NË FAKT, OPOZITËN E KEMI QEVERI- OPINION NGA FRROK ÇUPI

NË FAKT, OPOZITËN E KEMI QEVERI- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Opozita shfaqet para njeriut njëmijë herë më shumë se qeveria. Në media, opozita që nuk po arrin të bëjë zgjedhje të vërteta; në biseda - humbja e thellë e opozitës; në opozitë - krerët e opozitës që kanë bërë një marrëveshje të fshehtë për të cilën as janë pyetur opozitarët; në procedura - manipulimi i zgjedhjeve në opozitë; në diplomaci - me këtë opozitë nuk do të kishim stabilitet; me aleatët - nuk ka erë konservatorizmi në opozitën e Shqipërisë

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Nga FRROK ÇUPI

Cila është qeveria?...

Po të të ngatërrohet këmba e të vrasësh gjurin, çfarë thua? “Dreq, o punë!”. Edhe sikur rruga të jetë e sapo shtruar, ti do të thuash: “Ça dreq qeverie!”... Te qeveria të shkon mendja, sapo të bëjnë zhurmë fqinjët; sapo ta zgjojnë beben fishekzjarrët; sapo llogarit paratë e kursyera për pushime; sapo të shteron uji në çezmë... Dhe sapo hap ekranin e televizorit...

Njeriu i shekullit aktual të shoqërisë shtetërore, është ndërtuar në këtë mënyrë dhe kështu funksionon: Te shteti (që në këtë rast përkthehet qeveria), ka syrin individi edhe për gjënë e mirë edhe për gjënë e keqe. Aq më tepër në shoqëri jo të përparuara, si jona, ku shteti shihet si babai; babai të rreh, babai të rrit, babai të mbron... “Sindroma e Stokholmit” është quajtur nga psikoanalistët...

Dhe kjo është më normalja.

Normale nuk është kjo që ndodh këtu me ne, - që të bëhet eklipsi shtetëror; domethënë që opozita të zërë pamjen e shtetit, - d.m.th., të qeverisë, - se atëherë ndodhin reformacione shumë të mëdha.

Ja deformacionet:

E para, kur qeverisë i vë mbulesë, atëherë ajo e di vetë çfarë bën në fshehtësi. Në fshehtësi, qeveria mund të bëjë dhe të përgatisë krime monstruoze dhe asgjë nuk duket. Madje, as që mban përgjegjësi qeveria, sepse ajo nuk është engjëlli. Fridrih Niçe e ka quajtur shtetin (d.m.th., qeverinë), një “përbindësh i ftohtë”.

E dyta, engjëlli është opozita. Në fakt, duhet të jetë engjëll, pa këtu po rezulton ndryshe. “Engjëll” sepse përfaqëson të drejtën e njeriut dhe të drejtën e zotit para “përbindëshit”. Opozita jonë e ka braktisur këtë mision dhe ka hyrë në lëkurën e përbindëshit. Opozita i ka zënë pamjen qeverisë dhe shfaqet e vetme para individit: herë deklaron se i vodhën zgjedhjet, herë deklaron se nuk ka më kanabis, herë dëshmon se opozita vetë nuk ka demokraci, - domethënë zë gjithë hapësirën qytetare. Njësoj si dikush të fshehë krimin dhe ti të mos e zbulosh dot. Ose njësoj si në lojën e fëmijës, kur dikush ka fshehur fajtorin prapa trupit të vet...

E treta, po krijohet një qenie hermafrodite, - as kështu as ashtu. Opozita nuk është as opozitë dhe as qeveri; qeveria është fshehur si opozitë. Opozita ka ministra në qeveri, ministrat e saj certifikojnë pafajësinë e qeverisë për drogën dhe për krimin. Vetë qeveria nuk thotë as po, as jo, sepse nuk ka nevojë, - fajin e mbulon Opozita. Nënkryeministri është nga opozita, kryeministri as e ka takuar kurrë. Opozita, - që nga momenti i çadrës kur bëri një marrëveshje të fshehtë me qeverinë, - i liroi duart dhe përgjegjësinë qeverisë. Që atë ditë, bota e di Shqipërinë me një qeveri të gjerë, ku ndodhen bashkë opozita dhe mazhoranca, e majta dhe e djathta... Çfarëdo që të ndodhë, opozita shikohet si qeveri; qeveria ndodhet përtej saj. Krijesa hermafrodite është se opozita ka fytyrë qeverie; individi nuk ka ku gjen fytyrën e vet njerëzore.

E katërta, do të na rrafshojë të gjithëve. Këtë “krim” e bën vetëm opozita. Gjithë qeveritë autokratike të shekullit, tentojnë të krijojnë rrafshimin dhe mbi këtë të sundojnë vetë. Vetëm opozitat nuk e lënë të qetë sundimin e tiranive. Opozita ngre herë pas here protestat, denoncimet, kërkesat, alternativat, vullnetin dhe dëshirën... Në rastin tonë, kur opozita ka fshehur qeverinë, e tëra kthehet në një rrafshim pa vlerë.

Opozita shfaqet para njeriut njëmijë herë më shumë se qeveria. Në media, opozita që nuk po arrin të bëjë zgjedhje të vërteta; në biseda - humbja e thellë e opozitës; në opozitë - krerët e opozitës që kanë bërë një marrëveshje të fshehtë për të cilën as janë pyetur opozitarët; në procedura - manipulimi i zgjedhjeve në opozitë; në diplomaci - me këtë opozitë nuk do të kishim stabilitet; me aleatët - nuk ka erë konservatorizmi në opozitën e Shqipërisë...

Sot, kaq shumë e ka mbuluar opozita qeverinë, saqë po të të ngatërrohet këmba në rrugë, do të thërrasësh vetvetiu: “Oh, çfarë dreq opozite!”, jo dreq qeverie - çfarë do të ishte normale.

Kudo flitet për opozitën, por në sensin më negativ, ku fshihet qeveria.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: