Naxhi Kasoruho: Po the Gjirokastër, i ke thënë të tëra!

Naxhi Kasoruho:  Po the Gjirokastër,  i ke thënë të tëra!
INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh” Naxhi Kasoruho” Në historinë e qytetit të gurtë qëndron edhe kontributi i intelektualëve, njerëz të artit dhe kulturës

 

 

Qyteti i gurtë në jug të vendit, nuk përbën vetëm një trashëgimi të rrallë kulturore të vendit tonë, por në të njëjtën kohë edhe njerëzore. Një fakt i tillë bëhet me dije gjatë një interviste për “Albanian Free Press” nga Naxhi Kasoruho, dekoruar para pak javësh nga vetë Presidenti i Republikës, së bashku me një grup artistësh dhe intelektualësh të Gjirokastrës. Duke rrëfyer për lexuesit e kësaj gazete emocionet e kësaj ceremonie...

 

 

Intervistoi për “Albanian Free

Press”: Albert Z. ZHOLI

 

 

  1. Naxhi, për Gjirokastrën këndohet shumë, flitet shumë, jo vetëm për qytetin e gurtë tepër specifik, por edhe për intelektualët e saj. Si ndiheni kur ju pyesin nga jeni?

Në Gjirokastrën tonë të lashtë, të bukur, të mençur e të dashur, prindërit dhe prindërit e prindërve tanë kanë trashëguar me tërë dashurinë e shpirtit vlera të jashtëzakonshme të një trashëgimie që na bën të ndjehemi krenarë për të kaluarën tonë. Dhe kur na pyet dikush se nga je ti, ne me krenari i përgjigjemi: “Jam nga Gjirokastra!”.

Përveç vlerave arkitekturore, historike, banesave karakteristike, trashëgimisë kulturore, këngëve, valleve, dasmave, kostumeve popullore, Gjirokastra ka lindur edhe njerëz të ditur, të mençur, trima, luftëtarë, patriotë e heronj, që historia i ka memorizuar në kujtesën kombëtare si vlera të rralla e pasuri të çmuar. Në historinë e re të qytetit të gurtë qëndron dhe vlerësohet edhe kontributi i intelektualëve, njerëz të artit dhe kulturës, të cilët për dekada me rradhë kanë kontribuar për gjallërimin e jetës artistike në qytet e më gjerë. Për këtë kontribut të shquar Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” një grup personalitete të Gjirokastrës në vite.

 

Ju ishit pjesë e këtyre dekorimeve. Ku dhe si u zhvillua ceremonia?

Më 9 mars 2017, në sallën e Teatrit Dramatik të Gjirokastrës u organizua ceremonia e dorëzimit të këtyre dekoratave. Në këtë ceremoni festive Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani mbajti një fjalim përshëndetës, ku u ndal duke promovuar në tërë dimensionin dhe hapësirën e saj vlerat dhe trashëgiminë e Gjirokastrës dhe krahinave të saj, duke çmuar dhe shprehur vlerësime të larta e maksimale për personalitete të shquara të kulturës tonë kombëtare nga rilindësit e deri tek ata të ditëve të sotme.

 

Cilat ishin motivacionet?

Gjatë kësaj ceremonie të veçantë dhe emocionuese Presidenti i Republikës, i akordoi titullin “Mjeshtër i madh”, Lefter Dilo (pas vdekjes) me motivacionin: “Për klasin e lartë profesional, cilësinë, përkushtimin e pasionin në ngritjet e rrjetit muzeal dhe etnografik në Gjirokastër dhe jug të Shqipërisë, si dhe për rolin e tij të vyer si publicist, studiues, historian dhe enciklopedist në kulturën shqiptare”. Bernard Kokalari: “Për kontributin, talentin dhe interpretimet e paraqitur në artin skenik, kinematrografik dhe etnofolklor, si një nga aktorët kryesorë themelues të institucionit të teatrit e regjisurës gjirokastrite, dhe për rolin e tij të çmuar në ngritjen e cilësisë së jetës artistike e kulturore kombëtare”. Sokrat Kalivopullit (pas vdekjes): “Për kapacitetin dhe kontributin inxhinierik të jashtëzakonshëm në projektimin dhe ndërtimin e rrjetit hidroenergjetik të Shqipërisë, si dhe për vizionin e strukturave demokratike të pushtetit vendor në Gjirokastër. Si bir i minoritetet greke, gjatë gjithë veprimtarisë së tij, ka paraqitur vlerat më të mira të harmonisë dhe bashkëpunimit midis dy popujve”. Naxhi Kasoruho: “Për kontribut të qenësishëm në fushën e muzikës, të interpretimit, studimit dhe edukimit të brezave përmes saj. Për merita të veçanta në organizimin e veprimtarive kulturore e artistike, sidomos të festivaleve folklorike rajonale dhe kombëtare”. Sotiraq Paskali: “Si një nga personalitetet më të spikatura të cirkut, artit, sportit, kulturës e letrave gjirokastrite. Me talentin e tij shumëplanësh ka dhënë një kontribut të shquar në ngritjen e promovimin e cirkut gjirokastrit dhe atij shqiptar. Arritjet e tij të veçanta në pikturë, skulpturë, muzikë si dhe në botimin e shumë veprave letrare kanë krijuar një shembull emancipimi shoqëror në jetën e qytetit”. Bashkim Izano: “Për talentin e jashtëzakonshëm dhe arritjet e spikatura në fushën e pikturës dhe skenografisë. Me virtuozitetin e penelit të tij ka shënuar gjurmë të pashlyeshme në jetën artistike dhe kulturore të vendlindjes e mbarë Shqipërisë. Cilësia, finesa dhe mendimi estetik që përcjell përmes veprës së vet, e ka vendosur atë në panteonin e korifenjve, si ndër piktorët shqiptarë më të dashur për publikun vendas dhe atë ndërkombëtar”. Sefedin Braho: “Për talentin dhe virtuozitetin e rrallë në fushën e blertë, si futbollist i nivelit të lartë, sulmues legjendë i ekipit gjirokastrit “Luftëtari” dhe ekipit Kombëtar Shqiptar. Me një kontribut të shquar në arritjen e rezultateve të larta sportive në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. Sulejman JusufatiPër merita të veçanta civile”. “Për aktivitetin e tij shumëvjeçar si intelektual, në shërbim të gjeologjisë shqiptare si dhe për përkushtimin e tij të veçantë në fushën e publicistikës. Si botues e drejtues i gazetës “Libohova” ka luajtur një rol të spikatur në mbrojtjen e kultivimin e traditave, etnokulturës dhe historisë së vendlindjes së tij, duke dhënë kështu një kontribut të shquar edhe në pasqyrimin e historisë së larmishme e të plotë të kësaj treve shqiptare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: