NË KËTË RËRË HUMB NGJYRA BLU- OPINION NGA FRROK ÇUPI

NË KËTË RËRË HUMB NGJYRA BLU- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Epoka jonë ka plot ngjasime me “epokat kapërcyell”, siç i kanë quajtur filozofët dhe shkrimtarët. Po të bëhej harta grafike e epokës, ndoshta do të merrte pamjen e afërt me epokat e luftërave të mëdha të Botës, kur shigjetat e ushtrive shtriheshin në drejtim të njëra-tjetrës në gjithë globin.

Epoka jonë, shigjetat i ka thuajse njësoj, veçse jo me ushtri, por me strategji politike mes establishmenteve politike liberale dhe populistëve konservatorë. Kjo është e tëra. Gjithë kontinenti ynë, por edhe Shtetet e Bashkuara, përparojnë në “hartën” e kësaj epoke. “Ngjyra blu” e shigjetës së konservatorëve që përparonte nga zemra e kontinentit drejt Lindjes, ka rënë këtu, në Shqipëri.

Shqipëria sot nuk ka asnjë forcë politike që të përfaqësojë trendin ri politik Perëndimor europiano-amerikan, që kulmoi me ‘Brexit’ dhe me zgjedhjen e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara. Paradigma që ka zënë vend në fushatën elektorale të PD se “Basha ka mbetur pa aleatë perëndimorë”, në fakt këtë peshë mban: Shqipëria është sot vendi ku “u tret” dhe humbi ngjyra blu e djathtistëve perëndimor që ishte drejtuar kah Lindja.

Çfarë ndodhi?

1.

Ngjyra “blu” e politikës shqiptare përfaqësohej nga Partia Demokratike. Ajo ka shënuar suksesin më të madh të Europës Juglindore në luftë kundër diktaturës komuniste “më të egër të Botës” duke triumfuar me ngjyrën blu. Në zgjedhjet e fundit parlamentare “blu-ja” e vitit 1990 ra në humnerë. Jo vetëm pse humbi zgjedhjet, por sepse humbi pas zgjedhjeve. Tani ka humbur demokracinë; ka krijuar lidhjet me të majtën tradicionale; është vënë në shërbim të establishmentit qeverisës; ka mashtruar forcat djathtiste konservatore populiste të Europës. PD sot është as e majtë e as e djathtë, më shumë ndihmëse e të majtës së re “libertariane” që synon socializmin anarshist. Pas rizgjedhjes “per forca” të kryetarit që ka humbur disa herë, PD pret ofertën në qeveri, ku do të humbasë ngjyrimin e vet dhe do të ndihmojë qeverinë e majtë të qëndrojë më këmbë.

2.

Pse zgjodhën shigjetat blu të kalonin nga Tirana? Kjo është pyetja që shtrohet tani. Sidomos që nga momenti i zgjedhjes së Trump si president i Shteteve të Bashkuara, “perdja” politike perëndimore këtu krijoji një hije pritjeje. Deri më 18 shkurt nuk kishte asnjë sinjal se Perëndimi do të dërgonte këndej “ushtrinë” e shigjetës ngjyrë blu. Pas fillimit të protestës së opozitës, që zgjati 90 ditë, Perëndimi shpresoi se mund ta kalojë këtej perspektiva e re populiste konservatore. Këtë e bazoi mbi faktin se kryetari i opozitës, Basha, përmendi disa gjysmë-fraza nga doktrina e Trump dhe ideja e Brexit. Populistët konservatorë dërguan disa mesazhe, dërguan edhe dy a tre përfaqësues të gjallë. Lulzim Basha i PD u nis drejt Amerikës në kërkim të një fotografie me Trump. Të gjithë e kuptuan se ishte fotografuar me “dyllin” e Trump, por bënë sikur nuk kuptuan, duke menduar se ky kishte dëshirë të qëndronte në atë krah. Por kjo dështoi. Në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, Basha nisi aleancën me establishmentin e Merkelit, që është kundër djathtizmit populist. I ktheu shpinën doktrinës Trump dhe Brexit. Menjëherë krijoi marrëveshje të fshehtë me të majtën dhe tradhtoi gjithë shpresën e militantëve të “ngjyrës blu”. Edhe Perëndimi ka kuptuar se këtu “humbi” ngjyra blu.

3.

Ku e goditi “partia blu” strategjinë e “shigjetës blu” të Perëndimit?

Goditja kryesore u përqendrua mbi Parlamentin. Nën kryesimin Bashës së PD, liberalët e majtë realizuan strategjinë e tyre për zvogëlimin e ndikimit të Parlamentit. Të njëjtën gjë bëri edhe e majta socialiste, por me një ndryshim: Kryeministri socialist Rama e futi “kundërshtarin” Basha në qorrsokak: I tha që të heqë kundërshtarët nga Kuvendi, por për vete nuk bëri bash njësoj. Tani “ngjyra blu” nuk ka më parlamentarë të spikatur, sepse i hoqi Basha. Por kjo është pika nevralgjike me të cilën goditet djathtizmi. Me lëshimin e PD në prehër të të majtës (PS), realizohet kërkesa jetike e liberalëve të majtë për ekzistencë, që është përqendrimi i pushtetit dhe realizimi i liderit të fortë. Ja ku janë... Votuesit e majtë, pa dyshim, po t’u sigurosh lider të fortë, përqendrim pushteti, destabilizim të opozitës..., ata bëhen të fuqishëm dhe jetëgjatë. Pas kësaj nuk ka mbetur më hapësirë për djathtistët populistë; ngjyra blu humbet në këtë rërë.

4.

Kur mbushet hapësira?... Hapësira e ‘ngjyrës blu’ nuk mund të mbushet në qoftë se PD zë rrugën e “të djathtës”, kur në fakt nuk është e tillë. Një PD, që thotë se është e djathtë, nuk mund të ketë as demokraci dhe aq më pak “Perëndim” dhe “ngjyrë blu” sa kohë që PD do të ketë Lulzim Bashën. Në këtë “rërë” humbi ngjyra e epokës së re të Perëndimit. Por njëkohësisht kanë humbur tre elementë të rëndësishëm për një shoqëri shtetërore bashkëkohore:

E para, ka humbur përfaqësimi. Populli “opozitar” ka humbur busullën dhe përfaqësimin, sepse PD nuk e përfaqëson më.

E dyta, shteti ka humbur debatin ose “konfliktin me qeverinë” gjë që është gjykuar si i domosdoshëm për të mos e lënë shoqërinë politike shtetërore që të shkojë në greminë.

E treta, ka humbur aleatët e djathtë konservatorë populistë perëndimorë, që tani po vërshojnë në Perëndim. Këtu humbën në “rërë”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: