Mehdi Malkaj: Ju rrëfej jetën time tragjike, por të lumtur

Mehdi Malkaj: Ju rrëfej jetën time tragjike, por të lumtur
Kur flet me aktorin e mirënjohur, Mehdi Malkaj, karrierën dhe jetën e tij, duhet ta kesh parasysh se do të prekesh disa herë, ti vetë, - si gazetar e si njeri. Flet me të e të duket se je buzë lumit Vjosë, rrëzë maleve, e të duket se po shikon një film bardh e zi. Një film si ata klasikët që nuk shterojnë, nuk u ikën asnjëherë koha. Sepse Mehdi Malkaj flet pa lule e zbukurime. Ai është bir i vuajtur i qytetit të Memaliaj, ndihet krenar dhe me vlerësim të jashtëzakonshëm për rrënjët e tij. Aktori i Teatrit Kombëtar vjen në një rrëfim kaq të gjerë, për të parën herë pas shumë vitesh, mbi rrugën e gjatë, me peripeci të shumta deri në realizimin e ëndrrës së tij, të ndiqte Institutin e Lartë të Arteve.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Sa aromë Memaliaj, mban ende jeta jote?

Mban, shumë. Mban aq shumë sa po të ta them përgjigjen, nuk do mundesh ta besosh! Mbi 90 për qind, po. Nuk përtoj ta them që, për mua Memaliaj, është qyteti më i bukur në botë, sepse aty kam lindur e jam rritur, aty jam ngjitur në skenë për herë të parë, aty kam të gjallët e të vdekurit. Duartrokitjet e atij qyteti të vogël, më kanë bërë të besoj se edhe mund të ecja më tutje, siç ndodhi më pas! Aty është dashuria e madhe, për një gocë. Në çdo rrugicë që eci, takoj një kujtim timin, ku më kanë sharë e kam sharë, ku jam rrëzuar, si çdo fëmijë dhe i ri. Unë shkoj vit për vit, rri të paktën dhjetë ditë. Pi kafenë e bisedoj me Vjosën, mbyll sytë pas orës 19:00 e dëgjoj këngën e Vjosës.

Bëj bilancet e mia e them që isha një djalë nga Memaliaj, me ëndrra të mëdha që në parim i kam realizuar e kam shumë të tjera pa realizuar. Por kam realizuar ëndrrën time më të madhe, të jem pjesë e Teatrit Kombëtar. Për mua është privilegj i madh! Ka realizuar atë që eci në rrugë e njerëzit më flasin, shumë herë me drojë. Po unë jam i hapur, - bëj shaka me ta, bëj foto me ta, jam i lumtur kur takohem me njerëzit.

Kur luaj një shfaqje, kam përgjegjësi të madhe, më mbahet fryma, por kur dal në skenë, gjërat rrjedhin ndryshe. Frymëmarrja, zemra ime bëhet një me zëmrën e publikut në sallë e duartrokitjet tregojnë, pastaj, ka vlerë ose jo.

 

Por publiku e percepton këtë emocion tuajin, besoj...

Sigurisht. E çuditshme është që publiku bën një seleksionim të jashtëzakonshëm, duke mos u marrë vesh me njëri-tjetrin, 500 veta a më shumë që janë në sallë, të duartrokasin me shumë dashuri. Dikur, regjisori i madh Stanislavski, ka thënë: “Spektatori nuk ka mëshirë!”

 

Keni ardhur vonë në Akademinë e Arteve, 28-vjeçar. Mund të quhesh me shumë fat?

Unë kur kam lexuar një roman të Stendal. Aty takova një shprehje dhe thashë me vete se do të ndiqja atë shprehje. “Mosrealizimi i një ëndrre është më e rëndë se një vdekje”, - shkruan ai. Më të rëndë se vdekja nuk ka ,por ai thotë jo, është ëndrra dhe unë, që nga ai moment, jam përpjekur shumë për të realizuar ëndrrat e mia. Ëndrra e parë është që të shkollohesha, të studioja në Akademinë e Arteve. I vura vetes disa objektiva, p.sh., mendoja se do të shkoja në fakultet kur ende nuk e kisha mbaruar shkollën e mesme të cilën e mbarova pa shkëputje nga puna, natën. Shkollën e mesme e lashë që në vit të parë, për një arsye të thjeshtë.

 

Cila ishte?

Më çoi mësuesja e letërsisë në dërrasë të zezë dhe atletet i kisha pak të hapura. Disa goca që ishin në rresht të mesit, qeshën duke ulur kokën. Unë e kuptova pse qeshën. Hodha fshirësen me të majtën, se jam mëngjarash dhe ika nga shkolla. Ika për sedër e u futa në punë. Brigadierja ime e parë, ka qenë nëna e Agron Llakaj, Drita. Grua e jashtëzakonshme! Ishte punë shumë e rëndë, duhet të ngrija shtylla të rënda e m’u vra supi. Drita, mbaj mend, më tha vetëm kaq: “Ulu mo, mavri me bojë! Nuk e bën dot ti kët punë.” I ngriti ajo vetë shtyllat. Rroga e parë që mora, bleva këpucë dhe kalova nga shkolla që, ato vajzat, të më shikonin këpucët. Por nuk m’i panë. Unë doja t’u tregoja atyre gocave që unë isha i zoti të blija këpucë!

 

Sa vëllezër e motra jeni? A merreshin ata me art?

Ne jemi pesë vëllezër. Katër nga nëna e babai e një vëlla nga babai. Të gjithë janë marrë me art. Filloi çdo gjë si me shaka, në fakt. Në fillim merrej xhaxhai. Më pas, vëllai im i madh ishte aq i talentuar, saqë e hoqi nga skena xhaxhanë. Ai i binte njëkohësisht edhe trombonit dhe xhazit. Ishte në qendër të vëmendjes të qytetit. Duke parë vëllanë e madh, mendova se duhet të ndiqja rrugët e tij instinktivisht, pa ditur a kisha aftësi. Ndërkohë, kisha nisur të luaja futboll si sulmues i majtë i ekipit “Minatori”, lojtar teknik, por i dobët fizikisht. E gëzoja shumë spektatorin se qeshte me ato që bëja në ndeshje. Por dalja ime në skenë, është diku nga mosha 14 vjeç. Zhvilloheshin aktivitete në lagje, kishte zhurmë shumë ai qytet. Unë kam qenë qaraman, - “qurrash” më thërrisnin edhe vëllezërit. Një ditë, vëllai i madh hoqi peshqirin nga koka, - kishte bërë flokët me shkumë të dukej si Elvis Prestley. Ai ishte në rregull me veten e tij, hoqi pantallonat nga poshtë krevatit me shtatë vija, mori këpucët e lustruara dhe doli. U bëra kureshtar dhe e ndoqa. “O Reke, o Reke, të vij dhe unë me ty?” - e thirra në distancë. Ai u kthye e m’u përgjigj: “Po ik, o Mehdi, se ti të prish fotografinë.”

Kam qarë 24 orë për këtë, por nga ai moment kuptova se duhet të largoja lotët e të merresha me veten, të vishesha ndryshe, të mbahesha pastër. Qava me dënesë, por më rriti me një fjali! Filloi të më merrte me vete dhe kur unë isha vetëm, ndjeva se rolet i bëja më mirë se ata. Një ditë, vëllai i madh më zuri mat, duke bërë rolet e më mori e më gjeti një monolog. Kur vajtëm në shfaqje, unë isha tek kuintali e nuk dilja dot në skenë. “Po dil, ore, në skenë”, - me thoshte. Unë jo, që jo. Më dha një shkelm e më nxori. Imagjinoni si të nxjerr shkelmi në skenë. Spektatori reagoi sikur unë dola me një gjetje e plasën duartrokitjet e mëdha. Nuk e di nga më erdhi një kontroll i madh i gjendjes time psikofizike dhe njerëzit më pritën jashtëzakonisht mirë. Dola duke qarë nga gëzimi e vendosa se nuk do të dilja më nga ajo skenë dhe nuk dola më. I jam borxhli qytetit Memaliaj. I falënderoj shumë njerëzit që më kanë mbështetur! Unë borxhet nuk mund t’ua laj, por do të mundohem t’ua zvogëloj.

 

Çfarë tjetër do të veçoje nga ajo kohë?

Nënën nuk e kisha. Ajo iku nga kjo jetë 31 vjeçe e mua më la të vogël. Është një periudhë shumë tragjike humbja e nënës, për mua dhe vëllezërit e mi. Nënat e qytetit të Memaliaj, ishin për mua heroinat e qytetit. Të gjithë burrat punonin në minierë e të gjitha gratë gatuanin, lanin shpëlanin, shkundnin. Në behar i kishe të gjitha në Vjosë që lanin me mundim jorganë dhe batanije. Këto nëna nuk shikonin se kush fëmijë u vinte për të kërkuar bukë. Ato vetëm zgjasnin dorën. Fëmijë me djersë e me duar të pista e që merrnin bukë nga nënat e qytetit. Është shumë biblike kjo gjë! Ato nuk shikonin, vetëm jepnin të sigurta se dhe fëmija e tyre, diku, po merrte bukë nga një dorë nëne!

 

E keni lënë shkollën në ’67 dhe e keni rifilluar në ’76. Si shkuat deri atje?

Shokët e mi të fillores, kishin dalë mësues të tërë. Disa i kisha edhe mësues. Komisioni, atëherë në Akademi, ka qenë me 15 veta, të gjithë korifenj të artit. Besoj se katër veta ishin ata që e përcaktuan fatin tim atje, - mendoj se kam fituar 4 pro, 11 kundër. Unë nuk isha i përgatitur se nuk e dija çfarë duhej. I hipa autobusit e trenit, dhe erdha. Gëzim Kame më ka treguar se ata që ishin pro, ishin Gëzim Kame, Demir Hysja (i ndritë shpirti atje ku është), Luftar Paja dhe Birçe Hasko. Unë hyra bëra një fabul që dija, “Ezopi dhe gomari”, dhe dija vetëm një fjali të thjeshtë nga një tregim “Na hoqën Lulon”. Fjalia qe, “e dinim djalë të mirë Lulon”. Dhe me këto dy gjëra erdha në konkurs. Ishte ditë e enjte paradite, dhe konkursi bëhej në Teatrin Kombëtar, studion e provave. Ishin 30-40 veta. Ai që konkurroi para meje, u kollit pak përpara se të fillonte provën. E pyetën se nga ishte dhe çfarë kishte përgatitur. Kur mbaroi ai, unë isha i dyti në radhë. Më pyetën për emrin, për mesataren dhe unë i thashë 4,75. Panë njëri-tjetrin me mendimin se ky nuk mbushka. U kollita edhe unë. Profesor Gëzim Kame më pyeti a doja një gotë ujë? Iu përgjigja se e kisha lënë dhe nuk pija më. Ata, edhe një herë, panë njëri-tjetrin. “Ku ke punuar?” - më pyetën. “Në minierë. Nuk ka djalë në Memaliaj, që nuk ka punuar në minierë; edhe ata që kanë mbaruar me 10-ta, absolute”, - u thashë.

Mbarova fabulën dhe nisa fjalinë e vetme të tregimit që dija. Thashë vetëm: “E kishim burrë të mirë Lulon”. Në këtë moment, ndërhyn Luftar Paja dhe thotë jo moreeeeee, ëëëë. “Më plaçin sytë në të gënjej!”, - i përgjigjem unë. Kemi improvizuar të dy bashkë një tregim, një monolog të gjatë. Unë e kam në ndërmarrje dhe ti më thua mua se kush është Lulua… Pastaj unë i them komisionit se nuk vazhdoj dot më me këta. Timo më tha se a mund ta imitosh Luftar Pajan me Çobo Rrapushin. Nuk e kam parë, iu përgjigja unë. Më thanë të dilja. Dola dhe po rrija afër një pishe tek Akademia. Ata të komisionit po bënin pushim. Më afrohet Luftari dhe më pyeti çfarë po bëja. I them se jam me leje të zakonshme dhe do të pres. Ik më tha dhe mos prish paratë Tiranës. Unë, në atë kohë, isha i martuar dhe prisnim një fëmijë. Luftarin e njihja si aktor të mirë, por nuk kisha këmbyer ndonjëherë fjalë me të. E dëgjova fjalën e tij dhe ika. Kaloi një kohë e gjatë, kaluan shumë muaj që të vinte përgjigjja. Më duhej edhe të duroja përditë batutat në qytet ku të gjithë prisnin vendimin mbi shkollën time. Thashethemet në qytet, ishin pa fund. Erdhi zarfi dhe unë isha në ofiçinë, me makinë. U gëzova, nuk i mbajta dot lotët! Dorëzova makinën. U bëra gati për të ardhur në Tiranë.

 

Bashkëshortja e cila ishte shtatzënë, ndenji në Memaliaj?

Po, dua ta theksoj. Bashkëshortja ime është grua e jashtëzakonshme e cila më ka ndihmuar shumë! Ka qenë mbështetëse e madhe imja. Të gjithë i thanë që ku e dërgon burrin, se atëherë mendohej se tek artet bëhej nami. Por unë pashë dhe kuptova se vajzat e arteve ishin profesioniste, korrekte dhe serioze. Një paragjykim i pasaktë.

 

Çfarë është ajo që ju bën kaq të ndjerë e kaq të thjeshtë?

Nuk duhet të shkëputesh asnjëherë së qeni njeri, nuk duhet të shkëpusësh lidhjet që ke pasur, ke ecur dhe je dikush. Unë luaj thjesht dhe në skenë. Dal në skenë për të bërë detyrën si aktor, me pasion dhe dëshirë të madhe. Nuk kam një ditë raport në punë. Nuk më ka pritur njeri në prova se nuk kam shkuar kurrë me vonesë. Këtë vazhdoj ta kem edhe tani. Jam aktor si gjithë të tjerët, sa i mirë je e përcakton skena, - ja sheshi, ja mejdani. Jam i lumtur shumë për çfarë kam arritur deri tani!

Gjyshja ime që u bë nënë për ne, ishte një grua tepër e fortë. Nuk arrij ende ta kuptoj, se si na merrte për në fshat. Do orë rrugë në këmbë, vëllanë e vogël në gji, mua mbi qafë, tjetri në shpinë e tjetri që ecte duke e kapur prej fustani. Një gjyshe me shtat të vogël, por shumë e fortë. Në fshat ishim në parajsën tonë! Na donin jashtë mase, se ata një vajzë kishin pasur! Ajo më thoshte gjithmonë: “Mos arrifsh majat, biro” Pra, ajo donte të më thoshte se misioni duhet të vazhdonte, që mos njihje rënie.

 

Keni qenë fëmijë arrakat, Mehdi?

Unë kam qenë arrakat e mëngjarash. Zysh Lavdia u lodh me mua duke më rrahur, ma lidhën dorën. Babai im ishte minator e burrat nuk kishin kohë. Erdhi një ditë e i tha Lavdies: “Moj, Lavdie, sikur ky djali im mos e ketë dorën e majtë. Quhet sakat?” “Po, quhet” - i tha zysh Lavdia. “Po atëherë, ç’ke, pse ma bën sakat?” - kaq tha dhe iku. Që nga ai moment, nuk më rrahu më zysha.

Në klasë të katërt, kishte provime e ne shkruanim me penë e bojë. Do kisha ngelur tërë jetën, e një vit më lanë në klasë. Hartimet e mia dilnin ca letra me bojë. Profesor Bardhyli, vëllai i zysh Lavdies, - burrë i jashtëzakonshëm që e donin të gjithë, - hyri në klasë, më pa me lot në sy, më fërkoi kokën e i tha së motrës diçka që nuk do ta harroj kurrë: “Kaq idiote je? Nuk i jep dot një laps këtij fëmije?” - dhe unë kalova. Ai erdhi si një engjëll, në kohën e duhur, në vendin e duhur. Ka dhe një njeri në Memaliaj, që u bë një çerdhe e madhe për artin! Quhet Fatmir Meçe. Ai erdhi i shkolluar e i formuar, dhe na kanalizoi në një lojë ndryshe nga ajo tipike amatore. Ja, kjo është jeta dhe themelet e mia janë këta persona, vëllai im i madh, Luftar Paja, profesor Bardhyli, Fatmir Meçe e disa të tjerë që kanë qenë fati i jetës time, shenjtorët e mi!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: