëzohet? Kur bën kurban të rinjtë, e i sheh nga lart si kapen prej flokëve të delirit arrivist, a nuk është kjo komuniste deri në asht?

Kujdes duhet të kenë të gjithë, sepse që të rrijë e krekosur dhe e bardhë këmisha e një lideri, përzgjidhen ata të tjerët që do të bëhen pis. E nuk përzgjidhen kot. Ata janë nesër kartë e djegur. Për të gjithë, e kur të bëhen burra e gra, edhe për veten.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: